Shkruan: Bashkim Rakaj
Prej më shumë se një viti, partia më e madhe opozitare në Prizren, zgjodhi, ose më saktë, lideri i saj Kadri Veseli, emëroin kryetar të degës Shaqir Totajn, pa pëlqimin e kryesisë dhe të bazës, ndërkohë para pak muajsh i besoi atij dhe postin e nënkryetarit në qendër, duke e bërë numrin dy të partisë.
Por cili është Shaqir Totaj? Si është e mundur që historia e tij e katapultimit në PDK është gati identike me atë të kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka në VV. Pervelja kaq kollaj në nivele kaq të larta si nga Totaj në PDK dhe nga Haskuka në VV janë aq të ngjajshme. As njëri dhe as tjetri nuk kanë qenë emra të spikatur në ndonjë fushë të caktuar në qytetin e Prizrenit. Edhe pse Haskuka fshihet pas titujve, ai për asnjë moment nuk rrezaton as në sjellje dhe as me vepra atë që përdor si armë. Madje ka dëshmuar në disa dalje publike luhatje në personalitet, të pa pranueshme për një zyrtar të thjeshtë, jo më për një personalitet siç është prezantuar. Por le të ndalemi te Totaj, sepse ai është fokusi i shkrimit tim. Kush është Totaj, çfarë përfaqëson ai në Partinë Demokratike të Kosovës?
Të renë?
Kontributdhënësin?
Para tre vitesh Totaj ka qenë vetëm një drejtor i një ndërmarrje, e cila nuk gëzon një raputacion të mirë. Madje është sinonim i shpërdorimit dhe abuzimit. Kaq sa i përket Totajt ekspert. Por le të ndalemi te angazhimi i “ekspertit” në politikë, e cili në pak muaj arriti të katapultohej me lehtësi në maja të partisë, pa qenë më parë as anëtar. Ditën që u anëtarësua u kandidua për kryetar të komunës, garë të cilën e humbi përballë Mytaher Haskukes. Kjo humbje, e para për PDK-në pas 10 vitesh qeverisje, jo vetëm që nuk i uli kreditet Shaqir Totajt, apo ta penalizonte, përkundrazi i hapi rrugë për të kapur degën më të madhe të PDK-së në Kosovë dhe pak më vonë dhe numrin dy të partisë?
Si u zgjodh Totaj kryetar partie të gjithë e dimë. Ai arriti të zgjidhet kryetar i degës, pasi më parë kishte marrë garanci nga Kadri Veselit se nuk do të përfshihej në garë Kujtim Gashi, në atë kohë Ministër i Kulturës. Presioni që Veseli ushtroi mbi Gashin për të mos u futur në garë, detyroi këtë fundit të hapte rrugë edhe pse gëzonte mbështetjen e gjerë në kryesinë e degës së PDK-së në Prizren. Por çfarë solli kjo lloj manovër e Kadri Veselit, duke vënë në krye të degës një kandidat të padëshiruar në parti?
Zbythjen e një pjese të kryesisë, me kontributin e të cilëve PDK prej më shumë se një dekade ka dalë forcë e parë. Ikja e tyre solli dhe rezultatet katastrofike të zgjedhjeve të fundit, për bilancet e të cilëve nuk është bërë asnjë analizë. Disfata e 6 tetorit dhe ajo e zgjedhjeve lokale më herët, sigurisht që erdhi dhe për shkak të arrogancës që Totaj shfaqi në raport me “gardën e vjetët” të kryesisë së PDK-së, prandaj dhe ai i është shmangur gjetjes së fajtorëve. Sot, pesë muaj pas disfatës së 6 tetorit, ajo çfarë ka bërë Totaj është: futja nën kthetra e degës, identifikimi i armiqëve të brendshëm, duke i pasivizuar të gjitha strukturat e nëndegëve. Ky do të ishte problemi më i vogël nëse Totaj me ekipin e tij, nëse ka ekip, për të cilin dyshoj, do të kishte rikthyer besimin minimal dhe sot do të kishim një parti ku gëlojnë idetë, prurjet… të kishte krijuar një lidership në lartësinë që meriton dhe të ishte duke shtrirë partinë në bazë. Asnjë prej këtyre nuk ka ndodhur, veç thellimit të pakënaqësisë. Sot dhe anëtarë besnik të PDK-së shprehin mëdyshje për daljen në votim në zgjedhjet lokale, ndërkohë Totaj krekoset në konferencat për shtyp në cilësinë e nënkryetarit. Ai duhet të lërë Prishtinën dhe të përveshë mëngët për të luajtur rolin e kryeopozitarit në Prizren.
