15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Gjysmë buke dhe një libër

Prej Fjalës së mbajtur nga Federico Garcia Lorca, në përurimin e bibliotekës së fshatit të tij të lindjes, Fuente Vaqueros (Granadë), në shtator të vitit 1931: Kur dikush shkon në teatër, në një koncert a në një festë çfarëdo lloji, nëse shfaqja i pëlqen i bien menjëherë ndër mend njerëzit e tij të dashur edhe i vjen keq që nuk ndodhen edhe ata aty.

“Sa do t’i pëlqente kjo sime motre, tim eti…”, mendon dhe e shijon atë shfaqje me një ndjenjë malli për ta. Ky është malli që unë ndiej jo për njerëzit e shtëpisë sime, që do të ishte i vogël e meskin, por për të gjitha qeniet njerëzore që për shkak të mungesës së mjeteve dhe për fatin e tyre të keq nuk shijojnë pasurinë supreme të bukurisë, që është jetë dhe është mirësi dhe është qetësi dhe është pasion. Prandaj nuk kam kurrë një libër, sepse i dhuroj gjithë sa blej, libra pa fund, dhe prandaj jam këtu i nderuar e i kënaqur të përuroj këtë bibliotekë të fshatit, me siguri e para në gjithë krahinën e Granadës.

Jo vetëm me bukë jeton njeriu. Unë, po të kisha uri dhe të isha i mbetur në rrugë, nuk do të kërkoja një bukë, por do të kërkoja gjys’ buke dhe një libër. Dhe prej këtu i sulmoj ashpërsisht ata që flasin vetëm për rivendikacione ekonomike, pa i përmendur kurrë rivendikacionet kulturore, për të cilat popujt kanë nevojë të domosdoshme. Nuk mjafton që gjithë njerëzit të hanë, por që gjithë njerëzit të dinë. Që gjithë të gëzojnë frytet e shpirtit njerëzor, sepse e kundërta do të thotë t’i shndërrosh ata në makineri në shërbim të shtetit, do të thotë t’i kthesh në skllevër të një organizimi të tmerrshëm social.

Mua më vjen shumë më keq për një njeri që do që të dijë dhe nuk mundet sesa për një njeri që ka uri. Sepse një njeri që ka uri mund ta shuajë urinë lehtë me një copë bukë, kurse një njeri që ka dëshirë të dijë dhe nuk i ka mjetet vuan një agoni të tmerrshme, ngase i duhen libra, libra, shumë libra, dhe ku t’i gjejë ata libra?

Libra! Libra! Ja një fjalë magjike që është baras si të thuash “dashuri, dashuri” dhe që popujt duhet ta kërkojnë siç kërkojnë bukën ose siç lusin shiun për të mbjellat e tyre. Kur shkrimtari i shquar rus Fjodor Dostojevski, at i Revolucionit rus më shumë se Lenini, ishte i syrgjynosur në Siberi, i veçuar bote, i mbyllur mes katër muresh e i rrethuar prej hapësirash të ngrira pa fund e anë, në letrën familjes së tij të largët i kërkonte ndihmë duke i shkruar: “Dërgomëni libra, libra, shumë libra, që shpirti të mos më vdesë!” Mardhte nga e ftohta dhe nuk kërkonte zjarr, kishte etje dhe nuk kërkonte ujë, kërkonte libra, domethënë horizonte, domethënë shkallë për t’u ngjitur në majën e shpirtit njerëzor. Sepse agonia fizike, biologjike, natyrore, e një trupi nga uria, nga etja a nga mardhja, zgjat pak, shumë pak, ndërsa agonia e shpirtit të pakënaqur zgjat për tërë jetën.

E ka thënë i madhi Menéndez Pidal, një nga me të vërtetë të diturit e Evropës, që parulla e Republikës duhet të jetë “Kulturë”. Kulturë sepse vetëm nëpërmjet saj mund të zgjidhen problemet ndër të cilat sot përpëlitet populli gjithë besim, por pa dritë. Prandaj ju nuk e dini se ç’gëzim të madh më shkakton rasti për të përuruar bibliotekën publike në Fuente Vaqueros! Një bibliotekë nuk është një grumbullim librash të grupuar e të klasifikuar, por është një zë kundër injorancës, një dritë e përhershme kundër errësirës.

Shkruan:Aurel Plasari

Më Shumë

Përvojë unike 360 gradë, publikohen pamje nga skena gjigante e Eurovisionit

Transmetuesi suedez SVT ka zbuluar skenën mbresëlënëse në Malmö Arena, në të cilën do të interpretohen 37 këngët e Eurovision Song Contest, i cili...

Parashtrohet kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës për aksidentin në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën...

Lajmet e Fundit