11.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Komshiu

Nga Edison Ypi

Komshiu ishte një përbindësh që t’ia prisje mishin me gërshërë ta haje copa-copa të gjallë.

Komshiu ishte një torturë e tepërt, një vuajtje e pamerituar, një ferr konstant, një destin i keq, një fatalitet i mënxyrshëm, prej të cilit nuk kishte mënyrë për tu çliruar, do ta vuaje gjithë jetën, derisa bashkë me ty të ikte dhe ai.

Gjatë beharit, komshiu, gruaja e komshiut, kalamajtë e komshiut, dilnin në shkallë për tu freskuar. Copat e mishit që zinin shkallët, ngaqë e dinin se e kishe tmerr tu drejtoje një fjalë, për të të detyruar tu flisje, mezi prisnin të kaloje tu kërkoje leje të hapnin rrugën.

Në dimër kur dalja në shkallë për tu freskuar ishte e pashëndetshme, i ngjisje shkallët në majë të këmbëve për të evituar ndonjë ballafaqim eventual me komshiun. Por ishte e kotë. Nuk kishte mënyrë për t’i shpëtuar syve dhe veshëve të komshiut. Edhe në këtë rast, sado heshturazi të ngjiteshe apo të zbrisje sado në mënyrë të shurdhët të hyje apo të dilje, komshiu, ose komshia, e hapnin derën pikërisht kur ndodheshe përballë derës së tyre me një pamje habitore sikur prisnin një mysafir, por fatkeqësisht u doli para surrati yt, që, sipas tyre, po përgjonte pas dere.

Për tu ngjitur në shtëpinë tënde vet’ i dytë, pa u parë nga komshiu, jo vetëm me ndonjë të dashur që s’bëhej fjalë, por me gjithkënd, edhe me motrën, harroje, nuk mund të ndodhte kurrën e kurrës.

S’kishte rëndësi kush trokiste në derën tënde, nëna, motra, vëllai, ndonjë mysafir apo ndonjë mik. Me shkumë rroje në fytyrë apo duke u mbllaçitu, e para derë që hapej nuk ishte tëndja por e komshiut, i pari surrat që shihje nuk ishte i mysafirit por i komshiut.

Me mendjelehtësinë që të karakterizonte, i tmerruar nga përfytyrimi se komshiu mund të bënte të njëjtën gjë, ti nuk hyje kurrë në apartamentin e komshiut. Vëmendje e tepërt, kujdes i kotë. Të paktën një herë në disa muaj, komshiu i neveritshëm gjithmonë e gjente një mënyrë për të hyrë në shtëpinë tënde, qoftë edhe për pak çaste.

Ngaqë komshiu s’kishte asgjë për të fituar, asgjë për të humbur, asgjë për të ndarë, asgjë për të qënë i zënë me ndonjë punë tjetër, gruaja e komshiut s’kishte asnjë arësye për të mos mbetur vazhdimisht shtatzanë. Kur ndodhte që numuri i kalamajve të komshiut kalonte masën dhe shtatzania e rradhës konsiderohej e tepërt, andej nga muaji i gjashtë i shtatzanisë, komshiu gjente një xherahe për t’ia nxjerrë gruas fetusin me çengela hekuri mes ulurimash. Në ndonjë rast të tillë, ti thoje komshiut se brenda mitrës së gruas së vet po kryente një vrasje, të vriste.

Komshiu donte të dinte gjithçka.

S’kishte mënyrë për të shpëtuar nga kthetrat e kuriozitetit të komshiut.

E vetmja mënyrë për ta paksuar disi kuriozitetin e komshiut ishte të hiqeshe sikur s’kuptoje, pra të bëje rolin e budallait, të vetshpalleshe i çmendur. Edhe pse e vetshpallur dhe e pabesueshme, çmenduria e tjetrit e zbaviste. Por megjithatë përmbahej disi ngaqë i frigej ndonjë të keqeje të paparashikueshme që mund t’i vinte prej dikujt i cili, edhe pse s’është, i çmendur preferon të vetshpallet.

Komshiu mbante Ramazan fshehtas vetë dhe vigjëlonte tjetrin që gjithashtu fshehtas mbante Ramazan. Jo për ta spiunuar. Që ta kishte për kundërgoditje gjatë ndonjë mpleksjeje eventuale të spiunllëkut me Ramazanin, nëse tjetri do ta spiunonte për rrethana që nuk vareshin as nga komshiu as nga tjetri.

