1.1 C
Prizren
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Grupi 403 dhe të tetëdhjetat e rokut në Kosovë

Nga: Blerim Shala (publikuar për herë të parë në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, janar 2003)

Përshtypja e parë që krijohet kur dëgjon CD-në e grupit “403”, të edituar pak ditë para se viti 2002 përfundoi, është që ne, brezi të cilit i takojnë edhe 403-shat, i kemi së paku 100 vjet jetë!

Kjo përshtypje nuk duket fare teprim kur dihet sa shumë vdekje kemi parë në jetën tonë.

Po flas për vdekjen e një sistemi (komunist), të një rendi ndërkombëtar (të Jaltës a “Luftës së Ftohtë”), të një shteti (RSFJ-së), të një okupimi (të Serbisë).

I ndjeri profesor [Fehmi] Agani, në ato çastet e fundit të Konferencës së Rambujesë, në episodin e marsit në Paris, kur përmendej rreziku që Serbia – në momentet e nisjes së fushatës së Paktit NATO – të fillojë me vrasjen edhe të anëtarëve të delegacionit të Kosovës, me atë sensin e tij të njohur të humorit i cili nuk e braktiste edhe atëherë kur ishte më së vështirë, na pat thënë: Edhe nëse vdes, do të kam çfarë t’i tregojë Zotit. Të jesh dëshmitar i vdekjeve të tri Jugosllavisë, nuk është pak.

Midis marsit ’81 dhe korrikut ‘90

Në të tetëdhjetat, kur në Kosovë u krijua një rok-skenë e qëndrueshme, ishte vështirë të paramendohet që për një duzinë vjetësh Evropa dhe bota do të ndryshojnë aq shumë.

Gjithçka rreth nesh dukej e amshueshme: Prej zymtësisë politike dhe kulturore, një paperspektive individuale, një establishmenti politik që s’dinte të gjendej fare në ato rrethana, komunizmit si rend shoqëror që nuk do të ndryshojë dot, Jugosllavisë si shtetit i cili dukej kobi i shqiptarëve. Në atë ambient ngulfatës kishte fare pak oaza ajri ku mund të merrje frymë më lirë. Njëra prej tyre ishte roku. Ishte një lloj strehimoreje prej letre dhe ne e dinim mirë këtë. Më kujtohet që me një rast fqinji im serb kishte lëshuar me të madhe radion ku transmetohej njëri prej “Mitingjeve të vërtetës”, të cilat njëmend ishin të tilla. Aty, ai askund më parë, tregohej fytyra e vërtetë e një regjimi dhe e një populli. Në atë pafuqinë time, i vura altoparlantët në dritare dhe lëshova The Sisters of Mercy.

Roku kosovar i të tetëdhjetave do të zhvillohet në mes dy gurëve kufitarë të cilët shënojnë, për Kosovën, dy çaste sipërore në historinë e re: 11 marsin e vitit 1981 dhe 5 korrikun e vitit 1990. Në marsin e 81-shit, Republika e Kosovës rrokullisej si kërkesë rrugëve të Prishtinës dhe të Kosovës. Në korrikun e 90-tës, ajo kishte zënë vend në Kuvendin e Kosovës.

Rok-ngjarja e fundit në platonë e Pallatit të Rinisë (atëbotë Qendrës “Boro e Ramizi”) u shënua më 5 korrik 1990. Nëse nuk harroj, ishte Migjeni (Kelmendi) me “Gjurmët”.

Ajo natë Prishtinën e kishte zënë me Kuvendin e suspenduar nga Serbia, pa televizion, pa radio, me një ankth i cili ishte futur në secilin prej nesh. Teksa dëgjohej refreni “Më trego si të bëhem hero …”, secili prej nesh përballej me dy konkludime: I pari ishte më i lehti, i bërjes-qejf-vetit që e tëra do të kalojë së shpejti, që bota tashmë do ta shohë sa janë të vrazhdë ata e sa jemi viktima ne. I dyti ishte më i vështiri dhe më reali: Nuk kemi ku të kthehemi prapa, kemi shpallur republikën, duhet ta jetësojmë me çdo kusht, pa marrë parasysh çmimin.

Më 2 korrik të vitit 1999, dhjeta-mijëra shqiptarë për herë të parë shënuan të lirë, rrugëve të Prishtinës, Ditën e Republikës.

Sizifi dhe Stonesat

Roku në Kosovë, deri në këto ditët e reja të pasqershorit të vitit 1999, ka pasur fare pak gjasa të mbijetojë. Të thuash, gjithçka ishte kundër tij. Të gjithë ata që i druanin ndryshimeve, mendonin që me një këngë, me flokë të gjata, me farmerka dhe me zhurmë altoparlantësh mund të prishet një rend (shtetëror, shoqëror, kulturor etj.), të cilit qëmoti i kishte skaduar afati i përdorimit. Rok-artistët shiheshin para së gjithash si rebelues, narkomanë, mbase edhe fundërrina. Ata, në anën tjetër, e dinin mirë që roku në Kosovë nuk mund të jetë biznes, që prej tij, këndejpari, nuk mund të jetohet (me fitime të majme) dhe as të vdiset (nga droga dhe fama). Të paracaktuar për dështim, ata, e dinin që këtu gurët më tepër kanë të bëjnë me Sizifin se sa me Stonesat. Megjithatë, atyre nuk ju durohej pa bërë pak zhurmë, sa për t’i thënë vetes dhe dëgjuesve që qetësia kosovare ishte një rend që po kalbej dita më ditës.

