Komuna e Prizrenit ka njoftuar qytetarët lidhur me me ngritjen e çmimit për zonim të paluajtshmërisë.
“Drejtoria për Ekonomi dhe Financa njofton të gjithë tatimpaguesit e Komunës së Prizrenit, se prej vitit 2019 ka filluar të aplikohet tatimi në tokë, ndërkaq vlerësimin dhe zonimin për të gjitha pronat e paluajtshme sa i përket tatimit në tokë në Komunën e Prizrenit e bënë Ministria e Financave- përkatësisht Departamenti i Tatimit në Pronë në Prishtinë”, njofton Komuna e Prizrenit.
Njoftimi i plotë
Shumë tatimpagues të Komunës së Prizrenit kanë shprehur shqetësime dhe pakënaqësi rreth ndryshimit të vlerës dhe ngritjes së çmimit për zonim të paluajtshmërisë, duke kërkuar sqarime nga Komuna e Prizrenit.
Drejtoria për Ekonomi dhe Financa njofton të gjithë tatimpaguesit e Komunës së Prizrenit, se prej vitit 2019 ka filluar të aplikohet tatimi në tokë, ndërkaq vlerësimin dhe zonimin për të gjitha pronat e paluajtshme sa i përket tatimit në tokë në Komunën e Prizrenit e bënë Ministria e Financave- përkatësisht Departamenti i Tatimit në Pronë në Prishtinë.
Gjithashtu për vitin 2020, vlerësimin dhe zonimin për objektet e banimit për Komunën e Prizrenit e ka bërë Ministria e Financave-Departamenti i Tatimit në Pronë në Prishtinë.
Ngritja e çmimit, kryesisht në zonën e tretë dhe të katërt sipas vlerësimit të Komunës së Prizrenit (shih fotografinë dhe linkun e bashkëngjitur), ka ndodhur për arsye të rizonimit të bërë nga Ministria e Financave-Departamenti i Tatimit në Pronë (DTP) në Prishtinë, ku zonat e cekura më lartë janë vlerësuar dhe tatimuar si zonë e parë nr.2001. (Në tabelën e bashkangjitur mund të shihni vlerësimin sipas zonës dhe llojit të pronës.)
DTP-ja ka bërë zonim të gjërë, ashtu që zona e tretë dhe e katërt është inkorporuar në zonën e parë nr.2001.
Për të parë saktësisht se cilës zonë i takoni klikoni në linkun: https://tatimineprone-rks.org/maps/. (Udhëzim: tek komuna zgjedhni Prizren, tek Kategoria zgjedhni Pronë Rezidenciale, tek vlera e katergorisë zgjedhni parcelë për objekt tjetër rezidencial, dhe përzgjedhni – shfaq kufijtë komunal).
Komuna e Prizrenit duke i marrë parasysh shqetësimet dhe pakënaqësitë e tatimpaguesve, në takimet e mbajtura me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave- Departamenti i Tatimit në Pronë në Prishtinë ka hasur në mirëkuptim, ku për disa zona është zbritur çmimi i tregut për vitin 2020, ndërsa na është premtuar që në vitet në vijim do të ketë ndryshime në vlerësim dhe zonim aty ku shihet se ka vend për ndryshime.