Lezin e Vërrnit që nga pas lufta sa herë ta vizitosh vështirë se do të gjesh diçka të re, sepse atje jeta vendnumëron. Atje dikur duhej të shkohej në një rrugë gjarpërore e të paasfaltuar, kurse tani krejt në afërsi kishte shkuar asfalti. Por, jo deri në brendi të Lezit. Lidhur me këtë mungesë për disa qindra metra që nuk është shtruar asfalti, Isa Berisha, ish- banor i këtij fshati reagon ashpër.
“Dikur Lezin e njihnin njerëzit për shkak të burrave trima të fjalës dhe për shkak të Tyrbes së atjeshme që i kanë besuar shumë kosovarë nga çdo cep i Kosovës. Larg nga Prizreni 23 kilometra,që dikur ishte vështirë të shkohej në rrugë gjarpërore e tani deri në afërsi të pesë kilometrave të këtij fshati është asfaltuar rruga. Thellë në fshatin Lezë tani e 20 vjet mbijetojnë vetëm dy banorë dhe pak bagëti”, është shprehur ai. Tani dy bashkëshortët, Bahtjar e Gjylnaze Berisha, masin hallin e tyre dhe kujtojnë dikur zhurmat e shumë fëmijëve dhe shumë banorëve që kishte Lezi i tyre që shumë e duan dhe përkushtimisht janë të lidhur me këtë fshat, edhe pse nuk kanë pasardhës të tyre. Gjylnaze Berisha pohon se me rreth 160 frymë bagëti mundohen të jetojmë mes këtyre maleve. “Tash verës këtu jetohet mirë, sepse ka shumë burime të ujit, por këtu dimri është kiamet”, shprehet ajo.
Shtëpitë nuk shfrytëzohen as gjatë verës
Lezi dikur ishte fshati i shumë banorëve dhe numrit të atyre banorëve të thuash çdo ditë u shtohej numri edhe nga vizitorë të shumtë që vizitonin Tyrben e Lezit, tani e 20 vjet janë vetëm ata dy banorë. Derisa fshati në afërsi Kushtendili është boshatisur i tërë dhe ka mbetur pa asnjë banor me shumë shtëpi që nuk shfrytëzohen as gjatë verës. Në këto dy fshatra dikur dasmat bëheshin me nga një javë të gjata edhe vdekjet e kishin rendin, tani ikën të gjithë në Prizren edhe qytete të tjera. Atje kanë mbetur vetëm shtëpitë e thata. Burim Shala, nga ky fshat thotë për gazetën se ka shtëpi që janë ndërtuar pas lufte, por ikën njerëzit prej atje, “Toka nuk është bukanike, por është tokë e mirë për të pasur bagëti”, shpjegon ai. Shton se janë disa të rinj nga ky fshat e që jetojnë në Itali, që po e planifikojnë rikthimin atje. “Nëse merret ndonjë qëndrim që atje të jetohet, unë do të mendoj vetë të kthehem atje e të bëjmë ndonjë fermë”, theksoi ai. Dëshir Berisha, nga ky fshat tregon se tani e dy vjet atje lezjanët i falin Bajramet dhe e frymojnë këtë fshat. “Unë s’di ende që dikush ka shprehur dëshirën që do të rikthehet atje. Por,e di saktë se të rinjtë nuk do ta harrojmë këtë fshat”,shprehet ai për “Kosova Sot” .
Krojet nuk shterojnë kurrë
Berisha thekson se atje dihet se ka kushtet të mira për zhvillimin e bletarisë dhe blegtorisë, është njëri ndër fshatrat që ka shumë kroje dhe që nuk shterojnë kurrë. Lezi dikur ishte fshat i lavdisë ku dimrit luheshin lojëra të shumta si ajo e kapuçave deri në mëngjes, kurse verës ishte fshat i dasmave. Tani s’ka lojëra, s’ka as dasma, ka lapidar përkujtimi, Tyrbja e njohur anekënd Kosovës dhe vetmia aktuale. Lezi para lufte kishte 40 familje që jetonin aty. Atje kishte lindur komandant Xhevat Berisha, e komandant Salajdin Berisha dhe pesë dëshmorë të tjerë të kombit. Disa nga banorët e Lezit e edhe të Kushtendilit, duke parë se ajri i pastër i kësaj ane dhe krojet e pashtershme dhe uji shumë i mirë, do të sjellin të rinjtë kurbetçinj që ndokush të rikthehet atje. Këtë verë do mblidhen një numër të rinjsh me punë të përkohshme jashtë që janë duke menduar një projekt të kthimit atje në mos për asgjë tjetër për të bërë shtëpi pushimi.
(Kosova Sot)