Të premten, pasi në njërën nga sallat po gjykohej kryetari i Prizrenit Ramadan Muja dhe dy gjykatoret tjera ishin të zëna me dy gjykime vrasjesh, seanca kundër Salim Jenuzit dhe Lulzim Rifajt, u mbajt në një zyrë të Gjykatës Themelore të Prizrenit.Në seancën e së premtes u dha fjala hyrëse nga prokurori dhe mbrojtësit e të akuzuarve.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore i ngarkon të pandehurit, se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Pas marrëveshjes së tyre paraprake, ata akuzohen se shpërdoruan pozitën e tyre zyrtare, duke tejkaluar kompetencat, në atë mënyrë që i akuzuari i parë Salim Jenuzi, në cilësi të kryetarit të Komunës në Dragash, urdhëroi drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që të bartë pronën shoqërore, patundshmërinë në sipërfaqe prej 29,7 hektarësh prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhim” në pronë të KK të Dragashit.
Pastaj këtë patundshmëri, i akuzuari Jenuzi ua dha në shfrytëzim pa ndonjë bazë juridike, personave fizikë – blegtorëve.
Prokurori , Mejdi Sefa, në fjalën hyrëse e arsyetoi aktakuzën e ngritur ndaj kryetarit të komunës së Dragashit dhe ish kryesuesit të asamblesë komunale.
Ai para trupit gjykues tha se aktakuza është e bazuar në prova të pranueshme për gjykatën dhe në dëgjimin e të dëmtuarve, ndërmarrjes “Sharr Prodhimi” dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndërsa avokati i kryetarit te Dragashit, Ruzhdi Berisha e kundërshtoi akuzën, me arsyetimin se e njëjta është e pabazuar në ligj dhe elementi thelbësor i veprës penale për të cilën akuzohet kryetari i Dragashit nuk ekziston.
“Elementi thelbësor i veprës penale për të cilën akuzohet kryetari i Dragashit është që të ekzistojë qëllim, dashje, duke përdorur autoritetin dhe pozitën që ka, t’i sjellë dobi pasurore tjetrit apo të shkaktojë dëm dhe asnjëra nga këto nuk ekziston” tha avokati Ruzhdi Berisha.
Sipas tij, fjala është për kalimin e regjistrimit të së drejtës së pronës nga “Sharr Prodhimi” në komunën e Dragashit, por tash kjo është zgjidhur krejtësisht ndryshe, pasi gjithë ajo sipërfaqe është përfshirë në Parkun Nacional të Maleve të Sharrit.
I akuzuari i dytë, Lulzim Rifaj, si kryesues i Kuvendit Komunal të Dragashit, paraprakisht e vë në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke bindur asamblistët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore me ligj i përket AKP-së.
Neni pesë i Ligjit për AKP-në, e përcakton këtë agjenci si administratore të ndërmarrjeve publike, pavarësisht nëse ndërmarrjes i janë nënshtruar ose jo transformimit.
Me këto veprime të akuzuarit thuhet se u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm material personave fizikë, në këtë rast blegtorëve, duke i shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi”.
Duke u bazuar në këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës zyrtare, ose autorizimit”, për të cilën vepër është paraparë maksimumi i dënimit deri në pesë vjet burgim.
Luzlim Rifaj, ish kryesues i Asamblesë Komunale thotë se akuza është e pabazuar, ndërsa sipas tij në këtë rast me kërkesën e më shumë se 1/3-ës së asamblistëve, kanë kërkuar që këtë çështje ta vënë në rend të ditës.
Rifaj mendon se ky është një vendim kolektiv nga asamblistët dhe është marrë në mënyrë unanime dhe në bazë të logjikës nëse ky veprim është i montuar nuk mund të ketë dënim kolektiv .
Sipas tij, kjo akuzë më shumë është ngritur për t’ia ulur prestigjin atij dhe kryetarit të Dragashit se ka vepër penale.
Seanca e radhës mbahet më 4 prill./Gazeta Jeta në Kosovë/