24.5 C
Prizren
E shtunë, 15 Mars, 2025

Halloweeni i jonë

DitarShkruan: Ditar Kabashi

Nuk kishte si të shënohej më mirë Halloweeni i sivjemë. Maskarada pompoze filloi qysh një muaj më parë. Në vargun e përgatitjeve serioze sa më s’ka, sfilatës së maskave, për dallim nga vitet e kaluara, hyzmetin, më tepër ia bënë të rriturit, nganjëherë me kravata e nganjëherë pa to, ndonjëherë me miliona ‘të dhuruara’ e ndonjëherë ‘pa para, por me dashuri’, herë me këngë e valle e herë me figura që më s’jetojnë, herë me sjellje burrnore e herë çamarrokçe, por gjithsesi nën puhizën e lehtë të buzëqeshjes që, varësisht nga shfrenimi emocional, rrëshqiste deri në shfaqjen e 32 dhëmbëve vesh më vesh. Përkrahjen e të ‘mëdhenjve’ e ndjenë në sedër ‘të tjerët’, pretendent për t’u rritur.

Në gjithë këtë angazhim që po del të ketë kosto aq sa kalemi i hesapit s’e nxjerr dot, pjesa tjetër e njerëzve, mileti, detyrohet të përcjellë, luajë, e besa të ‘kënaqet’ me këtë valle, ritmi i së cilës ka kapluar gjithë vendin. Repertori i pasur jehoi cep më sep. Qytetet e ndriçuara si rrallëherë i jepnin një shije tejet të veçantë krejt kësaj hareje kolektive. Kalldrëmet e strukturuara enkas për këtë eveniment maratonik, tërheqnin vëmendjen e masës, e cila mbase mund të jetë motivuar për ditë më të mira.

E tërë kjo mund të forcojë besimin e të gjithëve se do të dilet mbanë me këtë organizim. Natyrisht, secili në emër të vet.

Dashamirët e festës, njëherësh ngadhënjyes potencialë sipas këndvështrimit të tyre, nuk kanë kursyer asgjë nga mundi për t’u dukur sa më ‘ndryshe’ nga njëri tjetri. Zatën kjo e bën festën të pakrahasueshme me tjerat.

Se kush e ka zgjedhur e përgatitur kungullin më të mirë, mbetet të shihet në mbrëmjen e vonë të së dielës, kur dhe juria profesionale të ketë bërë vlerësimin. Uroj që pjesëmarrësit të njohin rezultatin që del.

Fundja, Halloweeni është një lloj argëtimi pa bezdisje për mirëqenien e të tjerëve dhe kungulli i kësaj feste as që hahet bile.

Previous article
Next article

Më Shumë

31 vite nga vdekja e Charles Bukowski

Sot janë bërë 31 vite nga vdekja e shkrimtarit Charles Bukowski, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht te vitit 1920. Dy vjet...

Faza e parë e Olimpiadës së Gjuhës Shqipe zhvillohet në shkollat e Dragashit

Në të gjitha shkollat e Komunës së Dragashit, sot u zhvillua faza e parë e Olimpiadës së Gjuhës Shqipe me nxënësit e klasave të...

Lajmet e Fundit