11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Ish-zyrtari policor, Fatmir Gjurgjeali, gjykohet për spiunazh

Fatmir GjurgjealoNë Gjykatën Themelore të Prizrenit, të martën u mbajt shqyrtimi kryesor ndaj Fatmir Gjurgjealit, ish-zyrtarit policor i cili po akuzohet për vepër penale të zbulimit të fshehtësive zyrtare, vepër kjo e dënueshme sipas kodit penal deri në 5 vjet burg.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fatmir Gjurgjeali, nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren pa autorizim i ka dërguar informacione shtetasit të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione, Gjurgjeali, në mënyrë elektronike i ka bartur fillimisht në e-mail-at e tij privatë, ku pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje.

I pandehuri nuk e pranoi fajësinë për veprën e ngarkuar.

“Pyetja është a e pranoni fajësinë për veprën penale zbulimi i fshehtësisë zyrtare? Jo nuk e pranoj dhe ndjehem i pafajshëm”, tha ai.

Edhe pse, prokurori i rastit së bashku me kryetaren e trupit gjykues ishin munduar që të sigurojnë ekspertizën kompjuterike nga ekspertë të informatikës, edhe pas 4 muajve një gjë e tillë nuk është arritur.

“Unë jam angazhuar përmes profesorëve të fakultetit teknik, që ata të ma japin një emër të lamisë adekuate, mirëpo për shkak të natyrës së veprës sigurisht po ngurrojnë edhe ekspertët, unë nuk di me emër e mbiemër se kush mundet me na dhënë neve konstatimin e saktë. Unë po kërkoj edhe një afat më së largu edhe një muaj me ardhë unë me një propozim konkret”, tha Bajram Hamitaga, prokuror i shtetit.

Trupi gjykues e aprovoi propozimin e prokurorit.

Nga ana tjetër, avokati Bashkim Nevzati, mbrojtës i të pandehurit Gjurgjeali ngritjen e kësaj akuze pa ekspertizë paraprake e quajti si të ngutur, e cila sipas tij e ka lënë gjykatën në një qorrsokak.

Ai po ashtu tha se aktakuza ka ndikuar edhe në jetën personale të të pandehurit.

“Ka ndikuar natyrisht në gjendjen e tij si sociale ashtu edhe psikofizike, për arsye se tani për tani është pa punë, është nën brengën e një akuze relativisht të rëndë, është pa të ardhura personale, pa të ardhura nga asnjë burim tjetër, kështu që këto ndikojnë shumë në gjendjen e tij”, tha Nevzati.

Aktakuza ndaj Gjurgjealit është ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Seanca e radhës mbahet më 7 tetor./Kallxo.com/

Më Shumë

Malishevë: Gruaja largohet nga shtëpia, shkak dhuna e burrit

Një grua është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj. Rasti ka ndodhur të hënën në Malishevë, rreth orës...

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Shqipëria, Besim R. Cengu, promovohet në Prizren

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Kukësi i Shqipëria, Besim R. Cengu, u promovua në Prizren. Studiuesit i kanë vlerësuar lartë baladat e publikuar...

Lajmet e Fundit