14.8 C
Prizren
E enjte, 19 Shtator, 2024

Humbja kot e dy viteve të plota

Kthim prapa për të ecur para.

Me një fjali fare të shkurtër mund të përmblidhet paraqitja mediatike të premtën në mbrëmje (13 shtator) e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vu?i?, e cila (konferencë për shtyp) në paralajmërimet e saj ofronte ‘dridhje tektonike’ në sigurinë e kësaj ane të Evropës (duke e deklaruar Kosovën si territor të okupuar), teksa në fund mori trajtën e një ligjërimi të rregullt të liderit serb për raportet Serbi – Kosovë dhe Serbi – Perëndim.

Shkruan: Blerim Shala

Vu?i? pra para gazetarëve shtroi një sërë kërkesash, të cilat synojnë ta kthejnë gjendjen në Veriun e Kosovës aty ku ka qenë me 5 nëntor të vitit 2022 (gati para dy viteve), kur me vendimin e tij (dhe të askujt tjetër), politikanët, policët, gjykatësit, prokurorët, nëpunësit serbë që ishin integruar në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, u larguan prej këtyre institucioneve.

Nuk kishte gjë të rastësishme këtu.

Në këtë mënyrë, Vu?i? bëri aktin e shkëputjes politike, juridike, policore të Veriut të Kosovës, pak kohë pasiqë Franca dhe Gjermania kishin lansuar nismën e tyre për t’i bindur Kosovën dhe Serbinë që të dakordohen për një Akord të përkohshëm, i cili do të luante rolin e një ’transportuesi’ drejt Marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Kjo ishte përgjigjja e mirëfilltë e liderit serb ndaj kësaj iniciative.

Skenari i Vu?i?it parashihte tensionimin e skajshëm të raporteve në mes të popullatës serbe të Veriut dhe pushtetit të Kosovës, bojkotimin e këtij pushteti, mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, për të arritur tek ai akti final i konfrontimit të armatosur me forcat policore kosovare.

Kjo do të ndodhë me 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të komunës së Zveçanit.

Pra, 5 nëntori i vitit 2022 ishte pikënisje për të mbërri tek 24 shtatori i vitit 2023.

Sikur të sendërtohej Plani i Serbisë, vjeshta e vitit të kaluar, do ta gjente Veriun e Kosovës në fillet e para të ndarjes së pakthyeshme nga Kosova.

Nuk do të kishte pra Banjskë, pa atë aktin e Presidentit të Serbisë që të ndodhë prishja e të gjitha lidhjeve të krijuara me mund, në mes të qytetarëve serbë dhe pushtetit të Kosovës, pas Marrëveshjes së Brukselit (2013), përmes të të cilave synohej integrimi i plotë i kësaj pjese të vendit.

Vu?i? dhe pushteti i Serbisë dolën njënashëm nga Marrëveshja e Brukselit (e vitit 2013) në nëntorin e vitit 2022, teksa me këmbënguljen në këtë qëndrimin e tyre, ata, objektivisht, pamundësuan zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe të Aneksit të Ohrit.

Përmbajtja e paraqitjes të Vu?i?it para mediave është një konfirmim shumë i vonuar i tij i dështimit të madh të kësaj politike që i ka lënë serbët e Veriut të Kosovës pa pushtet, pa polici, pa gjyqësi, dhe i ka shfrytëzuar ata për të krijuar rrethana për një konfontim të ri ushtarak në këto anë të Evropës.

Vu?i? megjithatë, siç u pa në këtë konferencën për media të së premtës në mbrëmje, po sillet thuajse ai vet nuk ka kurrfarë përgjegjësie për këtë dështim të madh politik dhe të sigurisë të Beogradit, i cili bëri që gjendja në këtë pjesë të Kosovës të pësojë ndryshime të mëdha në dy vitet e fundit.

Ai, për këtë shkak, tani dëshiron ta kthejë situatën në katër komunat veriore e cila ka qenë në fuqi deri me 5 nëntor të vitit 2022, por poashtu, synon t’i zhbëjë të gjitha zhvillimet në Veriun e Kosovës të cilat kanë ndodhur më pas, para se të gjithash në vijim të përgjigjeve legjitime të pushtetit të Kosovës ndaj vakumit politik dhe të sigurisë që u prodhua prej Vu?i?it.

Diçka e tillë është e pamundur për shumë shkaqe, sepse rrjedhat politike nuk kthehen mbrapsht apo nuk zhbëhen, mësa që nuk mund të kthehet mbrapsht rrjedha e një lumi.

Me gjasë, këtë e di edhe vet Presidenti i Serbisë. Por ai mendon që disi do të mund ta mjegullojë të vërtetën për dështimet e tij epokale në trajtimin e gjithë procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe të vërtetën për mashtrimet që ua ka bërë serbëve të Kosovës në përgjithësi./Klan Kosova.

Më Shumë

Aliu: Rruga Prizren-Tetovë ndihmon zhvillimin e turizmit, është interes i të dyja shteteve

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë për Ekonomia Online se janë në pritje të Maqedonisë së Veriut për fillimin...

Haradinaj përgëzon Suharekën për përurimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”

Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vizitoi sot Suharekën dhe vlerësoi përkushtimin e komunës për zhvillim dhe progres. “Sot pata kënaqësinë...

Lajmet e Fundit