Tri kufoma që dyshohen të jenë të shqiptarëve, janë gjetur të enjten në varrezat myslimane në veri të Mitrovicës, ku edhe dyshohet për varrezë masive, ndërsa janë duke u mbledhur eshtrat e personit të katërt nga ana e ekspertëve mjekoligjorë vendorë dhe atyre të EULEX-it.
Bajram Çerkini, përfaqësues i shoqatës “Zëri i Prindërve”, ka thënë se punimet kanë filluar me rreth 3 orë vonesë pasi një grup serbësh në fshatin Rudarë të Zveçanit, kanë bllokuar ekipin që ishte nisur në lokacionin e duhur për të gjurmuar kufomat.
Sipas tij, dyshohet se bëhet fjalë për të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që ishin varrosur aty.
“Ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë nuk po e kryejnë punën si duhet, por punojnë me ndërprerje dhe për këtë kam shprehur pakënaqësinë time dhe të shoqatës ‘Zëri i Prindërve’”, ka thënë Çerkini.
Ai ka pohuar se në këtë varrezë masive, muaj më parë, janë gjetur trupat edhe të 7 personave dhe pjesë të dy trupave tjerë.
Sa i përket identitetit të të zhvarrosurve, Çerkini ka thënë se dy mbetjet e para dihen dhe janë në regjistër, pa dashur të jap emra, por dy mbetjet e tjera janë të panjohura.I pari i organizatës “Zëri i Prindërve”, ka thënë se, sipas dëshmitarëve, dyshohet se në këtë lokacion, forcat ushtarako-policore serbe kanë varrosur 12 shqiptarë të vrarë gjatë luftës.
(Kosovapress)