Është i bindur se AAK-ja gjatë këtyre zgjedhjeve lokale do të fitojë komuna edhe jashtë rajonit të Dukagjinit. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë për Telegrafin se gjatë gjithë kohës është në terren dhe po e vëren rritjen e partisë së tij. Thotë se disa prej kundërshtarëve politikë po e vërejnë këtë dhe po bëjnë akuza, ndërsa përmend akuzën e Lëvizjes Vetëvendosje se AAK-ja është “parti e haraçit”.
“Lëvizja Vetëvendosje e bëri këtë akuzë në momentin kur ata e humbën orientimin, kur e humbën busullën. Ka pasur edhe zëra tjerë që na kanë nxjerrë epitetin e haraçit. Kështu mendojnë të gjithë ata që ndihen të rrezikuar prej forcimit të AAK-së. Ata do të mundohen të na gjejnë diçka, e kanë gjetur këtë epitetin e haraçit, që është rrenë e pastër e tyre”, ka thënë Haradinaj, ndërsa ka vlerësuar se nëse ka informata duhet ta identifikojnë njeriun që qet haraç dhe biznesit që i ka ndodhur, për t’i bërë publike.
Haradinaj ka thënë se i vjen keq për qytetarët jashtë Dukagjinit, sepse vendasit e dinë se çfarë respekti ka AAK ndaj sektorit privat. “Ata janë heronjtë tanë të rinj, ata që hapin vende të punës. Ata që krijojnë vlerë, kuptohet që kemi partneritet të afërt me ta”, ka theksuar Haradinaj.
Sipas tij, edhe kur ka ndodhur që dikush ka mundur të fshihet ose të shfrytëzojë përkatësinë partiake ose diçka të ngjashme, atëherë AAK është distancuar në mënyrën më të pastër dhe më të prerë.
“Ka plotë njerëz të Vetëvendosjes që na kanë thënë se nuk pajtohen me etiketimet se janë njerëz të haraçit. Këta janë njerëz që janë ‘dikushi’ në Vetëvendosje”, ka thënë Haradinaj, duke theksuar se një partneritet formal për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen është pothuajse i pamundur, për shkak se ata kanë marrë një drejtim që është duke i sjellë dëme vendit.
Duke komentuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, Haradinaj ka thënë se nuk mund të vlerësojë se sa është marrëveshja e mirë, por është për marrëveshjen për faktin që gjendja në veri nuk është e mirë edhe për faktin se po jepet mundësia për ta ndryshuar gjendjen atje.
“Unë mendoj se një pjesë e subjekteve politike, për agjendat e veta të imta janë kthyer në profiterë të imtë, përfshirë edhe njerëz në shoqërinë civile. Kjo për shkak se nëse e sheh që një gjendje për 13 vjet në veri ka mbetur e tillë, e sot nëse jepet mundësia për ta ndryshuar dhe nuk e ndryshon, nuk e kuptoj se kujt i shërbejnë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka vlerësuar se në institucionet e sigurisë, jo vetëm në veri, mund të kalojnë edhe persona me të kaluar të dyshimtë. Por, sipas Haradinajt, në momentin kur vërtetohet se nuk i plotësojnë parametrat për të mbetur në ndonjë institucion të sigurisë, kuptohet që vetvetiu ndërmerren masa ndaj tyre.
“Një gjë duhet ta dinë qytetarët e Kosovës, edhe komandanti i policisë në veri, Nenad Djuric, i ka kaluar disa filtra. Me siguri Djuric ka qenë bashkëpunëtor i Veselinovicit, por nuk dihet se kujt i shërbejnë bashkëpunëtorët më shumë. Mund të ketë qenë më bashkëpunëtor i mirë për të tjerët”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, çështja e sigurisë ende mbetet përgjegjësi e përbashkët e Kosovës, EULEX-it dhe e KFOR-it, prandaj nëse dikush kalon në litrat e tyre, kosovarët nuk duhet që të shqetësohen,shkruan Telegrafi.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme lokale, Haradinaj ka thënë se një pjesë e medieve AAK-në e trajtojnë ende në matematikat e vitit 2010. “Por, AAK-ja po rritet. Në shumë komuna, përpos atyre që i udhëheqim, sipas parametrave do t’i fitojmë në raundin e parë. Do të jemi fitues edhe në disa komuna të tjera, që janë goxha shumë. E kam problem t’i përmend se nuk dua të bëj diskriminim, por nuk janë më në Dukagjin”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shpjeguar se përveç koalicionit me LDD-në, kanë disa raste koalicion me grupe të organizuara të qytetarëve. “Mund të jenë intelektualët e qytetit, mund të jenë ose grupe të njerëzve që për arsye të ndryshme kanë vendosur të na përkrahin. Këta zakonisht nuk kërkojnë poste dhe privilegje, por vlerësojnë se ne jemi më të mirët”, ka theksuar lideri i AAK-së.
Haradinaj ka thënë se me anë të ofertës që i kishte bërë PDK-së për ta udhëhequr Qeverinë kishte vlerësuar se kualiteti qeverisës nuk mjafton.
Ai ka thënë se AAK është në politikë që nga viti 2000, dhe ka kaluar një situatë jo të lehtë politike për faktin që ai ka munguar gjysmën e kohës.