18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

KQZ mundësi të mira edhe për të verbërit

Daka takim me te verbritKryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka priti në një takim kryetarin e shoqatës së të verbërve dhe me të parë të dobësuar të Kosovës, Bujar Kadriu i cili shoqërohej nga drejtori i qendrës për ofrimin e shërbimeve për këtë shoqatë, Daut Tishuki.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar që edhe kjo kategori e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote të mund të votojnë në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndër institucionet e rralla në botë që personave të verbër dhe me të parë të dobësuar u mundëson të votojnë në mënyrë të pavarur dhe të ruajnë fshehtësinë e votës së tyre, përmes Shabllonëve në shkrimin e Brail-it.

Pas takimit, në një konferencë për media, Kryetarja e KQZ-së, Daka u shpreh se kjo është një e arritur pasi edhe një kategori e caktuar e shoqërisë sonë i mundësohet të votojë dhe të mos kufizohet nga një e drejtë kushtetuese. “Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe është një imazh i mirë për KQZ-në dhe Kosovën, me të cilën të drejtat e qytetarëve me aftësi të kufizuara respektohen dhe u jepet mundësi e barabartë sikurse të gjithë qytetarëve të tjerë”, tha kryetarja Daka, e cila shtoi se KQZ edhe në zgjedhjet e kaluara ka përmbushur këtë obligim.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së të verbërve të Kosovës dhe me të parë të dobësuar, Bujar Kadriu, fillimisht shprehu mirënjohje të thellë për KQZ-në, që ka krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët me të drejtë vote, për votim të pavarur. “KQZ-ja duhet të jetë shembull për shtetet në rajon se si duhet të organizohen zgjedhjet dhe të krijohen mundësi të barabarta për të gjithë grupet e qytetarëve në Kosovë, në veçanti për personat me aftësi të kufizuar, në këtë rast për persona të verbër dhe me të parë të dobësuar”, tha Kadriu.

Në anën tjetër, Daut Tishuki bëri të ditur se në çdo Qendër Votimi, do të ketë nga dy shabllonë të tillë, si dhe në shkrimin Brail dhe në audio do të jetë edhe Lista e kandidatëve të subjekteve politike. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit