7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Kuçi: Limaj e Krasniqi do të dëmtojnë PDK-në

Kuci-hajredin5-30Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi në një intervistë për Gazetën Blic ka thënë se nuk është lajm i mirë për PDK-në largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Ai thotë se largimi i tyre pa dyshim se do ta dëmtojë partinë e Thaçit, por shprehet i bindur se PDK megjithatë do të mbetet partia numër një në vend. Kuçi thotë se edhe tani ka hapësirë të mjaftueshme për bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe Nismës së Limajt e Krasniqit.

Kuçi nuk dëshiron të komentoj shumë për skandalin e ministrit Blerand Stavileci me traktorë, për të cilin skandal ka raportuar Gazeta Blic dhe është konfirmuar edhe nga vetë ministria e Bujqësisë. Për çështjet e ministrave ai ka thënë se vendos kryeministri Thaçi. Kuçi thotë se në PDK nuk ka njerëz të fuqishëm, saqë partia të mos mund t’i largoj nga lista zgjedhore.

Kuçi akuzon presidenten Atifete Jahjaga se ka gënjyer kur ka deklaruar se edhe Ministria e Drejtësisë ka qenë pjesë e komisionit për faljen e të burgosurve. Ministri i Drejtësisë thotë se ka kërkuar që të hetohet ky rast nga Kryeprokurori dhe nga misioni i EULEX-it. Ai ndër të tjera në këtë intervistë thotë se suksesshëm po i menaxhon burgjet, ku sipas tij nga 2000 të burgosur, tash e sa kohë nuk ka ndodhur asnjë problem i madh.

I dyti i PDK-së në pjesën e dytë të intervistës që do të botohet nesër flet për zgjedhjet, flet për takimin Thaçi- Mustafa, për atë se çka është biseduar në atë takim, flet për Tribunalin për Krime lufte, për Misionin e EULEX-it, për çështjen e koalicionit paszgjedhor, për Universitetin e Prishtinës, për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe shumë çështje tjera që lidhen me zhvillimet aktuale politike.

Ka hapësirë bashkëpunimi PDK- Nisma

Blic: Dy drejtuesit e PDK-së dhe dy ndër njerëzit më të votuar të PDK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, dje edhe zyrtarisht u ndanë nga PDK-ja dhe e themeluan një subjekt të ri politik. A mendoni se do ta dëmtojë PDK-në kjo Nismë dhe largimi i tyre?

Kuçi:Në jetën plurale ndodhin edhe këto. Demokracia lejon edhe mendime ndryshe brenda subjektit. Nuk është lajm i mirë për PDK-në largimi i tyre. Të gjithë e kemi pranuar këtë fakt. Natyrisht që do t’i shohim hapat, veprimet që do t’i ndërmarrim në të ardhmen. Unë mendoj që ka hapësirë, që secili të bashkëpunoj edhe në të ardhmen ashtu siç kemi bashkëpunuar në parti. Të shohim mundësinë të punojmë bashkë edhe në të ardhmen për të mirën e vendit.

Blic: Mendoni se ka hapësirë për bashkëpunim ndërmjet PDK-së e Krasniqit e Limajt?

Kuçi:PDK-ja nuk e ka logjikën refuzuese me asnjë subjekt politik, e aq më pak me ata që e kemi ndërtuar konceptin e përbashkët të partisë dhe besoj që prapë kemi pika të përbashkëta edhe për bashkëpunim në të ardhmen. Nuk e marrim si logjikë refuzuese as me këta, as me të tjerët. Në veçanti në planin personal themi se jemi të njëjtë, as nuk kemi qenë më shumë miq kur kemi qenë në parti e as tash.

Blic: Çka ndodhi, pse erdh deri te largimi i tyre?

Kuçi:Besoj dhe vazhdoj të besoj bindshëm që ka pasur hapësirë të mjaftueshme që gjërat t’i thonë, t’i bëjnë në PDK dhe fuqia e ndryshimit të tyre jo vetëm në PDK, por edhe në Kosovë ka qenë më e fuqishme brenda PDK-së sesa jashtë saj.

Kushdo që del nga PDK merr diçka me vete

Blic: Thatë që largimi i tyre do ta dëmtojë PDK-në. Keni bërë analiza, sa do t’ju dëmtojë?

Kuçi:Këto analiza do të mund të jenë spekulative. Ata njerëz kanë pasur pozita në PDK, kanë pasur emër në PDK, dhe është normale, është logjike që kushdo që del nga PDK-ja, natyrisht se merr edhe diçka me vete. Sidoqoftë, ne mendojmë që të rikuperojmë këtë situatë, nëse krijohet ndonjë vragë. PDK do të vazhdoj të punoj, do të vazhdoj të jetë partia e parë politike në vend dhe do të jetë alternativa më e besueshme për qytetarët e vendit.

Blic: Besoni se keni njerëz që do t’i mbuloni këto hapësira të krijuara pas largimit të tyre? Limaj ta zëmë ka pasur 75 mijë vota e Krasniqi mbi 30 mijë vota, pra kanë qenë njerëzit më të votuar pas Thaçit?

