Prizreni njihet për shumë zeje të njohura, por njëra ndër to ishte edhe punimi i gëzofëve për dimër. Punimet bëheshin nga lëkura e bagëtive, sidomos atyre të egra, sepse kishin një qëndrueshmëri më të madhe, tregon profesor Syljem Randobrava. Ai shprehet për gazetën “Kosova Sot” se njëra nga rrugët e Tabakahanës së Prizrenit që çonte drejt “Shadërvanit” ka pasur 70 dyqane që punonin gëzofë të bukur nga lëkura e ariut, lepurit, qengjit e kështu me radhë. Sipas tij, ajo rrugë tash ka mbetur si kujtim, sepse në atë rrugë më nuk ekziston asnjë dyqan i tillë. Zeja e gëzoftarit, pra, ishte ndër zejet e para në Prizren.
Sipas Muhamed Shukriut, në vitin 1591, në qytetin e lashtë kanë ekzistuar pesë familje të gëzoftarëve. Këtë zeje nga viti 1934 e këtej e ka kryer familja e Aliriza Shpejtit, e tani i biri tij Fitim Shpejti e ruan këtë zeje me fanatizëm. Baca Aliriza Shpejti, tani 81-vjeçar, tregon se kanë qenë të vetmit në Kosovë që janë marrë me këtë zeje. Ai shpjegon se për vite të tëra ka punuar gëzofë, xhamadanë, xhubleta, këpucë e opinga lëkure. “Unë kam qenë përpunuesi më i mirë e lëkurës. Më duhet të them se leshi i qengjave bashkë me lëkurën e butë si dhe lëkurat si e dhelprës apo ndonjë kafshe tjetër është e shëndetshme për trupin e njeriut. Por, tani ka ardhur kohë e pakohë dhe njerëzit në vend të këtyre lëkurave të shëndetshme, ata përdorin plastikë dhe lëkurë artificiale”, shprehet Shpejti.
Edhe kryetarët e shteteve i vishnin gëzofët e Prizrenit
Shpejti thotë për “Kosova Sot” se në vitin 1947 patën formuar kooperativën e gëzoftarëve të Prizrenit. Shpejti tregon se përpunimi i lëkurës bëhet në formë speciale, kurse ajo që duhet pasur kujdes, sipas tij, është fakti se lëkura e qengjit apo e deles, ose e ndonjë kafshe tjerët lihet 15 ditë me krunde e miell misri dhe pastaj me një brisk prehet sipas trupit dhe qepet me një gjilpërë trekëndëshe.
“Janë të mira lëkurat e qengjit, viçit, ogiçit, ujkut, ariut, kaprollit, edhit të butë apo të egër, maces së egër, lepurit a ndonjë tjetër”, shpjegon ai. Shpejti thotë se plastika e goma janë shkaktarët kryesorë të dëmtimit të shëndetit të rinjve. “Jemi të vetëdijshëm se tash nuk paguan kush mbi 100 euro për një palë këpucë, por ato këpucë kurrë nuk e dëmtojnë këmbën. Me ato këpucë mund të ecësh me kilometra e mos të lodhesh, Derisa këto këpucët e gomës e të plastikës janë shumë të dëmshme”, shprehet ai. Shton se meqë është i vetmi në Kosovë që merret me këtë zanat i duhet një përkrahje institucionale. Edhe Ilir Hodaj, zejtar, tani këpucë- tar, rrjedh nga një familje e gëzoftarëve. Ai tregon se ka dëgjuar nga të moshuarit se dikur gëzofët e Prizrenit ishin të njohur në gjithë botën dhe dinastitë e asaj kohe. Ai tregon se kishte dëgjuar se gëzofët e Prizrenit kanë veshur bile edhe kryetarë të shteteve, sepse ishin të kualitetit të lartë dhe të punuar me shije të veçantë.
“Vishni më shumë rroba lëkure”
Ustai Aliriza Shpejti tregon se tashmë këtë zeje po e trashëgon i biri i tij, Fitimi. Kjo zeje tani është zhdukur, pos kjo familje po e ruan këtë zanat me fanatizëm. “Do të mundohemi ta ruajmë edhe më tej, por kërkohet që Komuna e Prizrenit të bëjë më shumë për ta ruajtur këtë zeje, të vetmen në Kosovë”, është shprehur Fitim Shpejti. Kurse Aliriza Shpejti ka një porosi për të rinjtë që të orientohen kah zeja e gëzoftarit dhe të veshin më shumë rroba lëkure, e të përdorin më shumë leshin e deles, sepse është më i shëndetshëm.
” Të shpresojmë se ky informacion dhe ky realitet do të reflektojë tek udhëheqja e Komunës së Prizrenit, që në të ardhmen të mendojnë e të bëjnë investime më shumë në zejet e kësaj natyre”. Shpejti shprehet se nga kjo zeje vështirë sot mbijetohet, porse shton se është mëkat të zhduket tërësisht. “Vdekja e kësaj zeje besoni se do ta dëmtojë shëndetin e përgjithshëm”, është shprehur ai.
(Kosova Sot)