6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Fushatë në FB: Dhuro një Abetare të ndihmosh Gjuhën Shqipe në Greqi

75120Një fushatë e mrekullueshme ka nisur këto ditë në rrjetin social Facebook, faqet e të cilit janë mbushur me një njoftim, ku kërkohet ndihmë me libra Abetareje dhe të Gjuhës Shqipe, për fëmijët shqiptarë të shkollave shqipe në Selanik dhe Janica.

Njoftimi u shpërnda fillimisht nga kolegia jonë, gazetarja Anila Jole, e cila është pjesë e stafit të mësuesve që japin mësim vullnetarisht në shkollën e Selanikut. Prej dy ditësh njoftimi i saj është shpërndarë në mënyrë të rrufeshme në FB, nga miq të saj, por edhe miq të miqve, të njohur ose të panjohur, në Shqipëri dhe jashtë, ku njerëz të ndryshëm bëjnë thirrje për të dhënë kontribut.

Në njoftim sqarohen detajet për nevojat që kanë shkollat e Selanikut dhe Janicasë, për tekste të Abetares dhe Gjuhës Shqipe 2,3,4,5,6 si dhe vendi ku duhet të dorëzohen ndihmat. Kaq ka mjaftuar, që dashamirësit e parë të dhurojnë librat e blerë prej tyre, në ndihmë të ruajtjes së Gjuhës Shqipe në vend të huaj. Ata që janë ofruar për të ndihmuar dhe kanë ndihmuar, nuk jetojnë vetëm në Shqipëri. Edhe nga SHBA dhe Kanadaja miqtë e dashamirësit kanë kërkuar të japin kontribut.

Anila Bisha, drejtore e MediaPrint, e cila ofroi tekstet e Abetares me çmim më të ulët për ata që do të bëheshin pjesë e kësaj fushate dhe ofroi zyrën e saj si pikë grumbullimi për donacionet, thotë se shumë të tjerë kanë telefonuar duke kërkuar t’iu rezervohet një numër caktuar librash.

Nga ana tjetër, gazetarja Valbona Sulçe që u përfshi aktivisht në këtë fushatë në Tiranë, ka siguruar ndër të tjera përfshirjen e një shkolle 8 vjeçare, fëmijët e së cilës po dhurojnë librat e Gjuhës Shqipe për bashkëmoshatarët e Selanikut dhe Janicasë.

Të njëjtën përpjekje po bëjnë edhe gazetarët e News24 dhe Balkanweb dhe mediave të tjera, për të afruar rreth kësaj nisme shkolla të ndryshme në Tiranë dhe për të mbledhur sa më shumë libra, me dëshirën e mirë që edhe nëse nevojat tejkalohen, në Greqi të ketë më shumë nxënës që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe.

Pse lindi domosdoshmëria e kësaj iniciative?
Në qytetet e Selanikut dhe të Janicasë, në Greqi vazhdon për të 9-in vit, cikli i mësimit vullnetar të gjuhës shqipe, për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, organizuar nga mësuesit e Shoqatës së emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza”. Kjo shoqatë organizon mësimin vullnetar të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, me mbështetjen e mësuesve vullnetarë, të diplomuar në Universitetet shqiptare. Mësimi zhvillohet në mjediset e ofruara nga Fakulteti Pedagogjik në Universitetin “Aristoteli” në Selanik dhe në Shkollën publike fillore nr.3, në Janica.

Numri i nxënësve në këto shkolla rritet çdo vit e më shumë, po ashtu dhe nevojat didaktike të mësimdhënies. Sipas asaj që na tregojnë mësuesit, vitet e fundit Ministria e Arsimit të Shqipërisë ka ofruar, edhe pse me vonesë, librat e duhur. Sivjet, numri i nxënësve po afron shifrën 200, por ata janë ende pa tekste të Abetares dhe Gjuhës shqipe. Anila Jole thotë se “pas kërkesave të vazhdueshme zyrtare të Shoqatës “Nënë Tereza” drejtuar ministrisë së Arsimit gjatë muajve të verës, nuk pati asnjë lëvizje konkrete. Duke patur parasysh edhe ndërrimin e qeverive, ne pritëm mjaft, por koha nuk pret. Kështu na duhej të gjenim mënyra të tjera, sërish vullnetare, për të siguruar librat e nevojshëm”.

Në këto kushte filloi fushata sensibilizuese në FB për sigurimin vullnetar të teksteve shkollore, libra të Abetares dhe Gjuhës Shqipe. Lutja iu drejtohet grupeve apo individëve, shkollave publike apo private, biznesmenëve ose nëpunësve, miqve e shokëve në Shqipëri, ose jashtë saj, kujtdo që vlerëson e respekton ruajtjen e së drejtës së fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe edhe pse rriten larg Shqipërisë.

“Gjuha shqipe ka nevojë për ndihmën tonë. Dhuroni një Abetare që fëmijët tanë në vend të huaj të mos e harrojnë gjuhën e nënës!” Kjo është edhe thirrja jonë!(Daniela Bonollari Balkanweb)

Më Shumë

Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike teksa po peshkonte në Romajë

Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga...

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Lajmet e Fundit