NISMA për Kosovën sot e themeloi Këshillin Iniciues në qytetin e Rahovecit, ku me këtë rast u mbajt edhe një tubim, ku ishin të pranishëm një numër i madh i qytetarëve që iu bashkëngjitën NISMËS.
Kryetari i Këshillit Kombëtar z. Jakup Krasniqi ka thënë se Nisma për Kosovën ka ardhur në Rahovec për të kërkuar ndryshimin për qytetarin rahovecian, për njeriun tonë kudo që jeton në vendin tonë.
“ Nisma për Kosovën nga ju Rahovecianët kërkon besën për të ndërtuar shtetin e se drejtës me votën tuaj, për fëmijët tanë. Brezi ynë, pesëmbëdhjetë vjet pas lirisë se fituar me sakrifica të shumta, s’ka si mos të ndihemi të pakënaquri me institucionalizimin e lirisë se fituar me gjak. UÇK-në ende nuk po e shohim vlerë të përbashkët kombëtare”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, ky brez ka obligim ta institucionalizoj lirinë, por kjo nuk bëhet pa vullnetin politik për shtetin e se drejtës.
“Bërja e shtetit të së drejtës na bënë me dinjitet në vendin tonë, na bënë të dinjitetshëm për të fituar liberalizimin e vizave dhe i hapë të gjitha rrugët e integrimeve evropiane. Çelësi i të gjitha këtyre është shteti i bazuar në vlera demokratike kombëtare dhe euroatlantike”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje Krasniqi ka thënë se, “Kosova ka nevojë për shtetin e se drejtës. Shteti i se drejtës nuk bëhet duke shkelur përditë ligjet e shtetit nga të paret e tij, nga ata që duhet të vihen në mbrojtje të tij. Shteti i se drejtës nuk bëhet as me mashtrime të përditshme nëpër Kosovë, por duke qeverisur me përgjegjësi.
Shteti i se drejtës, na duhet të gjithëve. Po ai nuk vjen vet, ashtu si nuk erdhi deri më tani. Ai nuk vjen pa vullnetin tuaj për ndryshime. Oferta jonë ka qëllimin fisnik me vete: T’ua kthejmë qytetarëve shpresën dhe besimin në bijtë e tyre, në politikën dhe shtetin e tyre, për të ardhmen tonë të përbashkët. Ne me besimin tuaj e përkushtimin tonë mund ta ndryshojmë Kosovën tonë”.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMËS, Jakup Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhet një Strategji e zhvillimit ekonomik, politika të qarta fiskal që stimulojnë investimet, bizneset dhe janë në shërbim të shtetit social. “Te dy këto çështje mund të harmonizohen, por duhet dije profesionale nga ekspertet dhe njerëzit kompetent, njerëz që e duan vendin dhe popullin e vet. Edhe Rahoveci duhet ta këtë planin e zhvillimit e të përparimit për ndërtimin dhe shfrytëzimit të kapaciteteve të agrikulturës që ofron dhe ofron shume. Por ky ndryshim e zhvillim nuk behet me premtime boshe e mashtrime të përditshme. Ne, të Nismës për Kosovën, jemi sa të fjalës po aq edhe të Besës, prandaj kërkojmë edhe besimin tuaj!”, ka shtuar tutje Krasniqi.
“Ne, jemi të bindur se ka ardhur koha që Kosova të qeveriset nga njerëzit e ditur e kompetentët, për të ndodhur kjo, në Kosovë duhet të behën ndryshime të mëdha në qeverisje. Nisma për Kosovën e garanton ketë! Ne, dëshirojmë dhe garantojmë qeverisje të lirë e të mirë, qeveri transparente që dinë e donë të punoj drejt. Në asnjë vend në vendet e BE-së nuk ka qeverisje me pesë zëvendëskryeministra e mbi 40 zëvendësministra. Ky veprim është dhurim i posteve dhe i parave publike në vendin më të varfër të Evropës. Ky është abuzim i skajshëm i pushtetit të marr nga populli!
