8.4 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026

“Jepni për nënën”, poezia e dhimbshme e Fan Nolit

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,

-Mbretëreshë pa kurorë-

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

Shpirt e zëmër përvëluar;

Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,

Nënës mos ia bëni varrë!”

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Qan e lutet Nën’ e mjerë,

Kërkon vatrën edhe nderë,

Do lirinë dhe atdhenë,

Si ç’e pat me Skënderbenë,

Bijt’ e besës thërret pranë.

Kur i thirri dhe s’i vanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Cilët jan’ ata tiranë

Që të pren’ e që të vranë

Që të therrë bij e bija,

Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?

Derthni plumba, o Shqiptarë,

Gjakn’ e Nënës për të marrë,

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Cilët bij të trathëtuan

Dhe të doqnë dhe të shuan

Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë

Pa fole, pa zog, pa shpatë?

Këta qena, o shok’ i mbytni,

Mbushni gjyle që t’i shtypni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Sa kërkon e sa të duhen?

Burrat nga detyra s’ndruhen!

Trim i mirë do të japë,

S’kursen jetën as paratë;

Hithni, hithni tok dollarë,

Të mos mbetemi të sharë.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë.

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Do të ndihim pa kursyer

Për ty, Nëna jon’ e vyer,

Që me drit’ e nder të thuresh

Dhe me bijt’ e tu të mburesh.

Cila Nënë lyp paranë?

Cilët bij me shpirt s’i dhanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

 

Armë dhe fishekë mblithni,

Qesen edhe shpirtin hithni:

Për lirin’ e vëndit t’onë,

Sot -se nesër është vonë-

Jepni, Nënën të shpëtoni,

Komb e vatra të nderoni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

Më Shumë

Hilë Mosi, patrioti dhe poeti i përkushtuar që i dha zë çështjes kombëtare

Më 22 prill 1885 lindi në Shkodër Hilë Mosi, një nga figurat më të rëndësishme të periudhës së Rilindjes së vonë dhe viteve të...

Këndi Amerikan në Prizren shënon 20-vjetorin e themelimit

Këndi Amerikan në Prizren ka shënuar sot 20-vjetorin e themelimit, në një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe diplomatikë. Në aktivitet morën pjesë...

Lajmet e Fundit