5.8 C
Prizren
E shtunë, 26 Nëntor, 2022

Gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, caktohet ekspertizë për vlerësimin e dëmit që i është bërë kësaj komune

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është aprovuar propozimi për caktimin e një ekspertize të ndërtimtarisë, për vlerësimin e dëmit që i është bërë Komunës së Prizrenit, në rastin ku ish-inspektori i ndërtimit, Nexhmedin Musliu, akuzohet për korrupsion.

Seanca e sotme filloi me leximin e shkresave të lëndës, ku si prova janë lexuar aktvendimi nr.04/351-96083 të 7 qershorit 2016 e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, po ashtu është lexuar akti- kushtet ndërtimore me nr.04-353-47147, e 18 maj 2016 si dhe shumë shkresa të tjera të lëndës të propozuara nga ana e prokurores Ervehe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të shkresave të lëndës, përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku deklaroi se pasi që në aktakuzë nuk është përcaktuar vlera e taksave të papaguara dhe se meqenëse kemi të bëjmë me faktin e tejkalimit të lejes ndërtimore, gjë që ia pamundëson Komunës që të përcaktojë vlerën e dëmit, pa nxjerrë vlerën me një ekspertizë përkatëse, me qëllim të përcaktimit të vlerës së dëmit.

Andaj, i propozoi gjykatës që të nxjerret një ekspertizë nga fusha e ndërtimtarisë, që të caktohet llogaritja e taksave komunale të papaguara.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi aprovoi propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar – Komunës së Prizrenit, avokatit Blerim Mazreku dhe se për këtë çështje do të lëshohet urdhëresë për ekspertin e ndërtimtarisë.

I akuzuari Nexhmedin Musliu deklaroi se Komuna në këtë rast nuk është dëmtuar për arsye se ka dhënë leje për B+P+2 dhe ky etazhitet parashihet për atë lagje, investuesi ka paguar lejen e ndërtimit për këtë etazhitet.

Dhe shtoi se në atë lagje nuk lejohet mbindërtimi dhe se mbindërtimi nuk e dëmton Komunën, por e dëmton siluetën e asaj lagje apo ambientit.

Ndërsa, avokati Mazreku deklaroi se pikërisht mbi pretendimin se nuk është dëmtuar Komuna ka propozuar edhe ekspertizën e cila do ta saktësohet se a është dëmtuar Komuna dhe në çfarë lartësie.

Pas kësaj, shqyrtimi i sotëm është shtyrë për 14 prill dhe 11 maj 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit