Pak ditë pasi përfaqësues lokalë të Lëvizjes “Vetëvendosje” kritikuan komunën e Prizrenit, për injorim të mërgimtarëve, duke thënë se ndër tjera këtu mungojnë edhe të dhënat për numrin e tyre, në kuadër të Administratës komunale është hapur një zyrë e posaçme, për të bërë regjistrimin e mërgimtarëve, projekt ky për të cilën zyrtarët thanë se nuk ka shkas kritikat opozitare.
Bashkatdhetarët të cilët jetojnë e punojnë jashtë, por që kthehen për t’i kaluar pushimet në vendlindje mund të regjistrohen në komunë, me qëllim që të dihet numri i tyre. Drejtori komunal për Administratë, Ilir Baldedaj tha se zyra do të punojë në gjashtë muajt e ardhshëm. “Apeloj përfaqësuesit e fshatrave që ta ndihmojnë procesin duke i regjistruar mërgimtarët. Përveç regjistrimit të numrit do të regjistrohet edhe gjendja e tyre ekonomike, ndërsa komuna e Prizrenit parasheh që në të ardhmen t’u ofrojë projekte bashkatdhetarëve të saj”, tha për “Zërin” ai.
Nisja e këtij projekti ndërkaq është bërë pak ditë pas kritikave të bëra nga anëtari i “Vetëvendosjes” në Kuvendin Komunal (KK) të Prizrenit, Arbër Rexhaj. Fillimisht, ai në një debat të organizuar nga Forumi “Transparenca” e më pas edhe një konferencë shtypi ka thënë se komuna nuk disponon numrin e përgjithshëm mërgimtarëve, ashtu siç e kanë disa komuna të Kosovës. “Po ashtu, nuk ka të dhëna të të hyrave, të cilat vijnë si kontribut i tyre. Institucionet në Prizren nuk u kanë kushtuar trajtim adekuat mërgimtarëve tanë, si rrjedhojë nuk ka një strategji si të ofrojë një trajtim më të mirë për mërgimtarët”, ka thënë ai. Sipas LVV-së, bashkatdhetarët, të cilët vijnë nga Prizreni, trajtohen vetëm si administratë.
Sipas Rexhajt, mungesa e një evidence dëshmon dështimin e sistemit kundruall diasporës dhe vë në pah paaftësinë për të tërhequr investimet prej tyre për mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal.
Në anën tjetër, drejtori Baldedaj mohoi që ideja për fillimin e projektit që ka të bëjë me regjistrimin e mërgimtarëve të ketë ardhur nga një subjekt opozitar. “Kjo nuk ka nisur për shkak të kritikave, por ka qenë në planin e punës dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, pra assesi nuk ka të bëj me VV-në”, ka thënë ai për “Zërin”.
Baldedaj këtë e mbështeti duke sqaruar se paraprakisht ka qenë i hapur konkursi për punëtorë, të cilët janë trajnuar, ndërsa “kritikat e VV-së kanë qenë të vonuara.