Lulzim Hoti nga “Green Fest”, ka bërë të ditur për KultPlus se në këtë festival do të prezantohen artistë përgjatë dy mbrëmjeve, sikurse që do të mbahet edhe edicioni i parë i panairit “Gjelbërt dhe Artizanateve 2016-edicioni i parë”.
Nga data 28 deri më 30 korrik “7 arte”, do të organizojë festivalin tradicional “Green Fest”, që këtë vit do të shënojë edicionin e gjashtë me radhë. Në këtë edicion “7 Arte” do të organizojë edhe panairin e “Gjelbërt dhe Artizanateve 2016-edicioni i parë”, shkruan KultPlus.
Organizatorët kanë bërë të ditur se në kuadër të këtij edicioni në “Green Fest”, do të prezantohen artistë të shumtë, nëpërmjet të cilëve edhe synohet sensibilizimi i opinionit kosovar për përkujdesje dhe vëmendje më të madhe ndaj mjedisit dhe të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Lulzim Hoti organizator i këtij festivali ka thënë për KultPlus se qëllimi kryesor i këtij panairi është që të mbështes dhe promovojë kreativitetin, të rrisë vetëdijesimin e konsumimit të produkteve vendore dhe të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm.
Ai më pas ka thënë se këtë vit, festivali do të pasurohet me një ngjyrim ekonomik, ku bizneset e vogla dhe të mesme nga industria kreative do të kenë rastin të promovojnë produktet e tyre. Artistët që do të performojnë në mbrëmjen e parë të këtij festivali që mbahet në Mitrovicë janë: Premenstrual Syndrome, Gipsy Groove, Shpat Deda, DJ Neritan, DJ Bekla, ndërsa në mbrëmjen e dytë do të ngjiten në skenë artistët si: Jutbina, BB Poqi & Armadillo, Asgjë Sikur Dielli, DJ Artan, Doroci.
Vendi ku “Green” do të argëtoj të rinjtë e Mitrovicës është platforma e palestrës “Minatori”, pranë urës kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë. Ndërkaq, në panairin “Gjelbërt & Artizanateve” , 15 ndërmarrje të vogla dhe të mesme vendore, OJQ të ambientit dhe ndërmarrës të industrisë kreative do të ekspozojnë dhe promovojnë produktet e tyre. Green Fest 2016 është mbështetur nga: Ambasada Amerikane në Prishtinë, Ambasada e Luksemburgut, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Mitrovicës – DKRS dhe Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./KultPlus.com