Rok-këngë dhe grupe ka pasur në Kosovë edhe para të tetëdhjetave. MAK-u i Haki Misinit madje fitonte shpërblime edhe në Akordet e Kosovës me folk-rokun, i cili i qepej trendit të hapur në ish-RSFJ-në nga Bijelo Dugme. Megjithatë, tek në të tetëdhjetat, nën ndikime të ndryshme të rokut (prej new wave-t deri te hard rock-u), këtu vendoset një rok-skenë me grupe të cilat do të qëndrojnë për vite, apo edhe për decenie (si “Minatori” i Naser Gjinovcit dhe Mufail Limanit).

Natyrisht, këtu nuk kam pretendime të bëj farë rekapitulimi të rokut kosovar në vitet e tetëdhjeta, i cili pati si përfaqësues më të denjë “Minatorin”, “Ilirët”, “Gjurmët”, “403”-shin, “Seleksionin 039”, “Lindjen” etj. Atëbotë, me fare pak albume dhe më shumë, me xhirime në RTP, këto grupe mundoheshin të dëshmojnë se në Kosovë mund të mbijetojë roku.

Rok-autorët e atyre viteve, zatën, si të gjithë ne të tjerët, për shkak të censurës e kishin vështirë të artikulojnë sinqerisht ndjenjat e tyre për kohën dhe për njerëzit. Me një metaforë, me një varg të ndërlikuar, me një porosi të fshehur, të mbështjellë me një mori vargjesh të kota, ata përpiqeshin “të thonë diçka”. Në fundvitet e tetëdhjeta, kur këtu u rrënua një sistem i rremë dhe u imponua okupimi i vërtetë, në atë periudhën tranzitore në pranverën e vitit 1990, rok-autorët si edhe të gjithë ne të tjerët, nisën të flasin pa dorëza (dhe me grushta të ngritur në shenjë revolte), për të keqtë që na kishte futur në thellësitë e honit. Kishte flirt me muzikën popullore (te “Minatori”, “Ilirët”, “Gurmët”), për të dëshmuar që roku dhe atdhetaria nuk janë në kundërshti, apo, për të depërtuar më lehtë në masë.

Pastaj, në vijim të 5 korrikut të përmendur, roku në masë të madhe ishte i margjinalizuar, tek tuk me ndonjë grup dhe ndonjë këngë të mirë.

Pas luftës, në Kosovë kemi gjithçka dhe çdo gjë. Edhe në rok dhe pop.

Udhëtimi në të kaluarën

Grupi “403” na dhuroi këto ditë CD-në e tyre e cila meriton të cilësohet si njëri ndër dy-tre albumet më të mira të edituara pas vitit 1999. Ky album ka 15 këngë, gjë që është dukuri shumë e rrallë te ne, ku zakonisht, të ashtuquajturat albume kanë tetë këngë. Është e vërtetë që në mesin e këtyre 15 këngëve ka shumë prej atyre që “403”-shin e kanë bërë grup shumë të rëndësishëm të të tetëdhjetave. Por, me produksionin e ri të Hektorit (Gjurgjialit), ato përbëjnë një tërësi dhe dëgjuesi i ri krijon përshtypje që albumi, i tëri, është rezultat i tre-katër vjetëve të fundit.

Për ne që jemi mocanikë të Hektorit, Mentorit dhe të tjerëve të “403”-shit, ky album është një udhëtim në të kaluarën, përkujtues i ngjarjeve të shumta të cilat lidhen me këtë apo atë këngë të “403”-shit. Nuk mund të kemi nostalgji për atë kohë, por gjithsesi po për njerëzit, për idetë, për përpjekjet që disi të lëvizen gjërat. Asokohe, “403”-shi dukej rok -grupi më me perspektivë kosovar i cili, për shkaqe të ndryshme, kurrë nuk arriti atje ku meritonte.

Thashë më parë se roku këtu nuk ofronte mundësi për ekzistencë. Rokerët kosovarë, dashur e pa dashur, u shpërndanë nëpër botë dhe nëpër profesione dhe fate të ndryshme.

Kështu, u desh të kalojnë vite të tëra që “403” të ribashkohen dhe të incizojnë këtë album.

Ne që duam të shohim albuma të mirëfilltë te rok-grupet tona, mund t’i gjejmë të meta të ndryshme këtij albumi. Ka gabime në bukletin e albumit, në tekste dhe në lekturë. Dikujt mund t’i duket që Hektori, në synimin e tij për një produksion të pasur të këngëve, di edhe ta teprojë, prandaj ato produksionet “e egra” të të tetëdhjetave (në disa këngë) na duken tutje më të bukura se këto të rejat. Megjithatë, në tërësi, ky është një album i shkëlqyeshëm, me këngë të cilat janë të paharrueshme. Ndër këto të rejat, posaçërisht spikaten “Engjujt nuk jetojnë në tokë” dhe “Qyteti im”.

Hektori me shokë, as sot, në rrethana shumë të mira, nuk mund të jetojnë nga roku.

Por, ky album tregon se roku ka jetuar këtu te ne qëmoti.

Ky album i “403”-shit, më parë albumi rekapitulues i “Gjurmëve” dhe “Minatori” me kontinuitetin e prodhimit të albumave, dëshmojnë se Kosova kishte rok të mirë në të tetëdhjetat. /Telegrafi/

 

Më Shumë

Suhareka hap dyert për mërgimtarët, siguron parkingje falas për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ai ka...

Moti sot: I vranët dhe me borë

Për të martën parashikohet të mbajë mot i vranët dhe pritet kohë pas kohe të ketë reshje lokale bore, kryesisht në sasi të pakta. Reshjet...

Lajmet e Fundit