16.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

I akuzuari: Nuk e kërcënova prokurorin, Besim Susuri

I akuzuari Eshref Qafleshi, të mërkurën, gjatë gjykimit të tij për kanosje ndaj prokurorit Besim Susuri, ka deklaruar se nuk e ka pasur për qëllim ta kanosë prokurorin Susuri kur i ka thënë atij “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi”.

Gjatë seancës, gjyqtarja e rastit, Ilirjana Hoti, e ka pyetur të akuzuarin Qafleshi, se çka ka dashur të thotë me fjalët “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi” kur i është drejtuar të dëmtuarit në këtë rast, Besim Susurit.

I akuzuari është shprehur se me këto fjalë ka dashur të thotë se “do ta shohim më vonë nëse ai i ka 16 vepra penale”, ashtu siç kishte pretenduar i dëmtuari në këtë rast, Besim Susuri, i cili ka qenë prokuror gjatë një seance, ku i akuzuari ka qenë palë e dëmtuar.

I akuzuari Eshref Qafleshi gjatë mbrojtjes së tij, ka thënë se në ditën kritike, deri sa po përfundonte seanca gjyqësore ku ai kishte qenë palë e dëmtuar, i dëmtuari në këtë rast, Besim Susuri, në cilësinë e prokurorit i është drejtuar me disa letra në dorë duke i thënë “kjo është dosja jote super kriminale”.

Ai tutje ka deklaruar se kur i ka dëgjuar fjalët e vazhdueshme të të dëmtuarit se ai ka dosje të madhe kriminale, i është drejtuar atij me fjalët “kjo nuk qëndron, është shpifje dhe se do ta shohim se kush është Eshref Qafleshi”.

Para se i akuzuari ta jepte mbrojtjen e tij, ka dëshmuar gjyqtarja Sabaheta Kurteshi, e cila ka qenë gjyqtare në rastin në të cilin pretendohet se ka ndodhur kanosja, e cila ndër të tjera ka thënë se ka kaluar një kohë e gjatë andaj mbetet pranë asaj që ka shkruar në procesverbal në ditën kritike.

Dëshmitarja tutje ka thënë se në ditën kritike, pasi kishte përfunduar seanca gjyqësore dhe ishte nënshkruar procesverbali nga palët, i akuzuari Qafleshi i është drejtuar të dëmtuarit Susuri, me fjalët “do të kërkoj përjashtimin tënd si prokuror i rastit sepse nuk ke qenë korrekt” dhe “ke me pa se kush është Eshref Qafleshi”.

Ajo për fund ka thënë se pasi që kompjuteri ishte ende i ndezur, ka vazhduar të shkruajë në procesverbal të seancës, krejt çfarë ka ndodhur në atë moment dhe se ka urdhëruar të akuzuarin  që të mos largohet, por se ai nuk e ka dëgjuar dhe është larguar nga objekti i gjykatës.

Pas përfundimit të mbrojtjes nga i akuzuarit, mbrojtësi i tij, avokati Adem Jetishi, ka kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të ndërpritet në mënyrë që t’i jepet kohë për të përgatitur fjalën përfundimtare, ndërsa prokurori i rastit, Ismet Tofaj, nuk e ka kundërshtuar një kërkesë të tillë të avokatit.

Gjyqtarja Hoti ka aprovuar kërkesën e avokatit Jetishi, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, ndërsa seanca e radhës, në këtë rast penal, do të mbahet më 27 prill 2018, në ora 14:00, ku palët në procedurë do të prezantojnë fjalët e tyre përfundimtare.

Sipas aktakuzës, Eshref Qafleshi, akuzohet se më 8 qershor 2016, gjatë mbajtjes së një shqyrtimi në Gjykatën Themelore në Dragash, ku ishte palë e dëmtuar, seriozisht e kanosë prokurorin Besim Susuri, ku fillimisht përdorë fjalë fyese ndaj prokurorit e më pas edhe e kanosë me fjalët “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi”, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këtë dyshohet të ketë kryer veprën penale të “kanosjes” nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Demaskimi i Deepfake Phishing-ut: Mbrojeni veten nga taktikat e reja të bazuara në IA

nga Dren Gërguri Phishing-u nuk është fenomen i ri, është përdorë për dekada të tëra, për të hakuar ose për të depërtuar apo për t’u...

Në Gjonaj të Hasit sot nis festivali “Hasi Jehon”

Në Gjonaj të Hasit sot (e enjte) në ora 19:00 nis edicioni i 35-të i Festivalit Folklorik “Hasi Jehon 2024”, shkruan PrizrenPress. Festivali do të...

Lajmet e Fundit