11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Ish-kryetari i Malishevës deklarohet i pafajshëm për korrupsion, prokuroria thotë se do të vërtetohet fajësia e tij

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili po akuzohet për korrupsion, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë. Ndërsa, Prokuroria pretendon se do të vërtetohet fajësia e tij.

Begaj akuzohet se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Begaj u deklarua i pafajshëm për veprën penale me të cilën e ngarkon prokuroria.

Më pas, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse dhe dëgjimin e të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit Bilall Rudi.

Prokurori special Naim Abazi fjalën e tij hyrëse e dorëzoi me shkrim dhe të njëjtën e elaboroi shkurtimisht gjatë seancës.

Sipas prokurorit Abazi, pas zhvillimit të procedurës gjyqësore dhe administrimit të provave të propozuara, do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza që ai përfaqëson.

I dëmtuari Rudi, deklaroi se në një mënyrë e konsideron veten të dëmtuar dhe se për kërkesën pasurore-juridike do të deklarohet më vonë.

Në fjalën e tij hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Begaj, avokati Emrush Kastrati deklaroi se e kundërshton në tërësi aktakuzën e prokurorisë.

“Pala mbrojtëse edhe në këtë fazë të procedurës në tërësi e kundërshton aktakuzën e prokurorit special që është objekt i këtij gjykimi, konsiderojmë se dispozitivi i saj është në kundërshtim me vetveten dhe nuk sqaron saktë veprimet inkriminuese të të mbrojturit tim”, tha Kastrati.

Avokati deklaroi se në aktakuzë nuk është përcaktuar as vlera e dëmit të palës së dëmtuar dhe se është një përshkrim i debatit të vazhdueshëm të Asamblesë Komunale në Malishevë.

Kastrati tha se kjo aktakuzë i ngjan një aktakuze politike sesa ndonjë veprimi inkriminues, kjo pasi që sipas tij se ajo ka ardhur si rezultat i debatit politik lidhur me ndërtimin e shkollave që janë objekt i kësaj aktakuze.

Avokati shtoi se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor, gjykata do të bindet se veprimet apo mosveprimet e të mbrojturit të tij nuk formojnë elementet e veprës penale, pasi që në këtë rast askush nuk ka fituar kundërligjshëm dhe se në këtë rast përfitues të vetëm janë nxënësit e shkollës.

“Paraja publike është përdorë pikërisht për interesin publik”, tha avokati, duke shtuar se qëllimi kryesor ka qenë përfitimi i nxënësve.

Pas dhënies së fjalës hyrëse, u dëgjua i dëmtuari Bilall Rudi, i cili ishte ftuar në cilësi të dëshmitarit për t’u dëgjuar gjatë kësaj seance.

Dëshmitari tha se zyrtarët e komunës i kishin kërkuar ta lirojnë një pjesë së pronës së tyre rreth 8 ari.

Ai tha se ai nuk ishte pajtuar, mirëpo vëllezërit e tij kishin pranuar ndërtimin e shkollës në atë pjesë, me kusht që e njëjta pronë të kompensohet nga Komuna e Malishevës, jo me të holla por me pronë.

Ai tha se kishte pasur marrëveshje gojore, fillimisht me zyrtarë komunal, por që marrëveshjen përfundimtare e kishte pasur me të akuzuarin Begaj, që të bëhej ndërtimi i shkollës dhe këmbimi.

Dëshmitari tha se marrëveshja me kryetarin kishte qenë vetëm për dhënien e tokës, por jo edhe vendin e kompensimit dhe vlerën, mirëpo që sipas dëshmitarit, Begaj nuk i kishte premtuar asgjë.

“Ai e ka qitë disa herë në Asamblenë Komunale dhe e njëjta nuk është votuar”, tha dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, shkolla ka qenë e vogël dhe ka pasur mungesë të hapësirës dhe se ndërtimi i shkollës në pronën shtetërore ka qenë i pamundur pasi që toka ka qenë e ngushtë dhe e pjerrët dhe ka qenë e nevojshme të merret prona e tij.

Ai tha se pjesa afër shkollës nuk është pronë e tij, tani ajo pjesë i takon vëllait të tij të vogël, pas ndarjes së pasurisë.

Në pyetjen e avokatit Kastrati se ku kishte biseduar me Begajn për marrëveshjen, dëshmitari tha në zyrën e kryetarit dhe se aty kishte qenë prezent edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Rrahim Morina dhe zyrtari Muharrem Morina.

Dëshmitari tha se ishte pajtuar që pas marrëveshjes çështja të kalojë për vendosje në Asamblenë Komunale të Malishevës.

Ai tha se për në shtëpinë e tij nuk ka rrugë tjetër përpos kalimi nga prona shtetërore, pra sipas tij qasja në pronën e tij është përmes kalimit në pronën e shtetit.

Avokat i e pyeti nëse ndërtimi i shkollës në pronën publike afër shkollës do të pengonte qasjen e tij në pronë, por kjo pyetje u kundërshtua nga prokurori Abazi.

Në pyetjen e gjykatësit Vesel Ismajli se a ka përfituar dikush nga ndërtimi i shkollës, dëshmitari tha e është i sigurt se Begaj nuk ka përfituar asgjë për vete dhe se nuk e di nëse ka përfituar diçka personi i tretë, por që sipas tij mendon që ka përfituar fshati dhe nxënësit.

“E di se kryetari nuk ka përfituar asnjë cent, edhe nuk e njoh s’kam raporte me të, por më është dukur njeri i sinqertë”, tha dëshmitari.

I njëjti tha se ai nuk kishte dashur ta japë, por vëllezërit kanë insistuar pasi që kanë dashur të lejojnë ndërtimin e shkollës.

Ndryshe për këtë seancë ishte ftuar edhe dëshmitari Alban Mazreku, mirëpo i njëjti nuk është prezantuar për seancë dhe pas kontaktimit nga gjykata, i njëjti ka deklaruar se mungon për shkaqe shëndetësore.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor pritet të vazhdojë më 26 janar 2022.

Ndryshe, gjatë seancës fillestare së mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm.

Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar në shtator të vitit 2021, ky vendim ishte marr nga gjykatësja e Departamentit Special e ngarkuar me këtë lëndë, Violeta Namani.

Aktakuza ndaj Begajt ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të shkuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sot, ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”

Të premten, me datë do të 26 mbahet ceremonia përmbyllëse të garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”. Siç ka bërë të ditur Ministria e...

Policia në Prizren realizon 47 urdhëresa gjyqësore për vepra penale

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren shpalli rezultatin e realizimit tw urdhërave gjyqësore për periudhën kohore 15 prill - 19 prill 2024. "Gjatë kësaj periudhe,...

Lajmet e Fundit