Në bazë të pozitës dhe lartësisë që ka, Pllajniku paraqet kulmin e fshatrave të Opojës. Shtrihet në njërën nga pllajat e Sharrit, në lartësi mbidetare 1350 – 1422 metra. Sipërfaqet e mëdha të kullosave malore, të cilat kanë nxitur që popullsia të merret me blegtori, kanë qenë faktori kryesor që këtu janë vendosur banorët e parë në këtë vend që e emërtuan Pllajnik. “Ky emër vjen nga burimet e sigurta e fjalëve shqipe pllajë dhe nik. Ky vendbanim daton shumë herët dhe kështu në dokumentet e vjetra osmane, të vitit 1575, Pllajnikun e gjejmë po me këtë emër që tregon se Pllajniku hyn në vendbanimet më të lashta të Opojës”,tregon Abaz Çengaj,shkruan gazeta Kosova Sot.
Ky fshat ka shkollën 5- vjeçare, xhaminë dhe 2 shitore. Sipas Çengajt, shkollimi në gjuhën shqipe në këtë fshat kishte filluar në vitin shkollor 1947-48. “Nga kjo statistikë shihet mirë se banorët e këtij fshati janë shpërngulur për shkak të lidhjeve të dobëta rrugore. Shpërngulja është duke vazhduar edhe tani kur infrastruktura është përmirësuar dukshëm falë ndihmës së Kuvendit Komunal, KFOR-it turk dhe Shoqatës gjermane CDF që në vitin 2006 ndihmuan në trasimin e rrugës që lidh këtë fshat me fshatin Kosavë”, është shprehur ai.
Banorët janë bujarë e trima
Sipas Çengaj, projekt i rëndësisë së veçantë ishte ujësjellësi, i cili u mbështet financiarisht nga një shoqatë ndërkombëtare. “Këtu, pjesa dërmuese e popullsisë merren me blegtori e bujqësi, ku shfrytëzojnë 164 hektarë ara, mbi 100 hektarë livadhe dhe rreth 330 hektarë kullosa, e një pjesë e madhe e familjeve, që nga paslufta, janë duke u marrë intensivisht me grumbullimin e boronicës, dëllinjës, kaçës, aguliçes, e shumë bimëve të tjera mjekuese”, thekson ai. Të tjerët thonë se Pllajniku është fshat me tradita mikpritëse, banorët janë bujar e trima kështu që në luftën e fundit shkuan për t’i dëshmuar trimëritë e tyre 18 djem të moshave te ndryshme dhe në zona të ndryshme operative. Abaz Çengaj tregon hallin e madh me shkollën. Mësuesi shprehet se nxënësit tani e pesë javë kanë ngelur pa shkuar në shkollë dhe kërkon urgjentisht një përkujdesje dhe duhet të ndërmerren të gjitha masat që ata nxënës mos të ndahen nga procesi mësimor për shkak të transportit të munguar.
Brenda dite arrijmë të mbledhim mbi 50 kg boronicë
Karakteristikë e këtij fshati për çka flasin të gjithë është se Opoja është bujaria e këtyre banorëve. “Këtu ende vazhdon ajo thënia e vjetër ilire “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, prandaj kjo traditë ende ruhet më përkushtimin më të madh”, tregon Çengaj për “Kosova Sot”. Tani, që nga paslufta e këtej, ky fshat duket se bën një jetë plotësisht idilike, si në kohën e rilindësve tanë kombëtarë. Vëllezërit Nehat e Bashkim Qusaj, si grumbullues të boronicës, shprehen se kanë mjaft përfitime nga kjo punë se kanë një çmim 2 euro e 15 centë për kilogram të boronicës. Nehat Qusaj shpjegon se ka familje këtu që siguron deri në 30 mijë euro brenda sezonit, duke mbledhur boronica dhe bimë tjera mjekësore. Pastaj ai tregon se jeta këtu duket e vështirë, por megjithatë i ka të mirat e saja. Motra e tyre ishte ndër ato të parat që kishte thyer akullin e shkollimit Hajrushe Qusaj, e cila tani është martuar dhe jeton jashtë Kosove. Mujedin Domazeti pohon se ka ditë kur brenda një dite arrijnë të mbi 50 kg boronicë dhe ky mund shpaguhet.
“Por, edhe bimët tjera i mbledhim dhe nga këto arrijmë të jetojmë mirë”, pohon ai. Konfiguracioni malor i fshatit për shkak të burimeve të shumta ka bërë që fshati të ketë ujësjellës. Por, dikur kishte një burim dhe ai ishte “Kroi i maces”. Pleqtë shpjegojnë disa histori për këtë krua. Por, njëra ndër to ishte se nga gërmimet e maces në një verë të thatë kishte gjetur këtë burim dhe më vonë ata pak banorë e kishin shndërruar në krua fshati, duke identifikuar me këtë emër. Nga ky fshat vetëm në Prizren janë shpërngulur 60 familje, në Sharr 20, në Prishtinë 16 familje të këtij fshati. Por ata që jetojnë këtu pohojnë se më nuk e kanë ndërmend të lëvizin nga këtu. Plaku Yzeir pohon: “Jo biro, këtu i kemi varrezat, këtu i kemi të parët. Më mirë është këtu se kudo tjetër në botë”, shprehet ai.
(Kosova Sot)