Vigjilencës së komshiut nuk mund t’i shpëtonte asnjë sado e vogël apo e parëndësishme që ndodhte brenda shtëpisë tënde.

Në kushtet e pamundësisë absolute për të jetuar më mirë, për të pasur më tepër, për të ngrënë, për tu veshur e mbathur, kur i mungonin të dhënat e sigurta, imagjinata e komshiut më e papërmbajtur se e Ajnshtajnit kombinohej me aftësinë rrëfyese më të fuqishme se të Tolstoit.

Komshiu ishte trim i madh. Por kur ndodhte që për ndonjë hajdutllëk komshiun e merrnin dhe e rrihnin në rajonin e policisë, nga jashtë dëgjoheshin qartë britmat e komshiut; Mjaft o polic ta hëngsha utin.

Të kishe fatin të kishe komshi dikënd që kishte lexuar Shvejkun ose “Tre Shokët” dhe të shurdhonte me dromca për të vjellë, s’bëhej fjalë, nuk ishte e mundur. Në këtë kombinacion fatlum për të fatzi për ty, nuk ishte ai komshiu yt, ishe ti komshiu i tij.

Vështirë t’i bëje ballë dëshirës së papërmbajtur të komshiut për të bërë ty të ditur hollësira nga jetët e të tjerëve.

Të bëje sikur për jetët e të tjerëve nuk ishe i interesuar, nuk mund të funksiononte sa kohë komshiut i dukej aq e pabesueshme sikur të refuzoje floririn.

Të tregoje interesim, por të hiqeshe sikur nuk kuptoje, mund të ndodhte që ta besonte për një çast, dhe ti përjetoje një moment euforik. Por vazhdonte tepër pak. Komshiu vinte menjëherë në vete, dhe çfarë do ndodhte më pas nuk mund ta gjeje dot në asnjë llum kafeje.

Për të krijuar një farë sigurie që komshiu të mos të spiunonte, mund të gjeje ndonjë mënyrë të tërthortë për t’i thënë komshiun të vinte pak dorën në zemër, të ishte pak i mëshirshëm. Prekej disi në këto raste. Por e merrte veten shpejt. Sipas komshiut, përderisa ai vetë ishte spiun, nuk mund të mos ishin spiunë dhe gjithë të tjerët. Të nisje ta bindje se e kishte gabim, duhej t’i flisje. Por po t’i flisje, flliqsiri aq donte për të të futur në një kallëp me veten.

Komshiu ishe erudit. Erudicioni i komshiut kishte një shtrirje historike për ta pasur zili; Nga gjyshi çoban tek e ardhmja e ndritur e pafundme kur nën udhëheqjen e partisë klasat do zhdukeshin.

Si dhe shtrirje gjeografike marramendëse; Nga fshati në Kinë, e cila kishte bombën atomike. T’i thoshe komshiut; Ore, Kina e ka bombën, por kinezët që vrasin njëri-tjetrin me miliona e shtyjnë jetën duke ngrënë nga një tas oriz në ditë, ishte një nga mënyrat për t’i thënë burgut hapu.

Komshiu që gjithë kohën ta nxinte jetën ndonjëherë edhe të ndihmonte. Por vetëm kur ndihma nuk të vlente. Për shembull në raste vdekjesh kur me surrat të merakosur demonstronte një mirsjellje dhe një humanizëm të pashoq.

Komshiu bërtiste; Jam puntor, jam proletar, bota është e imja.

Kishte të drejtë komshiu.

Ai që nuk kishte, dhe nuk ka, as botën as kurgjë, ishte dhe është, komshiu i komshiut.

Më Shumë

Dy arsye pse Allegri mund të shpëtojë punën e tij te Juventusi

Massimiliano Allegri thuhet se mund të shpëtojë punën e tij te Juventus-i për dy arsye, edhe nëse bardhezinjtë duket se kanë marrë tashmë një...

Shkurte Fejza nderohet me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës

Këngëtarja shqiptare, Shkurte Fejza është nderuar me titullin “Qytetare Nderi” nga komuna e Suharekës. Kështu bëri të ditur kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj përmes...

Lajmet e Fundit