Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka lëshuar seancën e jashtëzakonshme, pasi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar nga kryeparlamentari, ose t`iu bëj thirrje publike ligjvënësve të pozitës që t’i përkrahin kërkesat e policisë, ose t`ia lirojë vendin ndonjë nënkryetari të opozitës.
Konjufca u pajtua me deputeten e PDK-së, duke thënë se po e liron karrigen, dhe seancën ta udhehqë njëri nga nënkryetarët e Kuvendit, i PDK-së ose i LDK-së.
“Pajtohem plotësisht me kërkesën tuaj. Seancën pra ta udhëheq ose nënkryetari i Kuvendit i PDK-së, nga ana e juaj ose i LDK-së”, tha Konjufca.
Pas kësaj, ende nuk është e qartë nëse do të vazhdojë seanca, apo njëri nga nënkryetarët e kuvendit nga radhët e opozitës do ta mbyll, për të vazhduar në ndonjë ditë tjetër.
Deputetja Musliu gjatë fjalimit të saj në Kuvend ka deklaruar se as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufcës nuk është krejt i pafajshëm.
“Kryetar nuk jeni krejt i pafajshëm, ose bëni thirrje publike deputetëve tuaj që të përkrahin kërkesat e policisë ose lirojeni e ndonjë nënkryetar ta udhëheq seancën”, ka theksuar Musliu.
Opozita kritikon mospjesëmarrjen e pushtetit në seancën e jashtëzakonshme
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e ftuar nga opozita për të diskutuar për rezolutën për Policinë e Kosovës, po bojkotohet nga deputetët e LVV-së. Në seancë të Kuvëndit janë vetëm deputetët e PDK-së,LDK-së dhe AAK-së si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Partitë opozitare e kanë kritikuar mospjesëmarrjen e pushtetit në seancën e jashtëzakonshme për Policinë.
Shefi i Grupit Parlamentar nga PDK-ja, Abelard Tahiri ka kritikuar partinë në pozitë LVV-në të cilët nuk po marrinë pjesë në seancën e jashtëzakonshme e cila ka të bëjë me “Rezolutë për mbështetjen financiare të Policisë”.
Tahiri gjatë kësaj seance ka theksuar se LVV-ja po ia pamundëson opozitës që ata t’i përdorin instrumentet e tyre parlamentare.
“Këta përfaqësues të 50 për qindëshit i ikin seancës, dhe policisë. Pozita po na i pamundëson instrumentet tona parlamentare. Për çka kemi ardh ne këtu? Jemi në vendin tonë të punës. Askush nuk mundet me na i dirigju rregullat se si duhet të veprojmë ne. Sot vendi ynë më shumë se kurrë do duhej të tregojë unitet për Kosovën, pasi Policia e Kosovës jetën e tyre e vënë në rrezik siç është rasti i Afrim Bunjakut. Me ndejt duarkryq dhe me ik një seancë të tillë nga LVV është një turp i madh”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se është për keqardhje mungesa e shumicës parlamentare dhe është e turpshme për temën për të cilën është debati.
“Këtë sjellje dikush po dëshiron ta kthej në normë dhe praktikë, dhe është një praktikë e keqe dhe nuk i kontribuon as zhvillimit të demokracisë dhe as vendit”, ka theksuar ai. Sipas tij, kjo është sjellje e papranueshme për qytetarët e republikës, dhe nuk është vetëm në interes të opozitës.
“Nëse kërkesa e opozitës është e papranueshme për shumicën parlamentare, a është e pranueshme peticioni i më shumë se 62% i policëve të Kosovës, i nënshkruar dhe i dërguar në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Zemaj.
Shefi i Grupit Parlamentar nga AAK-ja, Besnik Tahiri ka thënë se çështja për Policinë e Kosovës për mbështetjen financiare të tyre as që do duhej të diskutohej, pasi siç u shpreh ai është diçka e mirëqenë.
Tahiri ka deklaruar se në seancat e Kuvendit do të duhej të diskutohej për sigurinë shëndetësore të Policisë dhe për pensionim të parakohshëm të tyre.
“Është dashur të diskutojmë për sigurinë shëndetësore të policëve, për pensionim të parakohshëm”, ka thënë Tahiri. Ai tha se duhet të kthehen dhe të bisedojnë në Kryesinë e Kuvendit nëse duan të flasin apo jo për këtë çështje apo siç tha ai “të shkohet në zgjedhje”.
Pak para fillimit të saj, deputetët e AAK-së kanë shpërndarë disa letra në ulëset e deputetëve të LVV-së dhe në ulëset e ministrave të qeverisë. Në to shkruan “e harruat policinë”. Një letër e tillë i është vendosur edhe kryeparlamentarit Konjufca.
E kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk ka kursyer batuat me shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“A pi donë disa gërshërë se më dhëmb është vështirë me këput ngjitësin”, “Vështirë është me ja gjet fijen”, ishin batutat e Konjufcës drejtuar Tahirit të AAK-së./RTK