“EC Ma Ndryshe” sot mbajti debatin e rradhës mes qytetarëve dhe përfaqësuesve nga Gjykata Themelore në Prizren me temën “E drejta e gruas në trashëgimi”, në kuadër të projektit “Lidhja e komunitetit me shërbyesit e drejtësisë” të financuar nga USAID dhe mbikëqyrur nga ATRC. Debati kishte synim të nxisë diskutimin mes qytetarëve, panelistëve dhe Gjykatës Themelore në Prizren për konceptet themelore të trashëgimisë me testament dhe me ligj, me theks të veçantë për gratë. Për të diskutuar me qytetarët në këtë debat, të pranishëm ishin: Mehmet Ndrecaj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren dhe Valbona Salihu, nga Shoqata e Juristeve “NORMA”.
Shoqata e Juristeve “NORMA”, në bazë të përvojës nga puna në teren, veçanërisht me rastin e monitorimit të rasteve në gjykata dhe me aktivitete tjera, paraqiti një analizë të shkurtër për gratë dhe të drejtën e tyre në trashëgimi.
Sipas Salihut, qyteti i Prizrenit prinë me më së shumti raste, kur gratë marrin apo pranojnë të drejtën e tyre mbi trashëgiminë. Përfaqësuesi i Gjykatës foli për përgjegjësitë, rolet dhe punën e gjykatës në aspektin e lëndëve të trashëgimisë si dhe për të drejtat, mundësitë dhe shërbimet që i ofron gjykata për qytetarët e Prizrenit për rastet e trashëgimisë e sidomos për gratë. Pjesa e dytë e debatit ishte më interaktive, me pyetjet dhe komentet e qytetarëve, përfaqësuesve të mediave dhe shoqersië civile të pranishëm në diskutim, për çështjet e vonesave në procedurat e trashëgimisë në gjykata, ankesat në rastet kur ndonjëri prej pasardhësve nuk përfshihet në testament, për trashëgiminë përmes kontratës për mbajtje të përjetshme dhe përfshirjen e gruas në kontratat e shitjes dhe blerjes.
Projekti “Lidhja e komunitetit me shërbyesit e drejtësisë” përkrahet financiarisht nga USAID, mbikëqyret nga ATRC dhe implementohet nga “EC Ma Ndryshe”. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është përmirësimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në sektorin e drejtësisë dhe rritja e besimit në sistemin e drejtësisë.
“EC Ma Ndryshe” do të vazhdojë të organizojë debate mes qytetarëve dhe gjykatës me qëllim të informimit sa më të mirë mbi të drejtat e tyre dhe krijimin e hapësirës për bashkëpunim të të dyja palëve. /PrizrenPress.com/