17.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kërkohet plotësimi i ekspertizës në rastin e ish-drejtorit të Administratës, Ilir Baldedaj

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Artan Sejrani, të enjten, ka vendosur që ekspertiza financiare, sipas së cilës është ngritur aktakuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kundër ish-drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj, të plotësohet, sepse eksperti nuk ka pasur të gjithë materialin në dispozicion.

Gjatë seancës së të enjtes, ekspertit Agim Sheqiri, i janë prezantuar disa dokumente nga mbrojtja e të cilat ai ka thënë se nuk i ka pasur në dispozicion gjatë përpilimit të ekspertizës, duke shtuar se krejt ekspertizën e ka bazuar në shkresat e pranuara nga prokuroria dhe raportet e auditorit të përgjithshëm.

I akuzuari Baldedaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Miftar Qelaj, kanë kundërshtuar në tërësi ekspertizën e ekspertit Sheqiri, duke e cilësuar si të njëanshme dhe tendencioze, sepse sipas tyre, ekspertiza ia ngarkon të akuzuarit të gjitha pagesat e drejtorive komunale, e jo vetëm të Drejtorisë së Administratës.

Eksperti Sheqiri, gjatë shqyrtimi gjyqësor ka deklaruar se në shkresat që ka pranuar për të bërë ekspertizën, nuk ka hasur kontrata tjera të lidhura nga drejtoritë tjera të komunës me televizionet lokale për reklamime, por se të gjitha faturat janë të nënshkruara nga i akuzuari.

Eksperti, tutje ka thënë se shumat e shpenzimeve janë të krejt drejtorive komunale, por se ai ka pasur në dispozicion vetëm kontratën e të akuzuarit të bërë me televizionet lokale dhe se nuk ka pasur mundësi të specifikoi se cilat shuma, për cilën drejtori janë shpenzuar.

Ai ka thënë që në të gjitha urdhër obligimet që kanë ardhur nga kontraktorët, përshkrimi është për administratën komunale të Prizrenit dhe nuk ceket se çfarë pune është kryer apo për cilën drejtori.

Mirëpo, avokati Qelaj, i ka prezantuar ekspertit disa kontrata në të cilat shihet se televizionet kanë transmetuar reklama edhe për drejtori tjera dhe se kanë bërë edhe emetime të drejtpërdrejta të seancave të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Duke u bazuar në deklarimin e ekspertit, se krejt këto shpenzime është dashur të kalojnë përmes procedurës së prokurimit, Qelaj ka thënë se të gjithë ish-drejtorët e drejtorive komunale të Prizrenit kanë lidhur kontrata të tilla si i mbrojturi i tij dhe se ligji nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta, që krejt përgjegjësia e atyre kontratave t’i mbetet ish-drejtorit Baldedaj.

Andaj, duke u bazuar në këto rrethana, trupi gjykues, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes që eksperti të bëjë plotësimin e ekspertizës, ku do të saktësojë që brenda shumës së përgjithshme të shpenzimeve për 2015-2016, cilat i takojnë Drejtorisë së Administratës Publike.

Para se eksperti të fillonte elaborimin e ekspertizës financiare, prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka lexuar aktakuzën, ndërsa i akuzuari Baldedaj sërish nuk e ka pranuar fajësinë, sipas pikave të aktakuzës.

Në këtë rast penal, shqyrtimi do të vazhdojë më 26 mars 2018, me fillim në ora 10:00.

Ndryshe, Ilir Baldedaj akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të administratës komunale të Prizrenit, ka lidhur kontratë me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.

Sipas aktakuzës, Baldedaj kontratat i ka lidhur me televizionet lokale pa procedura tenderuese dhe nga ekspertiza financiare ka rezultuar se pagesat për këto televizione janë më të mëdha se që janë paraparë në kontratë, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit, në shumë prej rreth 70 mijë euro.

Aktakuza tutje përshkruan se televizionit “Opinion” i janë paguar rreth 37 mijë euro më shumë se pagesa e paraparë sipas kontratës, televizionit “Besa” rreth 25 mijë euro dhe televizionit “Prizreni” rreth 10 mijë euro./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Haxhi Avdyli: “Guxo” kandidon vetë ose me LVV-në, rikthimi në LDK i pamundur

Haxhi Avdyli nga “Guxo” thotë se në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në Kosovë, kjo parti preferon një koalicion para ose edhe...

Anulohet aktgjykimi ndaj vëllezërve Ademaj për vrasjen e rëndë në Prizren, Apeli e kthen rastin në rigjykim

Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim lidhur me ankesat e parashtruara në rastin e vrasjes së 23-vjeçarit në Prizren më 2020, për të cilin...

Lajmet e Fundit