Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli ka thënë se Universiteti i Prishtinës është në një gjendje shumë të rëndë. Ai ka thënë se nuk beson se gjendjen do ta ndryshojnë as katër anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të emëruar nga ana e Ministrisë së Arsimit. Ai e quan këtë një ndryshim kozmetik. Sipas tij, është pikërisht ekzistimi i këtij Këshilli, që po e cenon autonominë e UP-së.
“Lëvizja Vetëvendosje po ashtu si problem fundamental e percepton edhe ekzistencën e Këshillit Drejtues të UP-së, si një mekanizëm që pikërisht ka legalizuar deri më sot ndërhyrjen qeveritare dhe konkretisht të Ministrisë së Arsimit në Universitet. Kështu pavarësisht emrave konkret që aktualisht do të ketë kjo strukturë mbiinstitucionale, konsiderojmë se Këshilli Drejtues edhe aktuali është një mekanizëm që kufizon autonominë vendimmarrëse të UP-së”, ka thënë ai, raporton gazeta Blic.
Sipas tij, rrjedhimisht Lëvizja Vetëvendosje konsideron se përkundër këtyre ndryshimeve kozmetike që ne të vërtetë ruajnë të paprekur esencën institucionale të këtij korruptimi që ka përfshirë UP-në, kriza aktuale nuk do të tejkalohet. “Kështu ne vlerësojmë se është e domosdoshme që UP-së t’i kthehet autonomia dhe fuqia vendimmarrëse, duke i bërë ndryshimet e nevojshme në ligj dhe duke sugjeruar frymën e këtyre ndryshimeve edhe në statutin e UP-së, me anë të të cilit suprimohen organet që bëjnë të mundur ushtrimin e ndikimit politik nga Qeveria. Në këtë kontekst edhe zgjedhja e Rektorit dhe stafit tjetër të menaxhmentit të UP-së duhet të ndërtohet mbi premisa tjera të organizmit institucional”, vlerëson Kasolli.
Ai vlerëson se përmbajtësisht, duhet që Rektori i këtij institucioni të jetë shprehje e vullnetit të të gjithë stafit akademik, administrativ e të studentëve të UP-së, të cilëve ka për obligim t’ju shërbej, e jo të jetë vetëm produkt koniuktural i një force politike, e cila ka për motiv të vetëm pushtimin hegjemonik të Universitetit.
“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Universiteti i Prishtinës ka kohë që është shndërruar në poligon për realizimin e ambicieve të papërmbushura akademike të koniukturës aktuale politike, e cila nuk zgjedhë rrugë për t’i akomoduar në universitet eksponentët e vet. Fatkeqësisht kjo logjike partitokratike, e cila e ka shndërruar UP-në vetëm në aparat për mobilizim politik i ka kushtuar shumë UP-së si institucion akademik”, ka thënë ai.
Deputeti i VV-së thotë se me këtë rast UP-ja sot përballet me deficite të tmerrshme, që nga mungesa e kushteve adekuate për studim, mungesa e literaturës së duhur shkencore, mungesa e profesorëve kredibil në aspektin pedagogjik, e deri tek mosaftësia institucionale për të prodhuar mendim kritik përballë realiteteve politike dhe sociale.