8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Gjykata Speciale duhet të votohet, në të kundërtën bie reputacioni i Kosovës

Deputetët duhet të tregojnë përgjegjësi shtetërore dhe ta votojnë ligjin për formimin e Gjykatës Speciale, sepse ndryshe do të bie reputacioni i Kosovës, vlerësojnë për Telegrafin, njohës të kësaj fushe.

Analisti Azem Vllasi thotë se struktura e njëjtë që sillet në pushtet që 15 vjet nuk është dashur ta lëshojnë shansin për formimin e Gjykatës Speciale dhe kjo sipas tij është dashur të bëhet më herët.

“E njëjta strukturë e njerëzve që sillen në pushtet, në disa përbërje të Kuvendit deri tash e kanë lëshuar shansin që për 15 vite ta bëjnë atë që është dashur të bëhet siç kanë bërë Kroacia, Bosnja që kanë pas po ashtu luftëra mbrojtëse, pikërisht për t’i heq të gjitha dyshimet ndaj luftës së drejt për çlirimin e Kosovës”, tha ai.

Po ashtu ai bën të ditur se janë dy alternativa për miratimin e Gjykatës Speciale.

“Tash janë vetëm dy alternativa ose të bëhet me pëlqimin e Kuvendit të Kosovës ose varianti i dytë është ta formojë Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara këtë gjykatë, duke u mbështet në kompetencat që i ka sipas Rezolutës 1244 dhe në këtë mënyrë ta mbajë gjallë akoma Rezolutën 1244 për të cilën ne vlerësojmë se nuk funksionon pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, tha Vllasi.

Por nëse nuk votohet Vllasi thotë se do të bëhen edhe disa tentime apo negociata.

“E dini siç veprojnë njerëzit e pushtetit tonë, i thërrasin të huajt, i kërcënojnë, ua dredhin veshët dhe e votojnë në seancën tjetër, menjëherë pas kësaj”, tha Vllasi.

I pyetur se ku qëndron arsyeja e hezitimit të deputetëve për të votuar këtë ligj, ai tha: “Dikush nga inati e bën, e këta janë të opozitës. Ndërsa prej radhëve të deputetëve të pozitës disa kanë edhe frikë nga kjo gjykatë se mos i prek ata. Ka pak demagogji dhe pak dinjitet personal”.

Nëse nuk miratohet ky ligj në Kuvendin e Kosovës, sipas Vllasit do t’ua bëjmë qejfin të tjerëve, në këtë rast rusëve.

“Mendoj që nëse ndodhë diçka problem në seancën e parë, në raundin e dytë do të kaloj. Nuk do të lejohet që këtë punë ta kryej Këshilli i Sigurisë së OKB-së sepse Kosova do të ishte në një pozitë më të keqe. Do të ngushtoheshin përkrahësit tanë ndërkombëtar si amerikanët, francezët, anglezët, ndërsa rusët do të ndjejnë një kënaqësi të madhe që në Këshillin e Sigurisë të votojnë për një vendim të tillë”, tha ndër të tjera, analisti Vllasi.

Ndërsa, sipas analistit Nexhmedin Spahiu, nëse ky ligj do t’i lihet OKB-së do të ishte një goditje e rëndë për shtetin e Kosovës.

“Vendet e Quintit janë të interesuar që ky ligj të votohet, por nëse do t’i lihej OKB-së atëherë kjo do të ishte një goditje shumë e madhe për shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht një rënie e reputacionit”.

Edhe Spahiu tha se opozita sigurisht se nuk do ta votojë, kjo për arsye se dëshiron t’i tregojë vendeve të Quintit se kanë kalkuluar gabimisht kur vendosën të pranojnë koalicionin PDK-LDK.

“Opozita sigurisht nuk do ta votojë për arsye shumë të thjesht, dëshiron t’i tregojë vendeve të Quintit se ka kalkuluar gabimisht kur ka vendosur të pranojë koalicionin PDK- LDK. Kurse një pjesë e deputetëve të PDK-së mund të mos ta votojnë për arsye sepse dikush mund të jetë i rrezikuar, i pakënaqur me pozicionimin brenda në postet qeveritare pas koalicionit PDK-LDK, kështu që e gjithë kjo e bën që një numër i tyre mos ta votojë”,përfundoi Spahiu. /Telegrafi/

Më Shumë

Totaj priti kryetarin e PDAK-së, Qazim Rahmani

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot kryetarin e subjektit politik PDAK, Qazim Rahmani, nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Danush Ademi dhe bashkëpunëtorët e...

Guardiola: Gara për titull është e hapur

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është shprehur i kënaqur me fitoren e thellë 4-0 në udhëtim te Brightoni. “Jap shumë merita sepse e njoh...

Lajmet e Fundit