13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Hoti, futbollisti që synon ligat e forta dhe është mes Kosovës e Shqipërisë

Florent Hoti u lind në qytetin e Manchesterit nga prindër shqiptarë nga Kosova e Shqipëria. Hoti ka shumë rrugë për të zgjedhur kur vjen puna për ta përfaqësuar një shtet. Shqipëria ishte e para që e bëri lëvizjen duke e thirrur atë në Përfaqësuesen U-21 së fundmi. Hoti nuk e pati të mundur të udhëtonte për shkak të masave të koronavirusit, ndërsa nuk e ka lënë pa i përmendur opsionet që i ka. Ai ka thënë se mund të zgjedhë edhe mes Kosovës e Anglisë.

“Cilado rrugë që është më e mirë për mua, do ta marrë”, ka thënë Hoti për “Thecourier.co.uk”. “Shqipëria U-21 ka disa lojtarë të mirë të rinj dhe rruga për të luajtur me ekipin e parë është aty – i sheh disa lojtarë të rinj që nuk kanë frikë të luajnë me ta. Dua që edhe unë të luaj në nivelet më të larta, në majat e futbollit. Dua që të luaj në ligat më të forta, në përfaqësuese, të luaj për ekipin A të Shqipërisë ose Kosovës, atje dua të jem”, shtoi Hoti.

Ai thotë se ka mundësinë e zgjedhjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Prindërit e mi ma lejojnë që të luaj për të dyja ekipet”, tregon Hoti për prejardhjen e tij. “Kosova u bë e pavarur në vitin 2008 dhe për këtë arsye unë mund të luaj për të dy vendet. Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës janë të njëjtë, me të njëjtën kulturë dhe gjuhë. Janë shtete të ndryshme, por jemi të njëjtë. Është pak e vështirë për t’u kuptuar kjo situatë pasi edhe bashkëlojtarët nuk e kuptojnë mirë. Kur e postoj një fotografi në ‘Instagram’ duke i përkrahur të dy ekipet, më thonë të zgjedh njërin. Por, të dyja janë shtetet e mia”.

Florent Hoti në nivelin ekipor u transferua nga Rochdale, që bën gara në divizionet e ulëta të Anglisë te Dundee Unitedi në elitën e futbollit skocez. Këtë lëvizje, Hoti e bëri vitin e shkuar dhe me Dundeen firmosi kontratë dyvjeçare. Transferimi i tij bëri bujë të madhe në Skoci, ndërsa debutimin e bëri në vikendin e shkuar, ndaj Hamiltonit. 20-vjeçari u inkuadrua në mesfushë për 20 minuta, në duelin që ekipi i tij e fitoi në udhëtim me rezultatin 1:0. Megjithatë, ai gjatë gjithë kësaj kohe kishte punuar fort për ta fituar besimin e trajnerit Micky Mellon, që e vlerëson lart futbollistin kosovar. Hoti, i cili e përshkruan veten si një mesfushor me teknikë të madhe, ka qenë i durueshëm mjaft shumë. Hoti u huazua nga tetori i vitit të kaluar deri në fillim të këtij viti në League One te skuadra Forfar Athletic, që është kundërshtari i të premtes në Kupë i Dundee Unitedit, në mesin e 16 skuadrave më të mira në këtë garë. Më herët në këtë sezon, Forfar Athleticu i dha Hotit shijen e futbollit skocez. Pasi refuzoi të mbetet në Spotland për ta vazhduar rritjen e tij, ai është i etur për të arritur sa më shumë.

“Është moment krenarie për mua, sepse kam pritur kaq shumë gjatë dhe e gjithë ajo punë e madhe, brenda dhe jashtë fushës, më jep motivim për të vazhduar”, tha Hoti. “Kur trajneri ma thirri emrin mendova: Ai po më beson për 20 minuta dhe pas ndeshjes isha shumë i lumtur për këtë”.

Megjithatë, Hoti nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq pasi synon të ketë minutazhë edhe në ndeshjet e tjera. Vlerësime pozitive për Hotin ka dhënë edhe vetë trajneri Mellon. Ai ka thënë se Hoti është një futbollist shumë i talentuar.

“Debutimi i tij ishte i rëndësishëm. Kam thënë gjithmonë se ai që e meriton të luajë dhe në momentin që mendojmë se mund të ndikojë në lojën tonë, ai do të luajë. Florenti po troket në derë tash e një kohë të gjatë dhe ia dhurova mundësinë në rastin e parë që e pata. Ai hyri dhe tregoi se është një djalosh premtues. Është shumë i talentuar me të vërtetë”, theksoi trajneri Micky Mellon për Hotin.

Për Hotin do të ishte më e lehtë që ai të qëndronte në Rochdale, vendin të cilin e quajti “shtëpi” për afro një dekadë. Megjithatë, mesfushori me ambicie të mëdha, dhe kalimin te Dundee, e ndjeu si rrugën e duhur për progres në karrierën e tij.

“Kam debutuar në moshën 17-vjeçare dhe kam luajtur disa ndeshje. Mu ofrua kontrata profesionale, por në atë moment nisa të mendoj për ardhjen këtu. Isha shumë i ri kur isha atje, por mendova se është një sfidë të cilën desha ta merrja. Kam qenë në Rochdale që nga mosha nëntëvjeçare dhe i njihja të gjithë. Por më duhej një sfidë e re. Është ndeshja e parë në Premiershipin e Skocisë – ka qenë hapi i duhur për mua”, përfundoi Hoti.

Më Shumë

Milani përgatit kontratën e re për Theo Hernandez

Gjigantët e Serie A, Milan-i po mendojnë të rinovojnë kontratën e Theo Hernandez, ndërsa interesi i Bayern Munich rritet më shumë. Sipas një raporti nga...

Gjendet në humnerë personi që u raportua si i zhdukur në Prevallë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur burri nga Ferizaj, i cili ishte raportuar si i zhdukur dje. Policia ka bërë me dije se...

Lajmet e Fundit