26.2 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025

Gjuha e gjarpnit

IMER MUSHKOLAJ

Isa Mustafa vazhdon të helmojë e ofendojë me gjuhë prej gjarpni. Por, në vend se t’i krahasojë me kafshë gratë që, sipas tij, “i kanë kullotë” fondet e huaja, ai është mirë të sqarojë qytetarët se si ende dikush po vazhdon ta mjelë Fondin e Trepërqindëshit, për të cilin ai ka qenë përgjegjës

Pak ditë pasi Hashim Thaçi ofendoi mijëra kosovarë që protestuan më 17 shkurt në Prishtinë, duke i krahasuar me kafshët që ikin me bisht ndër shalë, Isa Mustafa zgjodhi t’i ofendojë rëndë gratë – respektivisht “disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi”, siç shkroi të shtunën në një postim në Facebook.

Në këtë mënyrë, ai i krahasoi gratë me kafshë që kullotin. Por, nuk është hera e parë që Mustafa ofendon të tjerët duke i krahasuar me kafshë. Para pak muajsh, ai e krahasoi deputetin Albin Kurti me gomar. Ndërkaq, fondet që i marrin nga jashtë ua pat përmendur edhe disa analistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, por pa ofruar asnjë fakt.

Që nga koha kur pati mbyllur Facebook’un, kosovarët qenë kursyer nga kjo gjuhë neveritëse dhe e pështirë e kryeministrit, por duket se ai nuk mund të durohet pa i ofenduar të gjithë ata që nuk e pëlqejnë ose e kritikojnë.

Inatçi e arrogant sa s’ka, ai në këtë mënyrë vetëm sa po shpërfaq logjikën e tij të qeverisjes në një situatë ku i irriton të gjithë me sjelljet dhe veprimet e veta.

Pak ditë më parë, ai foli edhe për njerëz që “ulërasin serbisht”. “Nuk mund të rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe të ulërasim serbisht nëpër sheshet tona dhe të gjuajmë gurë. Asociacionit nuk duhet thënë Zajednicë për të ngjallë ndjenja nacionaliste”, deklaroi Mustafa.

Hipokrizi shkruar hipokrizie. Se Asociacionit nuk u dashka thënë Zajednicë po na tregon hiç më pak se ai, i cili vetë e ka nënshkruar si të tillë marrëveshjen me Aleksandar Vucicin në Bruksel. Ai vetë ka pranuar ta nënshkruajë termin Zajednicë për Asociacion dhe tash na shet folkolorizëm e dokrra që nuk iu beson kush. Ndërkaq nuk merret asnjëherë me zyrtarë serbë të qeverisë që udhëheq, të cilët në çdo paraqitje Kosovës ia shtojnë edhe fjalën Metohi. Se me çfarë kriteresh vlerëson akademiku, mbase veç ai e di.

* * *

Isa Mustafa është shef dhe partner politik i Hashim Thaçit, i cili gjatë luftës është njohur me nofkën “Gjarpri”. Por kjo nuk do të duhej ta trimërojë atë që të përdorë gjuhë prej gjarpni në paraqitjet e veta publike, gjuhë që helmon dhe ofendon qytetarë të Kosovës.

Isa Mustafa është edhe akademik, por diskursi i tij publik mund të krahasohet me një diskurs komunikimi të rrugës. Ai nuk e ka hiç dert çfarë nxjerr nga goja, e mandej kur përballet me reagime të qytetarëve, përpiqet ta përmirësojë gjuhën ofenduese, siç ndodhi me përmirësimin e postimit në Facebook, në të cilin ofendonte gratë. Gratë që po kullotkan fonde të huaja.

Por, në çfarë momenti Mustafa po na flet për kullotje fondesh? Në momentik kur është riaktualizuar çështja e Fondit të Trepërqindëshit.

Insajderi.com ka raportuar për transaksione të dyshimta nga llogaritë e këtij fondi deri në vitin 2012, nga i cili janë tërhequr qindra mijëra euro. Mustafa, si ish-shef i këtij fondi, nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë. Madje, në vend se te jep përgjegjësi, ai ka zgjedhur të përmend fonde të tjera fiktive që po i kullotka dikush. Ndërkohë që qytetarëve iu është thënë se Fondi i Trepërqindëshit nuk është më aktiv, na del se dikush po vazhdon ta mjelë rrastë atë.

* * *

Të zgjedhësh për të folur për mirëqenien e qytetarëve, ndërkohë që një pjesë të tyre i ofendon me gjuhë prej gjarpni është e padenjë dhe e pandershme. Siç është e padenjë për një kryetar të LDK’së dhe një kryeministër që të provojë të bëhet më Hashim Thaç se vetë Hashim Thaçi. Brenda Isës çdo ditë e më shumë na shfaqet një Hashim i vogël. Ndërkohë që vazhdon të na flasë për frymën rugoviane dhe thirret në ato që LDK i quan vlera rugoviane.

Se për çfarë fryme e vlerash rugoviane flet, mund ta dijë veç ai. Por, nuk është kurrfarë vlere as morali të veprohet siç ka vepruar Mustafa. T’i fitojë votat e elektoratit të LDK’së me premtimin se kurrë nuk do të qeverisë me Hashim Thaçin, e t’i gjuhet në krahë atij. Të ofendojë opozitë, shoqëri civile, gazetarë e opinionistë, e të mos e ndjejë as më të voglën keqardhje.

Të qeverisë me arrogancë e papërgjegjësi, e të mos iu përgjigjet shqetësimeve të dhjetëra-mijëra qytetarëve në sheshet e Prishtinës. Për më tepër, të trimërohet e të mos ndihet keq të paktën, teksa partneri i tij Hashim Thaçi kërcënon po këta qytetarë, duke iu thënë se i kanë pritur për t’ua dhënë përgjigjen e merituar.

Për ta ruajtur sadopak Isa Mustafën nga zhytja edhe më e thellë në diskursin e tij ofendues, dikush duhet t’ia heq kabllën e kompjuterit nga rryma. E shpëton edhe atë, por i kursen edhe qytetarët nga gjuha e gjarpnit e një kryeministri linçues e përjashtues./Gazeta Express/

Më Shumë

Konsultim publik në Prizren për përfshirjen e PAK-ve në politikat publike

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të hënën është mbajtur konsultimi publik me akterët e shoqërisë civile për përfshirjen e nevojave të personave me...

Nëse Thaçi shpallet fajtor, edhe unë qenkam kriminel

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka hedhur kritika në drejtim të institucioneve shtetërore, lidhur me heshtjen sa i përket të drejtave...

Lajmet e Fundit