9.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026

Gjyqtari Artan Sejrani tërhiqet nga gara për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren

Gjyqtari Artan Sejrani, që aktualisht është Ushtrues Detyre i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, ka tërhequr kandidaturën e tij për pozitën e Kryetarit të kësaj gjykate, raporton Drejtësia Sot.

Tërheqja e gjyqtarit Sejrani nga kjo garë është bërë e ditur përmes një emaili që ky i ka dërguar anëtarëve të Komisionit për Intervistimin dhe Vlerësimin e kandidatëve për konkursin në fjalë.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, gjyqtarit Qerim Ademaj, në emailin e dërguar nga z. Sejrani është potencuar se i njëjti ka vendosur që të tërhiqet nga gara për shkaqe subjektive.

Ndryshe, sot, komisioni i udhëhequr nga gjyqtari Ademaj, dhe anëtarët Cerim Fazliji dhe Vilard Bytyqi, ka intervistuar kandidatin e vetëm për pozitën e Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, gjyqtarin Agron Hoxhaj.

Konkursi për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren ishte shpallur në bazë të vendimit KGJK.nr.15/2021, i datës 27 janar 2021, dhe i njëjti ka paraparë kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët që synojnë këtë pozitë.

Kësisoj, në konkursin që ka qenë i hapur nga 5 deri më 19 shkurt 2021, për kryetar të gjykatës mund të aplikonin vetëm gjyqtarët që vijnë nga radhët e asaj gjykate përkatëse duke përfshirë dhe degët.

Kandidati për kryetar të gjykatës duhet të plotësonte kriteret themelore si në vijim: të ketë të paktën tri (3) vite përvojë pune si gjyqtar, si dhe të mos ketë sanksion disiplinor me vendim të formës së prerë, përjashtimisht nëse ndaj tij është shqiptuar masa e qortimit ose vërejtjes jo-publike, në pesë vitet e fundit.

Kandidati për kryetar të gjykatës përveç profesionalizmit dhe kualifikimeve për kryerjen e funksionit, duhet të kishte aftësi dhe njohuri në kryerjen e punëve të udhëheqjes dhe organizimit brenda gjykatës si dhe integritet personal, që nënkuptojnë: njohjen e punëve të administratës gjyqësore; reputacionin të cilin kandidati gëzon nga ana e kolegëve gjyqtarë, komunikimin korrekt me palë dhe kolegë brenda gjykatës, gatishmërinë për bashkëpunim me organizata dhe institucione tjera dhe të qenurit kreativ në punë duke lehtësuar kështu punën e gjykatës.

Referuar konkursit, vlerësimi i aftësive të lartpërmendura bëhet edhe përmes intervistës me kandidatin për kryetar të gjykatës.

Kujtojmë që me vendimin KGJK.nr.102/2020, i datës 23 qershor 2020, KGjK kishte vendosur që ta caktonte Ushtrues Detyre të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, gjyqtarin Artan Sejrani, i cili ishte nënkryetar i kësaj gjykate.

Referuar dispozitivit të këtij vendimi, ishte vendosur që z. Sejrani të ushtronte këtë pozitë nga data 4 korrik 2020 deri në emërimin e kryetarit të ri nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Më Shumë

P.C Prizreni një hap larg finales së Ligës së Parë

Proton Cable Prizreni ka bërë një hap të madh drejt finales së Ligës së Parë, duke fituar bindshëm gjysmëfinalen e parë ndaj Istogut me...

Kirurgjia e kancerit të mushkërive e sigurt edhe për mbi 80-vjeçarët

Mjekët nuk duhet ta përjashtojnë automatikisht ndërhyrjen kirurgjikale për 80-vjeçarët me kancer të mushkërive në fazë të hershme, sipas një studimi të ri që...

Lajmet e Fundit