19.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Heronjtë e luftës për bukë

Tema-libri-700x435Duke u bazuar në parimet për bamirësi, dashuri, tolerancë, paqe, drejtësi dhe pajtim, në vitin 1990 është themeluar Shoqata Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, në Kosovë. Aktivitetet e kësaj Shoqate që nga themelimi e deri në përfundim të luftës, janë përmbledhur në një libër “Rrezja e shpresës”, nga autorët Xhemajl Gërbeshi dhe Mark Nikaj. Libri u përurua të shtunën në hotelin ‘Swiss Diamond’ në Prishtinë

“Ne mendojmë se ajo çfarë bëjmë është vetëm një pikë uji në oqean. Por oqeani pa të, do të ishte një pikë më pak”. Është kjo një thënie e humanistes, nobelistes për paqe, shqiptares Nëna Terezë. Tërë jetën ajo ia kushtoi një misioni. Aty ku njerëzit janë të uritur, t’u çojë bukë. Nëna Terezë sot konsiderohet si portretizim i shpirtit humanitar. Ajo inspiroi krejt njerëzimin për paqe e ndihmë njëri-tjetrit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu i përket botës, por ajo mbetet simbol i shqiptarëve. Në emër të saj, në vitin 1990 është themeluar Shoqata Humanitare Bamirëse në Kosovë. Gonxhja ishte inspirim për shqiptarët në kohët më të vështira. Shumë vullnetarë iu bashkuan kësaj shoqate.

Ata punuan pa asnjë hak. Osman Krasniqi është vetëm njëri nga shumë njerëz solidar që u angazhuan për të ndihmuar nevojtarët. Në vitin 1992 është themeluar nëndega e ShHB “Nëna Terezë” në lagjen e ‘Matiçanit’ në Prishtinë. Krasniqi do të zgjidhej kryetar i saj. T’i japësh bukë dikujt, është sa madhështore, aq edhe e dhimbshme. Sot 72-vjeçar, ai shprehet krenar për punën që e ka bërë. Por ndihet keq kur i kujtohet gjendja e njerëzve të cilëve u ka ndihmuar. Krasniqi përmend një nga një emrat e bashkëpunëtorëve të tij.

“Që nga ajo kohë jemi marr me këto aktivitete, para, gjatë dhe pas luftës. Krejt punët e mia i lija keq, për me i ndihmua popullit”, shprehet Krasniqi. Në lagjen Mat, ish-‘Matiqan’, kanë qenë të regjistruar 80 nevojtar. Ndërkaq në kohën kur nis lufta në fillim të vitit 1998, në disa komuna të Kosovës si Drenicë, Gjakovë, Deçan, Klinë e të tjera, 200 familje të ikura nga këto qytete, strehohen në Mat.

“Është dashur me ua siguruar strehimin, ushqimin e materiale të tjera. Më së shumti kanë pas nevojë për gjëra ushqimore. Por në kohën e dimrit u dashke me u siguruar edhe dru e shporet”, shton Krasniqi. Gjatë verës, ai ka qenë i angazhuar që t’i shpërndajë rreth 1 mijë e 600 kubik dru për nevojtarët. Nga të gjitha këto, ai ishte shpërblyer nga Shoqata me 10 metra dru. Deri në vitin 1995, pothuajse të gjitha aktivitetet e tyre i kanë bërë në fshehtësi, pasi kanë qenë të ndjekur nga policia serbe. Pas këtij viti, Krasniqi tregon se si kanë ardhur ndërkombëtarët dhe i kanë evidentuar emrat e tyre, në mënyrë që të lejohen të punojnë në legalitet.

“Pasi na regjistruan, nuk kishim më probleme. Policia na kërkonte vetëm dokumentet. Por sigurisht, gjatë kohës së luftës kemi pasur vështirësi, sepse është dashur që në vatra lufte të dërgojmë ushqim për popullin e strehuar në fshatra si Mramurë. Kemi qenë edhe në rrezik jete a vdekje”, thekson Krasniqi.

