GREGORY CORSO
Gregory CORSO (1930-2001) ishte një ndër poetët më të shquar të brezit bit. Formimin formal e kishte përfunduar në klasën e gjashtë. Kishte pasur një fëmijëri shumë të vështirë, duke jetuar te farefisi dhe në qendra riedukuese. Në moshën 17-vjeçare bie në burg për hajni dhe gjatë atyre dy vjetëve në burg ai do ta zbulojë magjinë e të lexuarit dhe të shkruarit kur për herë të parë i bie në dorë romani Vëllezërit Karamazovë. Gjatë qëndrimit në burg kishte rënë në “dashuri” me veprat e Th. Chattertonit, Ch. Marlowe dhe P. B. Shelley. Kjo e formoi atë së pari si individ, pastaj edhe si shkrimtar. Doli nga burgu në moshën 20-vjeçare, me një bagazh librash të lexuar në kokë.
Librat më të rëndësishëm të tij janë: The Vestal Lady and Other Poems (1955), Gasoline (1958), The Happy Birthday of Death (1960), Long Live Man (1962), Elegiac Feelings American (1970), Herald of the Autochthonic Spirit (1981), Mind Field (1989), Mindfield: New and Selected Poems (1989).
HOQA DORË
Hoqa dorë nga qielli
së bashku me të gjitha yjet planetët hënat
si dhe retë erërat e motit
formacionet e aeroplanëve, migrimi i zogjve…
“Në asnjë mënyrë!” bërtitën pemët:
“Zogjtë janë tanët kur janë në transit; nuk mund ta bësh atë!”
Kështu që hoqa dorë edhe nga pemët
dhe toka ku banojnë
dhe të gjitha ato gjallesa që rriten e zvarriten mbi të.
“Prit pak!” kundërshtuan detet e çuara peshë:
“Brigjet janë tonat, pemët janë për të ndërtuar anije për kantiere detare,
tonat, nuk mund t’i heqësh qafe aq lehtë!”
Kështu që hoqa dorë nga detet
dhe nga të gjitha gjallesat që notojnë në to që lundrojnë në to…
“Në asnjë mënyrë!” murmuruan zotat:
“Krejt këto që po i largon ti janë tonat! Të gjitha i kemi krijuar ne, bile edhe çiftët si ti!”
Kështu që hoqa dorë edhe nga zotat.
SHUMË PREJ TYRE KANË RËNË
Në vitin 1958 u mora me profecinë
më të vështirë: Dita e gjykimit të madh
U bë e ditur në poezinë e lezetshme të titulluar BOMBA
që përfundonte kësisoj:
Ta dish se në zemrat e njerëzve që do të vijnë
do të lindin më shumë bomba
…po në jetën tonë do të bjerë një bombë
E pra, 20 vjet më vonë
jo një, por 86 bomba, bomba atomike, kanë rënë
Ne bombarduam Utahun, Nevadan, Nju Meksikon
dhe të gjithë mbijetuan
…deri dy dekada më vonë
kur të vdekurit më në fund vdiqën
NDËSHKIMI VDEKJEPRURËS
Kujtoj Polifemin duke ulëritur nga dhimbja
të ulur lart në shkëmb
duke i tundur këmbët e rrezitura në ujë
duart e tij të ngathëta shtrëngojnë fort syrin e djegur
Dhe ma merr mendja se ai do të mbetet ashtu
sepse është e pamundur që ai të vdesë –
Uliksi ka vdekur
deri tash ai ka vdekur
Dhe sa i mençur ishte ai
i cili verboi një gjë të pavdekësisë?
ARRITJA DERI TE POEZIA
Kam jetuar nga zemërgjerësia e hebrenjve dhe vajzave
nuk kam asgjë
dhe nuk dua gjë
Unë shkruaj poezi nga shpirti
për shpirtin
dhe kam gjithçka
Fati i poetit është sipas zgjedhjes
dhe unë e kam zgjedhur
dhe jam goxha i kënaqur
Një ëndërrues i dehur në realitet
është një kontradiktë e tmerrshme
Të dashurit largohen prej meje
dhe unë bëhem i kërkuar
Vetëdiagnostikim:
Legjendë e gjallë pa asnjë dyshkë
ka nevojë për para
ose duhet të shkruajë më shumë poezi
ose të dyja
Nëse ke mundësi të zgjedhësh
midis dy gjërave
dhe nuk mund të vendosësh
merri të dyja
Nuk është në rregull që unë të jem kërkues
Marr stilolapsin tim
Unë shurroj flori të bardhë
Dhe në mur
Shkruaj:
Ishte aty
gjithmonë aty
imtësisht i përfshirë
në një dorë të hapur
Jashtë
një dallëndyshe e rënë
shënon të martën
O zemra ime! Së fundi,
më në fund
jam në paqe
Lufta gjysmëshekullore
me të cilën jam ballafaquar
si një bushman afrikan
sakatimi i bushmastersëve ka mbaruar
Unë do të jetoj
dhe kurrë nuk do ta di vdekjen time
CILËSIA E RUAJTJES
Netët e këqija të dehjes
i bëjnë ditët për të të ardhur keq
Nata e mbrëmshme ishte e damkosur me frikë
unë ose bota e kishim krejt gabim
Sot në erë të fortë dhe shi
unë qëndroj në urën e Putneyit
duke ua hedhur biskotat Ritz mjellmave
rosave dhe pulëbardhave poshtë
duke siguruar veten time:
ditën ose natën
ti je krejt në rregull
(Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)