Diplomatët e huaj, sidomos ata gjermanë, ia kanë bërë të qartë koalicionit LDK- AAK-NISMA, se në asnjë mënyrë nuk guxojnë t’i nënshtrohen kërkesave të Vetëvendosjes., aq më pak, që t’i lejojë lëvizjes së Albin Kurtit, t’i prijë bisedimeve me Serbinë, raporton TV Rrokum.
Këtë ia ka thënë televizionit Rrokum, një burim i besueshëm brenda koalicionit. E drejtimi i bisedimeve, është njëra prej kërkesave që ka Lëvizja Vetëvendosje, që t’i bashkohet koalicionit të bllokut.
Sipas këtij burimi, bllokimi i formimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe ndërprerja e privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore nuk duhet as të mendohet.
Krejt çka mundet të bëhet te privatizimi, është që të rishikohen rastet që dyshohen se ka pasur keqpërdorime.
I njëjti burim, i ka thanë televizionit se diplomatët gjermanë u kanë kërkuar drejtuesve të partive të koalicionit, të bëjnë për ta bindur lëvizjen e Kurtit që të bëhet demokratike dhe përafërt në kërkesat e tyre si tri partitë e koalicionit LDK, AAK NISMA.
“Ndërkombëtarët, sidomos diplomatët gjermanë, kanë kërkuar mos t’i nënshtrohen Vetëvendosjes, në kërkesat e tyre as me iu pri bisedimeve me Serbinë, e as anulimin e vendimit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ndërsa sa i përket privatizimit, na asht bërë e qartë që nuk guxojmë as të mendojmë me e ndërpre, por munden vetëm të rishikohen ndërmarrjet që dyshohen se ka pasur keqpërdorime. Nëse vërtetohet që ka pas dallavere, atëherë përsëritet privatizimi”, ka thënë ky burim.
I njëjti burim ka treguar edhe se kush ishte shkaktari që nuk u bë nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet koalicionit dhe Vetëvendosjes.
Sipas tij, nuk ka qenë Ramush Haradinaj, por ishte Isa Mustafa ai që ka kundërshtuar t’ia lë drejtimin e bisedimeve Vetëvendosjes.
“I nominuari për kryeministër, RamushHaradinaj nuk ka qenë ai që i ka hëngër fjalët e veta. E vërteta është që ai i ka thënë Vetëvendosjes me iu pri bisedimeve, por ma vonë ka ardhur një reagim nga kryetari i LDK, Isa Musta ku ka thënë që mbas mbledhjes që është zhvilluar me Kryesinë e partisë së tij, kanë dalë shumë pakënaqësi, dhe është marrë vendim të mos pranohen kushtet e Vetëvendosjes, e të cilat i kishte pranuar Haradinaj”, ka theksuar burimi.
Lidhur me kërkesën e PDK për qeveri gjithëpërfshirëse, ky burim ka pohuar se një kërkesë e tillë, në asnjë takim nuk i ka ardhur koalicionit nga ndërkombëtarët. /TV Rrokum/