Banorët e fshatrave të Hasit nuk janë të kënaqur me përfaqësuesit në Kuvendin e Komunës dhe me punën e Qeverisë “Muja III”. Ata thonë se Hasi ka mbetur pas dore nga Muja, sepse asamblaistët që vijnë nga ky rajon dhe drejtorët e drejtorive që janë nga ky rajon më shumë po i shikojnë punët e veta sesa zgjidhjen e problemve më të cilët përballe hasjanët.
Sipas tyre, kujdesi për ta bëhet vetëm në kohë fushate, kur i kërkohet vota. Pastaj, asnjë kërkesë e tyrë nuk merret parasysh. Hasjanët thonë se përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Komunës po i mbrojnë vetëm interesat personale të tyre, por jo edhe të komunitetit që përfaqësojnë.
“Asambleistët që i kemi votuar kurrë nuk flasin për problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë. Ata po i këqyrin vetëm interesat e tyre personale”, thotë një banor i cili nuk dëshiron të identifikohet, duke thënë se i ka humb krejt shpresat në këtë përfaqësues në kuvend dhe drejtorët që janë nga Hasi në Qeverinë e Prizrenit.
Sipas tij, ata vetëm shikojnë se si t’i mbajnë nga dy apo tre vende të punës dhe të përfitojnë nga pushteti.
Ditë më parë Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja u përballë me shumë ankesa dhe kërkesa nga hasjanët.
Zenun Shehu nga fshati Planejë thotë se Komuna e Prizrenit nuk ka realizuar asnjë investim kapital në Planejë e Gorozhup. Sipas tij, zyrtarët komunalë asnjëherë nuk kanë komunikuar në mënyrë të sinqertë me banorët e këtyre dy fshatrave.
“S’di pse të bëjmë më kërkesa kur nuk merren parasysh”, thotë Shehu.
Edhe Bashkim Brahaj nga Gjonaj thotë se janë bërë tre vjet që prej se ka kërkuar që të rregullohet rruga që nga Kodra e Tupecit lidh Hasin me Atmaxhën e Prizrenin, por që asnjëherë nuk ka marrë përgjigje të merituar.
“Kërkesa është bërë në komunë disa herë që rruga fushore që ka ekzistuar të rregullohet. Është paraqitur me gojë, me shkrim, është protokolluar, por kurrë asnjë përgjigje s’kemi marrë”, thotë Brahaj.
Fejzë Kabashi nga Kabashi, ndërkaq tregon se zyrtarët komunal ishin zotuar se deri në vitin 2013 do t’i zgjidhnin problemet e këtij lokaliteti. “Ne pimë ujë të kontaminuar. Rrugët i kemi të paasfaltuara derisa as kanalizimi nuk është shtrirë”, shprehet ai.
Fadil Përvizaj nga Krajku ka bërë të ditur se furnizimi me ujë është problemi kryesor në këtë fshat, sikurse edhe mos asfaltimi i gjysmës së rrugëve, mungesa e trotuareve dhe institucioneve parashkollore.
Edhe Ismet Morina nga Kushnini ka shtuar se në trevën e Hasit që është lënë pas dore më së paku investime ka pasur në këtë fshat. “Tre apo katër rrugë kanë nis të ndërtohen dhe ka ngec puna. Asnjë përgjigje nuk e kemi marrë pse ngecin punët në Kushnin”, thotë ai.
Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja në debatin publik që ka mbajtur me banorët e fshatrave të Hasit është informuar për të gjitha këto probleme me të cilat përballen banorët e kësaj ane. Ai nuk është ndarë i kënaqur me shqetësimet që kanë ngritur banorët e këtij rajoni.
“Nuk është e vërtet që nuk kemi bërë asgjë për Hasin”, ka thënë kryetari Ramadan Muja./PrizrenPress.com/