26.8 C
Prizren
E diel, 22 Qershor, 2025

Gjykata Speciale nxit reagimet e para

Tashmë kur Gjykata Speciale ndodhet në prag të operimit të saj, riparimet e ligjit janë të pamundura në aspektin juridik dhe praktik. Këtë fakt e dinë mirë krerët politikë, andaj janë duke tentuar t’i instrumentalizojnë organizatat e dala nga lufta për llogaritë e tyre personale, me qëllim të destabilizimit të vendit në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, duke shpresuar që përmes trazirave ‘mjegullës’ artificiale të shpëtojnë lëkurën e tyre”, thekson analisti Florim Zeqa,raporton Gazeta Kosova Sot.

Befasia që ndodhi në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre nga parashtrimi i kërkesës për rikthim në rishqyrtim dhe plotësim të Ligjit për Gjykatën Specialen në Kuvendin e Kosovës, derisa ky ligj de fakto akoma nuk ka filluar të zbatohet, nga njerëz të politikës dhe analistë të fushës po shihet si një instrumentalizim i qëllimshëm nga politika të organizatave të dala nga lufta, për ta destabilizuar vendin në prag të fillimit të operimit të Gjykatës Speciale. Kjo kërkesë po shihet edhe si një sinjal serioz, që paralajmëron tërmet të madh në skenën politike të Kosovës nga fillimi i operimit të Gjykatës Speciale. Deputeti Adem Salihaj, nga LDK-ja, thotë se dyshon me bazë që kjo kërkesë është instrumentalizuar, ngase kundërshtimi kaq i fuqishëm nuk ka ndodhur as gjatë fazës së miratimit të saj në Kuvend.

“Ajo që ndodhi në seancën e fundit vërtet ishte një skenar shumë i çuditshëm. Të gjithë e dimë se Gjykatën Speciale e kanë votuar pothuajse të gjithë deputetët e PDK-së. Po ashtu e dimë se ajo që ndodhi në seancën e fundit, nuk ka mundur të ndodhë pa dijen dhe miratimin e Kadri Veselit, sepse askush nuk mund të hyjë në sallën e Kuvendit pa kaluar nëpër disa procedura. Pra, ardhja e përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta ishte një skenar për t’i shantazhuar dhe për t’i kërcënuar deputetët, ashtu edhe siç ndodhi”, tha deputeti Salihaj. Ai thotë se pas seancës ata kanë marrë edhe informacione plotësuese se si është bërë ky skenar nga vetë Grupi parlamentar i PDK-së. “Sipas informatave që morëm më vonë, i gjithë grupi i deputetëve të PDK-së ishte pjesë e këtij skenari”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Paralajmërim i tërmetit politik Edhe analisti politik, Florim Zeqa, konsideron se kërkesa për rikthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, përveçse e pakuptimtë, është jashtëligjshme dhe e pamundur të ndodhë.

“Çdo aprovim i Ligjit në Kuvend i ka afatet kohore të ankimimit dhe kundërshtimit ligjor. Pas skadimit të atij afati ligjet bëhen të plotfuqishme dhe të parevokueshme në aspektin ligjor. Andaj të gjithë ata që e votuan Specialen, deputetët dhe ata që e heshtën, strukturat e organizatave të dala nga lufta, ia pafshin hairin Gjykatës Speciale. Organizatat e dala nga lufta, atëherë kur duhej ngritur zërin kundër Speciales heshtën me urdhrin e shefave të tyre, ndërsa tani kur shefat e tyre ndihen të rrezikuar i kanë nxitur me kërkesa të vonuara”, u shpreh ai.

“Tashmë kur Gjykata Speciale ndodhet në prag të operimit të saj, riparimet e ligjit janë të pamundura në aspektin juridik dhe praktik. Këtë fakt e dinë mirë krerët politikë, andaj janë duke tentuar t’i instrumentalizojnë organizatat e dala nga lufta për llogaritë e tyre personale, me qëllim të destabilizimit të vendit në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, duke shpresuar që përmes trazirave “mjegullës” artificiale të shpëtojnë lëkurën e tyre”, tha Zeqa për “Kosova Sot”. Ai konsideron se një situatë e tillë tregon qartë për sinjalin e tërmetit të madh në skenën politike të Kosovë, që pritet të ndodhë me të filluar punën Specialja. “Vlerat e luftës çlirimtare nuk mbrohen, duke mbrojtur liderët e korruptuar dhe të inkriminuar politikë, të cilësdo ngjyrë politike qofshin ata. Organizatat e dala nga lufta, betejën për mbrojtjen e vlerave dhe pastërtisë së luftës së lavdishme çlirimtare duhet ta zhvillojnë jashtë Kuvendit të Kosovës”, tha analisti politik Florim Zeqa

Më Shumë

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit në autostrada

Policia e Kosovës bën të ditur se edhe të shtunën për shkak të garave çiklistike të organizuara nga Federata e Çiklizmit e Kosovës, do...

Bruno & Brentoni Home me super oferta që nuk duhen humbur në Prizren!

Bruno & Brentoni Home me super oferta që nuk duhen humbur! Kondicionerë inverter me çmime fantastike – më lirë se kurrë! Mos e humb mundësinë për...

Lajmet e Fundit