9.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Fytyra e krimit nuk mbulohet me kozmetikë

Shkruan: Enver  Sulaj

Po të mos ishte provokim, propozimi i kryeministrit serb, Aleksandër  Vuçiq, për të përkujtuar në një ditë të përbashkët gjitha viktimat e ish- Jugosllavisë, në rastin më të mirë do të tingëllonte si papjekuri politike. Por, shteti serb dhe klasa aktuale politike, së cilës i rri mbi kokë mëkati mbi krimet dhe gjenocidin gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, s’ka se si të ndihet qetë, andaj me lëvizje e veprime politike kozmetike përpiqet të zbehë, aq sa mundet, njollat e krimit që i rrinë në fytyrë. Dhe, kur shikon se kjo klasë politike serbe duhet t’u japë gati çdo ditë llogari popujve të cilët i masakroi, i vrau e ua zhduku edhe kufomat- kryeministri i këtij vendi të duket vërtet i mjerë me propozime të tilla. Por, nga ish- zëdhënësi i Milosheviqit nuk pritet më mirë, ndërkaq edhe kur duket naiv, edhe kur duket i mjerë e i përgjëruar, ai ka një qëllim të vetëm- përfitime sa më shumë në dëm të të tjerëve për të “larë fytyrën” e vet.

Si mund të arrihet një ditë përkujtimi për të gjitha viktimat në ish-Jugosllavi, kur në Kosovë akoma nuk është zbardhur fati i qindra shqiptarëve të zhdukur, kur Serbia bën obstruksion të vazhdueshëm për ta paraqitur Kosovën si shtet jofunksional e të paqëndrueshëm. Paralelisht me këtë, Serbia përpiqet të paraqitet si shtet me qasje kinse konstruktive, të cilin BE-ja duhet ta trajtojë si partner kryesor për zhvillimet në këtë pjesë të Evropës. Në këtë pikë, përpjekja djallëzore për të paraqitur shqiptarët myslimanë si rrezikues të Evropës së krishterë, dhe veten si shpëtimtare të këtij kontinenti, është arma që serbët kanë në dorë dhe e përdorin kohëpaskohe, shpesh edhe me fajin dhe ndihmën tonë (me vetëdije e pa vetëdije).

Nëse nuk mundi të ndalonte pavarësinë e Kosovës në 2008-ën, shteti serb zbaton që atëherë një agjendë shtetërore të qartë: pengimin me të gjitha mjetet të Kosovës në rrugën e shtetforminit e konsolidimit. Ndërkohë përmes shantazheve synon ngritjen e pazarit me BE-në në rrugën e saj drejt kontinetit të cilit me asgjë nuk i ka ndihmuar, por e ka gënjyer vazhdimisht, edhe atëherë kur gjoja e mbrojti Evrpën nga pushtimi osman në Betejën e Kosovës, ndërkohë pranuan vazalitetin e sulltanit, për të jetuar qetësisht me të në shekujt që vijuan .

Shteti serb një gjë duhet ta ketë të qartë se me politikën e saj aktuale ndaj fqinjve, e sidmos ndaj Kosovës, nuk mund të arrijë asnjë përfitim dhe se duhet të ndalojë të gjitha lojërat kundër Kosovës.

Shteti serb që si program nacional kishte zhbërjen e të tjerëve nga vatrat e tyre, nuk duhet të provokojë shpirtrat e lënduar, të cilët në heshtje qajnë, me shpresë se mallikimi do të bjerë mbi keqbërësit. Nëse shpresa për drejtësi hyjnore zgjat dhe një gjë e tillë të duket e pamundur, drejtësia duhet të vihet në vend e kryesit e krimeve dhe urdhëruesit e tyre të marrin dënimin e merituar. Deri atëherë, Serbia do të luajë të gjitha lojërat dhe në fund do të shohë se vetëm ia ka zgjatur vetes agoninë dhe vuajtjet të tjerëve.

Në anën tjetër, ne në shtëpinë tonë kemi shumë punë për të bërë. Disa punë nuk po i bëjmë, e disa po i bëjmë keq. Se një ditë do të mbushemi mend, kjo s’ka dyshim, por deri atëherë duhet të krijohet një elitë politike që do ta shohë shtetin si diçka që dhemb, e jo si diçka që i shkaktojmë dhembje.

Ne, shqiptarët, jemi popull evropian dhe çfarëdo kambane që serbët mund t’i bien për të dëshmuar të kundërtën, është vetëm humbje kohe, si për serbët, ashtu edhe për ndonjë kokëbosh në mesin tonë, i cili duke duke pirë bozë e duke thithur nargjile përkundet me anekdodat për Nasradinin dhe rrëfimet mbi “babën sulltan” si shpëtimtar.

Më Shumë

24 vjet nga vrasja e “Drinit”

8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren. Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze. Drejtësia vendore e ndërkombëtare,...

Burri në Prizren rrah vajzën dhe gruan, policia nuk e arreston

Një burrë nga Prizreni, mbrëmjen e së martës ka rrahur vajzën dhe gruan e tij. Kështu thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, anise bëjnë...

Lajmet e Fundit