16.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Kërkesa e rojtarëve të dyshuar për ryshfet, para gjykatës në Prizren : Na lironi !

Mbrojtja e dy rojeve të pyllit që akuzohen për marrje ryshfeti, Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, që të hudhet aktakuza në këtë rast.

Një kërkesë e tillë, është bërë në seancën e së hënës nga avokatja Sabrije Syla, që mbron të akuzuarin Trolli, si dhe i akuzuari Bajraktari.

Në kërkesën e parashtruar, mbrojtësja e të akuzuarit Avdi Trolli, avokatja Sabrije Syla, ka thënë se aktakuza ndaj klientit të saj nuk është e bazuar në prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndërsa, për të akuzuarin Nuhi Bajraktari, kërkesën për hudhjen e akuzës dhe kundërshtimin e provave, e ka parashtruar avokatja Nadire Hoxha, e cila nuk ka marr pjesë në gjykim, për të cilën i akuzuari Bajraktari, ka thënë se e ka autorizuar gojarisht dhe se pajtohet me kërkesën e tillë.

Kurse, prokurori Mehdi Sefa, ka kërkuar nga gjykata që të refuzohet kërkesa e të pandehurit dhe të konfirmohet aktakuza në këtë rast, pasi sipas tij ka prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohet se të njëjtit janë fajtor për veprimet e pretenduara, raporton  “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, gjykatësi Skender Çoçaj, seancën e radhës për këtë çështje, e ka caktuar më 8 janar 2019, në orën 09:00.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren më 28 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avdi Trollit dhe Nuhi Bajraktarit, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktit akuzues, më 29 tetor 2014, në afërsi të restorantit “Giri” në Qafë të Dulës, të akuzuarit në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se deri sa i akuzuari Trolli ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike në Caralevë, Fehmi Qatanin e ka hasur duke prerë dru me motor sharrë, dhe ka kërkuar nga ai që të shkojë në restorantin “Giri”,  pasi që ka nevojë të konsultohet me kolegë të tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se përballë restorantit i afrohet i akuzuari Bajraktari, duke i thënë nëse ka para për t’i dhënë, nuk do t’i shkruajnë procesverbal, por do ia falin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Qatani ia jep 45 euro të akuzuarit Bajraktari, i cili fillimisht i merr këto para dhe shkon në konsultim me të akuzuarin Trolli, i cili ishte në automjet, ku ky i fundit e hap dritaren e automjetit dhe nga aty i gjuan paratë  dhe kërkon nga i dëmtuari 100 euro për mos paraqitje të rastit në gjykatë.

Më Shumë

Në Bajram Curr nesër bëhet përurimi i shtatores së komandantit Tahir Sinani

Më 5 maj (e diel), duke filluar në orën 12:00, në Bajram Curr bëhet përurimi i shtatores së komandantit Tahir Sinanit. Shtatorja është punuar nga...

Iu gjetën mbetjet 25 vjet pas zhdukjes, varroset në Piranë patrioti Ukë Sait Ukaj

Sot në Piranë varroset trupi i Ukë Sait Ukaj, për fatin e të cilit nuk është ditur nga viti 1999 e deri më tani. E...

Lajmet e Fundit