Qeverisja lokale po lëngon nga skandale e shumta, ndërsa Shaqir Totaj deri tani duhet të kishe thirrur qytetarët në protesta për të kërkuar llogari ndaj kryetarit Haskuka, dhe jo të lëshojë deklarata që shpërfaqnin një PDK të gjunjëzuar përballë të keqes që ka prekur qytetin. Nëse qytetarët, shoqëria civile në Prizren janë në kërkim të gjetjes së formulës si të largojnë Mytaher Haskuken e skandaleve, kryeopozitari tashmë duhet të kishte një valë protestash ose të paktën të kishte depozituar shkeljet në Prokurori.
Shaqir Totaj jo vetëm që nuk e ka kundërshtuar Haskuken seriozisht, por i ka ofruar dhe mbështetje.
Mbështetje për çfarë?
Për të thelluar anormalitetin e qeverisjes ?
Shaqir Totaj duhet ta di se nëse ka ndërmend të merresh me politikë, nuk ka pse te mbyllet me “Çelajt” dhe të vetëkënaqet me faktin se është kreu i PDK-së, apo të ushqehet me histori si ajo ”ne fitojmë duke dëgjuar rock”. PDK është parti që drejtuesit e saj nuk duhet ta shohin si privilegj të qenurin kryetar, por përgjegjësi, ajo është krijuar për të qenë prirëse e proceseve, në pushtet ose në opozitë qoftë.
Kryetari i saj nuk e ka luksin as të shkarkojë njerëz, as të injorojë, por të bashkojë. As nuk ka nevojë të mërmërisë kafeneve të qytetit kundër të tijëve, por “të ndez motorët” dhe të prezantojë para elektoratit platformën për qeverisjen lokale të zgjedhjeve lokale të 2021.
Pikërisht në këtë moment, Shaqir Totaj duhet të shfaqet. Të bëjë përpjekje për të grupuar të tijët dhe të gjithë spektrin opozitar për të ngritur një pol të përbashkët për të larguar Mytaher Haskuken, qeverisja e të cilit ka prekur pikiatën. Urgjentisht duhet të risillen në parti të vjetrit, të hapet partia për figura rë reja, kur them të hapet nuk e kam fjalën vetëm për t’i anëtarësuar, siç bëjnë partitë para zgjedhjeve, por t’i jepet atyre që vinë përgjegjësi dhe hapësirë në krijimin e platformës së re qeverisëse. Vetëm kështu Shaqir Totajt mund t’i falen “mëkatet” e dështimeve në dy palë zgjedhjet e fundit dhe “vjedhja” e partisë.
Nëse ka zgjedhur të mos turpërohet nga Kadri Veseli në zgjedhjet e ardhshme, që mesa duket po bën sikur e ka mendjen në Prizren, duhet të ulet me këmbë në tokë dhe të sillet si një opozitar, i denjë për partinë që drejton. Dhe jo të shndërrohet pa ardhur në pushtet në një kopje e kryetarit Mytaher Haskukes, i cili, njësoj si Shaqir Totaj, e ka përçarë partinë që e zgjodhi kryetar. Nuk na duhet një Haskukë i dytë për të drejtuar Prizrenin.