1.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Iso-polifonia në dialog me jazz jehon në Kalanë e Prizrenit

Ekranet e kinemave të mbyllura u ndezën gjatë ditës së diel për të shfaqur filmat në programet speciale të këtij edicioni të “DokuFestit”. Ligjërata, punëtori e masterklase përcollën pjesën tjetër të ditës së tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.

Kinematë e hapura, si zakonisht, u rindezën gjatë mbrëmjes. E diela u përmbyll me koncertin e “Andrras” në parkun e Marashit, ku edhe zë vend “DokuNights”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por një ditë më parë, në Kalanë e Prizrenit u mbajt koncerti i cili erdhi në bashkëpunim mes kompozitorit e jazz-muzikantit të njohur shqiptar Robert Bisha, i cili jeton në Itali dhe Korit iso-polifonik. Koncerti, i organizuar bashkë me organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, qe inaugurim i Kalasë së rinovuar.

Kori solli këngë të vjetra shqipe, ndërsa Bisha i përcolli ato në piano e kitarë. Hapësira në mes të Kalasë, aty ku zë vend edhe ekrani i madh për shfaqjen e filmave, të shtunën mblodhi rreth 400 veta në këtë koncert. Gërshetimi i tradicionales me bashkëkohoren erdhi si asnjëherë më parë në programin e “DokuFestit”. Ndonëse pikat e para të koncertit i shoqëroi perëndimi i diellit, ky bashkëpunim ishte si një dëshmi për rilindjen e muzikës ndërshekullore që shpërfaq fuqinë emocionale të zërit njerëzor.

Bisha si një jazz pianist i talentuar, me improvizimet e veta arriti që të përcjellë korin për mrekulli. Këngët si “Janinës ç’i panë sytë”, “Delja rude”, ishin vetëm dy prej këngëve të njohura për publikun kosovar. Bisha me piano interpretoi një pjesë të “Bareshës” së Rexho Mulliqit, ndërsa kori këndoi edhe në italisht. Ndërsa krejt në fund publiku iu bashkuan në një improvizim të rastit.

“Sonte po dëgjoni muzikë tradicionale e bashkëkohore të gërshetuar me erën”, ka thënë Bisha gjatë performancës. Edhe pse era që frynte krijonte pak telashe në zërim, kjo aspak nuk ia prishi hijeshinë koncertit. E Bisha u nda shumë i kënaqur.

“U ndjeva shumë mirë, publiku kishte një muzikalitet interesant, sepse të gjitha frazave të mia iu përgjigjën. Kisha ndjesi të shumta dhe flladi i verës u bë pjesë e koncertit dhe e përdorëm, ose më mirë të them e ftuam, e mirëpritëm. Është një emocion i fortë dhe për mua është nder të jem pjesë e këtij festivali. Të vij në Kosovë për mua është diçka e veçantë, sepse më duket se edhe origjina ime është e kësaj ane, nuk e kam vërtetuar, por kështu thoshin nga dajët”, ka thënë Bisha, i cili luajti edhe një melodi të kompozuar nga ai, derisa kori këndoi disa prej vargjeve që ai i pëlqen më së shumti. Bëhet fjalë për disa vargje të Gjergj Fishtës.

“Fjalët e Gjergj Fishtës i kam zgjedhur, sepse janë një deklaratë e dashurisë në përgjithësi, e cila nuk ka një drejtim për një person: ‘Në ty mendoj’, pra ky dimensioni i tekstit është një dimension që e kam kompozuar për kor”, ka thënë Bisha, i cili ka 17 vjet që jeton në Itali.

Më Shumë

Kurti nga Suhareka premton rritje të pagës minimale 500 euro

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin elektoral me qytetarët e Suharekës. Para tyre, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, foli për të arriturat gjatë qeverisjes së...

Botohen dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt

Janë botuar dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt dhe një libër me shkrime të pabotuara. Botuesi nga Prishtina “Jakup Ceraja” i ka botuar dy...

Lajmet e Fundit