Ai është vetëm njëri nga qindra aktivistë, emrat dhe aktiviteti i të cilëve është përmbledhur në një libër. “Rrezja e shpresës” i autorëve Xhemajl Gërbeshi dhe Mark Nikaj, përmbledh veprimtarinë e ShHB “Nëna Terezë” në komunën e Prishtinës nga viti 1990 deri më 1999. Gërbeshi konsideron se me themelimin e Shoqatës, në Kosovë u krijua sistemi paralel për mirëqenien sociale dhe në shëndetësi, për të mbrojtur jetën elementare njerëzore të rrezikuar nga regjimi serb.

“Vëllazërisht dhe bashkërisht i përballuam të gjitha vështirësitë dhe vuajtjet. Kështu u krijua ndjenja e përkatësisë së përbashkët, e bamirësisë dhe solidaritetit”, deklaron Gërbeshi. Ai shprehet modest për punën e bërë në libër. Thotë se është vetëm një përkujtim i thjeshtë i krejt asaj sakrifice. Megjithatë ka një mesazh.

“Edhe tani, si gjithmonë, ne duhet të vazhdojmë të forcojmë vëllazërimin dhe bashkëpunimin e sinqertë”, theksoi Gërbeshi. Mark Nikaj shton faktin se bamirësia dhe humanizmi i Nënës Terezë, ishin porosi të arta dhe shpresëdhënëse për ta.

“Shoqata punoi dhe vepro sipas parimeve të dashurisë, tolerancës, paqes dhe drejtësisë e pajtimit. Ndihmoi popullatën pa dallim race e feje në momentet më të vështira kur populli kanosej nga uria dhe nga veprimet antinjerëzore të pushtuesit serb”, pohoi Nikaj.

Gërbeshi e Nikaj meritojnë mirënjohje

Aktivisti politik i çështjes kombëtare gjatë viteve të ’90-a, Osman Vitija, njëherit drejtor i Shkollës Fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, e vlerëson autorin Gërbeshi si njeri që kreu detyrën në Shoqatë me dëshirë të madhe

“Në shpirtin e tij mbizotëron ndjenja humane, buruar nga Nëna Terezë”, konsideron Vitija. Ai thekson dy detyra kombëtare me të cilat ishte i ngarkuar Gërbeshi.
“Si kryetar i nëndegës së Shoqatës në Hajvali, falë tij dhe bashkëpunëtorëve, vetëm gjatë luftës strehuan 1234 persona të cilëve edhe iu ofruan ushqim e gjëra të tjera të nevojshme. Ndërkaq, si sekretar i LDK-së në Degën e Hajvalisë, ai evidentoi çdo formë të represionit serb ndaj popullatës shqiptare përmes shtypit ditor dhe jashtë Kosovës përmes Zyrës së Informimit të Kosovës pranë LDK-së”, deklaroi Vitija.

Ai shprehu mirënjohjen për aktivitetet e Gërbeshit e Nikajt, si dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tyre në Shoqatë.
“Gërbeshi ka sprovuar vetën me shkrime që në shkollën e mesme. Më vonë, përveç shkrimeve gazetareske, ai është marrë edhe me përmbledhje veprash. Ne bashkëqytetarët e Xhemës, jemi krenar me kontributin e tij. Shpresojmë se do të kemi edhe vepra të tjera nga ai”, përfundoi Vitija.

Ramiz Bala tha se puna e Gërbeshit dhe Nikajt meriton respekt e mirënjohje nga gjeneratat e ardhshme.
“Ky libër është një përkujtues për ata që përjetuan katrahurat e kësaj periudhe, por edhe për gjeneratat e reja që të mos harrojnë të kaluarën. Libri është edhe një motiv për njerëzit që të veprojnë në situata e rrethana të caktuara kur të tjerët kanë nevojë”, u shpreh Bala./tribuna/

Më Shumë

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës me stërvitje të përbashkët

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët më 7 maj, në stërvitjen e quajtur “Golden Saber 2024”. KFOR-i ka njoftuar se...

Ylli shpallet kampion i Ligës U14 te meshkujt

Golden Eagle Ylli është shpallur kampion i Ligës U14 te meshkujt. Në finale ka mundur Grapeland me rezultat 77:60 dhe në edicionin e ardhshëm do...

Lajmet e Fundit