17 C
Prizren
E enjte, 13 Mars, 2025

Jahjaga: BE-ja të angazhohet për mbikëqyrjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Jahjaga-MarkRuttePresidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë vizitës në Holandë, u prit sot nga Kryeministri i Holandës, Mark Rutte. Ata biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Jahjaga falënderoi Kryeministrin Rutte për mbështetjen e gjithanshme të Holandës, për ndihmën e trupave holandeze dhe për programet e ndryshme të Qeverisë në shumë fusha në dy dekadat e fundit.

Ajo tha se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në krijimin e një shteti gjithëpërfshirës, me ndihmën e partnerëve të saj ndërkombëtarë. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë që Holanda të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit evropian dhe zhvillimit të saj të qëndrueshëm.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Jahjaga tha se dialogu është mënyra më e mirë që kontribuon në stabilitetin e të gjithë rajonit dhe theksoi se marrëveshja e arritur ndërmjet dy qeverive është e rëndësishme për rrugën e integrimeve evropiane të të dyja shteteve të pavarura. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian duhet të angazhohet për mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj marrëveshje, përfshirë edhe Holandën, që do të ishte edhe një lloj vlerësimi për perspektivën e integrimit të Serbisë në BE.

Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar për të zbatuar këtë marrëveshje dhe theksoi se Kosova ka ndërmarrë tashmë shumë hapa që kanë të bëjnë me zbatimin e saj në praktikë. Presidentja Jahjaga njoftoi Kryeministrin Rutte edhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë të cilat i vlerësoi të lira dhe demokratike.

Ajo kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Holandës për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe tha se Kosova është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen në këtë proces.

Ndërkaq, Kryeministri i Holandës Mark Rutte, e përgëzoi presidenten Jahjaga për të arriturat e Kosovës dhe e vlerësoi të rëndësishme marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se është shumë e rëndësishme hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, të cilën e ka mbështetur edhe vendi i tij dhe vlerësoi se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektivë evropiane.

Rutte theksoi se të gjitha të arriturat e deritashme, përfshirë edhe marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe hapjen e negociatave për MSA, do të ndihmojnë dhe shtyjnë përpara proceset në Kosovë. Ai tha se zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja janë të rëndësishme për vendin. Kryeministri holandez u interesua edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë, përfshirë edhe zgjedhjet komunale që kanë përfunduar më 1 dhjetor./PrizrenPress.com/

Më Shumë

60 vjet nga ndarja nga jeta e Fan Nolit

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të...

Gjendja e sigurisë në Suharekë vlerësohet e qetë dhe stabile

Sot u mbajt takimi i radhës i Koordinimit Lokal për Siguri në Suharekë, ku anëtarët diskutuan mbi situatën aktuale dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë...

Lajmet e Fundit