Të hënën në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren ishte planifikuar që të mbahej seanca gjyqësore ndaj drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, dhe dy zyrtarëve tjerë të arsimit të cilët po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Bashkë me ta po akuzohet edhe një biznesmen nga Prishtina për vepër penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.
Gjykimi i planifikuar për të hënën nuk u mbajt për shkak se kryetari i trupit gjykues ishte i angazhuar në një konferencë të organizuar nga OSBE.
“I kam njoftuar palët me kohë që do të shtyhet seanca, për shkak se më duhet të jem në konferencën e organizuar nga OSBE’’, tha kryetari trupit gjykues Xheladin Osmani.
Gjykimi ndaj drejtorit Çoçaj dhe dy të akuzuarve tjerë, është shtyrë edhe herën e kaluar më 18 tetor, mirëpo kjo shtyrje kishte ndodhur për shkak se i akuzuari Çoçaj, një ditë më parë kishte deponuar një parashtresë në gjykatë, me të cilën kishte kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore.
Në parashtresën e siguruar nga KALLXO.com, Çoçaj thoshte se pikërisht në ditën e seancës gjyqësore është caktuar edhe seanca e Kuvendit Komunal në Prizren në të cilën, siç shkruante drejtori i arsimit, është caktuar edhe pika e rendit të ditës Propozim Buxheti për Vitin 2015- 2017.
Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, të pandehurit Nexhat Çoçaj, Nezir Osmani dhe Gëzim Gërgi, akuzohen se nga 28 shtatori 2009, e deri më 03 nëntor 2009 në Prizren, në cilësinë e personave zyrtarë, i shfrytëzuan detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkelin me dijeni ligjin e prokurimit dhe kushtet e parapara me kontratën e lidhur mes komunës së Prizrenit dhe NTSH “Rikon” për furnizimin e shkollave të Komunës së Prizrenit me aparate fotokopjuese.
I pandehuri Nezir Osmani, zyrtar për financa në Drejtorinë e Arsimit, sipas aktakuzës “pa autorizim pranon furnizimet me aparate fotokopjuese, nuk e njofton fare zyrtarin e autorizuar, nuk i përfill proceduarat e pranimit, menjëherë i shpërndan këto aparate nëpër shkolla pa bërë verifikimin paraprak të tyre”.
Poashtu, sipas aktakuzës Gëzim Gërgi menaxher i IT-së në DKA, së bashku me Nezir Osmanin, nënshkruan procesverbalin pa bërë verifikimin e mallit të pranuar, ashtu si parashihet në kontratë, duke pranuar aparate fotokopjuese me format letre A4 dhe A5, e jo të formatit A3, A4 dhe A5.
Aktakuza thotë se Nexhat Çoçaj, në cilësi të koordinatorit të Drejtorisë së Arsimit, duke ditur për parregullsitë e procedurës lidhur me këtë furnizim, më 3 nëntor 2009 e nënshkruan raportin e pranimit, edhe pse raportin e pranimit është dashur ta nënshkruaj drejtori i projektit Florim Metaj, me ç’rast nga zyra e thesarit paguhen 18 mijë euro në xhirollogarinë e NTSH “Rikon”.
Me këtë, sipas aktakuzës së prokurorisë, buxhetit të Komunës së Prizrenit, i është shkaktuar dëm prej 3 mijë e 600 euro.
Në këtë aktakuzë është i përfshirë edhe biznesmeni nga Prishtina Sami Makolli, për të cilin thuhet se ka shkelur rëndë ligjin- dispozitat e kontratës së lidhur mes komunës së Prizrenit dhe NTSH “Rikon”, firmë të cilën ai e udhëheq.
Për këto veprime Makolli, akuzohet për vepër penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.
Seanca e ardhshme gjyqësore, do të mbahet më 28 tetor 2014
Seanca e radhës do të mbahet dikur kah fundi i tetorit./Kallxo.com/