Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme shkaku i COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur pas një takimi virtual me krerët e komunave të Kosovës.
“I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Gjithashtu Këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë, përfshirë këtu edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, raporton KOHA.
“Këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarit”, ka thënë Sazan Ibrahimi prej Asociacionit të Komunave, pas mbajtjes se takimit virtual me kryeministrin Hoti.
Hoti gjithashtu ka deklaruar se Qeveria është e angazhuar në krijimin e kapaciteteve shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj.
“Do të na duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë. Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar Hoti.