Ne, jemi të gatshëm e të vendosur t’i shërbejmë atdheut, qytetarëve u përket besimi për Nismën! Nisma sjellë ndryshimin, por për ketë duhet besimi i Juaj! Ne garantojmë qeverisje të mirë e të lirë!”, ka thënë në fund Krasniqi.
Ndërsa Kryetari i Kryesisë së NISMA për Kosovën z. Fatmir Limaj ka thënë se është koha që djemtë dhe vajzat e Rahovecit të bashkohen me alternativen e NISMËS për ta ndryshuar gjendje në vendit.
“ Që 15 vjet ne ende flasim për institucione të degraduara në të gjitha nivelet, këto institucione identifikohen vetëm me individ. Politikanët në çdo rast e quajnë veten me emër të përveçëm dhe nuk janë në gjendje të flasin dhe të bashkëpunojnë më qytetarin. Ne nuk mund të vazhdojmë në këtë gjendje mbijetese, pasi që e ardhmja është shumë e pa sigurt dhe viti që vjen mund të jetë edhe më i rëndë për të gjithë qytetarët e vendit. Rahoveci gjithmonë ka qenë kontribuues për ndryshime pozitive, si në kohë lufte ashtu edhe tani”, ka thënë Limaj.
Sipas tij, Kosova ka shumë nevojë për ndryshim dhe ristrukturim të plotë të gjendjes në vend. Limaj ka shtuar se “kemi nevojë për ndërtimin e marrëdhënieve tjera brenda institucioneve tona dhe raporteve me miqtë ndërkombëtarë dhe kjo arrihet vetëm me djem dhe vajza të duhura dhe me shkollim të lartë”.
Mungesa e planeve dhe e projekteve në Arsim, Energji, Bujqësi e Shëndetësi, sipas kryetarit të NISMËS për Kosovën, Fatmir Limaj kanë krijuar një gjendje të mjerueshme në Kosovë. “Sot ka ardhur koha që Kosova të ketë një qeveri meritore që di dhe guxon të ndërmarrë projekte të rëndësishme që do të ndryshojnë jetën e qytetarëve. NISMA për Kosovën nuk ka ardhur për të premtuar fjalë të mëdha, por për të bërë punë të mëdha”, tha Limaj.
Ai vlerësoi se Rahoveci ka potencial të madh bujqësor, por shtoi se ka mungesë investimi strategjik dhe kjo e bllokon për ta kthyer atë në vend eksportues.
“ NISMA do ti kushtojë rëndësi të veçantë sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit të bizneseve të vogla e të mesme. Për të përkrahur ekonominë tonë, të gjithëve na duhet një sistem energjetik i qëndrueshëm. Energjia është një ndër sektorët që duhet të fuqizohet e mos të bllokohet siç ka ndodhur deri më tani. Koha ka ardhur që secili qytetarë të mendojë dhe reflektojë se a dëshirojmë të vazhdojmë me këtë trend të shkatërrimit të shtetit, të thellimit të krizës dhe varfërisë apo duam ndryshime. NISMA mendon që koha ka ardhur për ndryshime. Prandaj, NISMA është e juaja dhe te gjithë ne duhet të nisemi drejt ndryshimit”, ka thënë në fund Limaj.
Ndërsa kryetari i Nisma për Kosovën në Rahovec, Sadik Krasniqi ka thënë se, qytetaret e Rahovecit për plot 15 vite ende vazhdojnë të kenë zhgënjime për situatën në Kosovën. Sipas tij, edhe Rahoveci është pjesë e kësaj gjendje të rëndë.
“ Populli ynë po përjeton dukuri të këqija siç janë, krimi i organizuar, mungesa e perspektives ekonomike, papunësia e të rinjve e shumë të tjera. Kjo situatë në të cilën ndodhemi na ka shtyer që të hapën dyert për një qeverisje të re dhe një alternativ më ndryshe dhe kjo është NISMA për Kosovën. NISMA do t’i kushtojë një rendësi të veçantë bujqësisë në Rahovec , dhe do t’i ngrit të gjitha problemet që sot ballafaqohen rahovecianët”, ka thënë Krasniqi.