5.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Fundi i demagogjisë

Imer MushkolajImer Mushkolaj

Kosovarët nuk mund t’iu besojnë më rrenave, demagogjisë e hipokrizisë së politikanëve. Ata kanë zgjedhur ikjen masive si formë proteste, pa shpresë se një ditë mund të bëhet mirë në atdheun e tyre. Kush mund t’u thotë se e kanë gabim? E kanë kuptuar se t’iu besosh 15 vjet pas luftës premtimeve dhe rrenave të politikanëve është gjë e kotë. E kanë marrë vesh më në fund se këta njerëz që e udhëheqin shtetin e Kosovë dhe të tjerët që e kanë udhëhequr më parë gjatë gjithë këtyre viteve janë treguar mashtrues dhe demagogë, duke punuar vetëm për mirëqenien e vet dhe të familjarëve e miqve të tyre, e aspak për qytetarët. Andaj e kanë ndarë mendjen që të ikin nga ky vend dhe të kërkojnë ardhmërinë diku në Europë, pa shpresë se një ditë mund të bëhet mirë në atdheun e tyre.

Dhe nuk po ndalen, çdo ditë, çdo natë. Dhe s’po përpiqet askush t’i ndalë. Dhe s’ka kush që i ndalë. Sepse, askush më nuk beson në fjalët boshe që ndonjëri nga udhëheqësit e shtetit mund t’i thotë. Fjalë që i kanë dëgjuar vite me radhë.

Qytetarët kanë dëgjuar të thonë se e rëndësishme ishte liria, largimi i Serbisë nga Kosova dhe se vendi do të lulëzojë. Por, lirinë e kanë shfrytëzuar për pasurim marramendës të vetes.

Kanë dëgjuar të thonë se do të hapen qindra-mijëra vende pune, por ata kanë punësuar veç familjarë e militantë partish, që bëjnë kokrrën e qejfit me para tonat.

Kanë dëgjuar të thonë se rinia është pasuria më e madhe e Kosovës, ndërkohë që mijëra të rinj me diploma fakulteti enden rrugëve, teksa ata që iu premtuan të ardhme më të mirë veç mund t’i shohin në xhipa të zinj.

Kanë dëgjuar të thonë se Serbia, Serbia pra vazhdon të jetë problemi më i madh i Kosovës, ndërkohë që nuk kanë bërë asgjë për t’i zgjidhur problemet e vërteta dhe Serbinë e kanë futur në institucione.

Kanë dëgjuar të thonë se vendi do të zhvillohej ekonomikisht, ndërkohë që edhe ata investitorë të paktë që duan të investojnë i ndjekin jashtë kufijve.

Kanë dëgjuar të thonë se do të luftojnë krimin e organizuar e korrupsionin, por ato i kanë kthyer në mënyrë jetese.

Kanë dëgjuar të thonë se do të kenë edhe shëndetësi e arsim më cilësor, por institucionet i kanë mbushur me njerëz mediokër e sharlatanë.

Kanë dëgjuar të thonë se qytetarët do të lëvizin pa viza në Europë, por Kosovën e kanë izoluar e kthyer në një burg masiv, ku askush nuk ka kohë të presë heqjen e vizave.

Kanë dëgjuar e ç’nuk kanë dëgjuar dhe më në fund janë ngopur nga rrenat, dallaveret, hipokrizia, demagogjia. Andaj, ikjen masive drejt Perëndimit e kanë zgjedhur si formë të protestës. Për të treguar se rrenat e dallaveret kanë fund, për të treguar se hipokrizia e demagogjia kanë fund.

* * *

Problemet e mëdha ekonomike e sociale zakonisht politikanët i kanë mbuluar me Mitrovicën, Veriun, Serbinë. Tash kur arsyetimet e tilla nuk iu bëjnë punë, janë gjendur në situatë të vështirë. Në mungesë të përgjigjeve për problemet e shumta, ata nuk dinë çfarë të thonë. Në mungesë të mosfillimit të realizimit të premtimeve parazgjedhore, ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Andaj gjejnë zgjidhje diskriminuese e me qasje korruptive, si falja e borxheve. Në këtë mënyrë, ata përpiqen të blejnë paqen sociale, por edhe t’i shpërblejnë bizneset që do të duhej ndëshkuar. Ato biznese të papërgjegjeshme, të cilat me dijeninë e institucioneve përkatëse nuk i kanë kryer obligimet ndaj shtetit.

Në këtë mënyrë, Qeveria godet qytetarët e ndershëm, të cilët paguajë borxhet me rregull dhe stimulon të tjerët që vazhdojnë të mos e bëjnë një gjë të tillë. Vendimin e Qeverisë, ministri i Financave, Avdullah Hoti, e quajti fillim të ri. E fillim i ri do të duhej të ishte hapja e vendeve të premtuara të punës, lufta e premtuar kundër krimit të organizuar e korrupsionit, mirëqenia e premtuar për qytetarët, shëndetësia e arsimi më i mirë.

Madje, për kryeministrin Isa Mustafa, fillim i ri do të ishte refuzimi që të hyjë në koalicion me PDK’në, e cila mban pjesën më të madhe të përgjegjëisë për situatën në të cilën gjendet vendi sot. Të paktën shpresa për një jetë më të mirë do të rronte më gjatë.

* * *

Tash, shpresë për një jetë më të mirë kosovarët kanë veç rrugët e Europës. Fjalët e politikanëve nuk çojnë më peshë. Aq sa edhe rezoluta kundër migrimit ilegal e miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës. Njësoj si qeveritarët, edhe deputetët u treguan demagogë e hipokritë. Folën për shkaqet që çojnë në migrimin ilegal, por asnjëri nuk përmendi rrogat e tyre marramendëse dhe privilegjet tjera. Paguhen thuajse më së shumti ndër kolegë në rajon, e asnjëri nuk merr iniciativë që t’i ulin rrogat e veta. Të paktën sa për ta parë se është e lehtë jeta kur paguhesh mijëra euro në muaj nga paratë e qytetarëve të varfër, por është vështirë, shumë vështirë të jetosh si qytetar i varfër, që paguhet më pak sesa vlera e mbushjeve të telefonit, drekave, darkave e mëditjeve të një deputeti, një qeveritari.

Këto rroga të mëdha e privilegje të deputetëve e qeveritarëve vetëm sa stimulojnë ikjen nga Kosova, vetëm sa irritojnë qytetarët që duket se kanë vendosur që Kosovën t’ua lanë në shfrytëzim pikërisht këtyre që e kanë sjellë në këtë gjendje, e vetë të kërkojnë fatin diku në Europë. Të lodhur nga papunësia, varfëria e mjerimi dhe larg rrenave, demagogjisë e hipokrizisë./Gazeta Express/

Më Shumë

Djali i Ancelottit nuk i fsheh ambiciet: Dua të bëhem trajner i Realit

Nga Carlo Ancelotti te Davide Ancelotti, te Reali mund të ketë një rokadë baba-bir për sa i përket stolit të ekipit të bardhë. Por...

Mbi 50 për qind të shqiptarëve të Shqipërisë nuk e kanë vizituar asnjëherë Kosovën

Në Barometrin e Euronews Albania, ku u bënë bashkë për herë të parë në një studim të përbashkët qytetarë në Shqipëri dhe në Kosovë,...

Lajmet e Fundit