Kuçi:Është e vërtetë që kanë qenë ndër njerëzit më të votuar jo vetëm në PDK, por edhe në Kosovë. Natyrisht secili prej nesh, edhe unë që kam qenë në mesin e të parëve, e kam konsideru votën time të ngjitur për PDK-në. Kur ndahem prej PDK-së nuk e di sa vota do t’i marrë un e sa do t’i mbesin PDK-së. Sidoqoftë të jetë, jam i bindur se PDK-ja ka pasur lidership dhe ka edhe sot lidership të qëndrueshëm. Unë e kam thënë në një rast se në PDK janë me qindra njerëz, por kam thënë së paku se në PDK janë 20 të dytë, pra PDK ka shumë kapacitete të krahasueshme me të partive tjera, për të mos thënë në shumë raste edhe më të mira se të gjitha partive tjera.

Blic: Ne e dimë se në zgjedhjet e fundit, PDK-ja ka pasur një rënie të rezultatit zgjedhor. Pra nga 32, ka rënë në 27 për qind, pra mbi 5 për qind. A është një prej faktorëve që ka ndikuar edhe largimi i Limajt e Krasniqit?

Kuçi: Në shpërndarjen e votave në 11 komuna kemi njerëzit e PDK-së , që kanë ndalë nga PDK-ja. Me siguri se ata kanë marrë diçka.

Blic: Pse ka ndodhur largimi i tyre?

Kuçi:Normal që në çdo parti të madhe, njerëzit kanë edhe ambicie. Dhe shpesh herë partia atyre iu duket e vogël. Frustrimi ndodh kur ambiciet dhe kapacitetet nuk përputhen njëra me tjetrën. Kjo është normale, ndodh gjithçka. Por, PDK-ja e ka ruajtur stabilitetin më të madh prej paslufte e deri më tani. Besoj se edhe tani do ta ruaj. E kemi liderin, dhe partitë që e kanë liderin e kanë shumë ma lehtë që ta ruajnë këtë stabilitet, por do të punojmë që ta rikuperojmë çdo lëshim. Besoj se kuadri i PDK-së, kapacitetet e PDK-së dhe programi i saj është i pakrahasueshëm me të tjerët. Këtë bindje e kanë edhe partitë tjera për ne, që nuk mund ta mundin PDK-në një nga një. Por, mundohen që të bëhen të gjitha bashkë, ose tentojnë ta përçajnë PDK-në, në mënyrë që ta mundin.

Blic: Megjithatë, kjo është legjitime…

Kuçi:Është normale, dhe ju e keni parë që ne nuk luftojmë me ta, përkundrazi ne e marrim si shumë demokratike këtë gjë. PDK-ja një nga një do t’i mund të gjitha.

Kryeministri vendos për Blerandin

Blic: Por trendët e thonë të kundërtën. I pamë zgjedhjet lokale, shumë zyrtarëve të PDK-së janë të zhytur në skandale, kemi rritje të varfërisë…

Kuci:Asnjë ministër nuk është zhytur në skandale…

Blic: Rastin e fundit e kemi me ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci. Një traktor kjo ministri e paguan 52 mijë euro, e ne treg kushton 26 mijë euro. Madje, më skandal është se ky traktor shitet sërish, pa u shfrytëzuar për çka është destinuar…

Kuçi:Nuk e di këtë rast…

Blic: Këtë gjë e ka konfirmuar edhe ministria. A duhet të merren masa në këtë rast ministrit në fjalë?

Kuçi:Nuk e di këtë rast. Ne, mediet dhe opinionin publik i marrim shumë seriozisht, dhe çdo informatë që del në medie e trajtojmë nëse ka elemente serioze….

Blic: Kemi konfirmim edhe nga vetë ministria…

Kuçi:Ka elemente që duhet t’i ndërmarrim ne, por ka elemente që duhet t’i ndërmerr edhe prokuroria. Por, ajo çka dua të them është se ne nuk kemi informatë zyrtare, dhe unë personalisht nuk kam për një veprim të tillë.

Blic: Ta lëmë këtë rast, edhe pse i konfirmuar. Të flasim parimisht, në raste të tilla kur ka konfirmim zyrtar, ose si te rasti i skandalit të MPB-së, a duhet partia të merr masa ndaj këtyre shkelësve të ligjit?

Kuçi:Unë mendoj që kryeministri merr veprime të tilla…

Blic: Mirëpo, ju jeni zëvendëskryeministër dhe nënkryetar i partisë…

Kuçi:Për qeveri vendos kryeministri, si nënkryetar i partisë, e them se çdo kush është i pafajshëm deri sa nuk shpallet fajtor nga një vendim i formës së prerë nga gjykata. Ky është parim kushtetues- juridik i prezymimit të pafajësisë. Ne e marrim shumë seriozisht kur mediet reagojnë ndaj dikujt, por nuk mund ta ndërrojmë menjëherë. Por kur ato fakte përputhen me realitetin merre edhe masa.

Blic: Z. Kuçi, ne kemi raste nga vende të ndryshme demokratike, si në Britani ku ministri i migracionit jep dorëheqje vetëm pse ka punësuar një pastruese, e cila pasi i verifikohen dokumentet del që nuk i ka pasur të gjitha në rregull. Ndërkaq, këtu skandalet konfirmohen e nuk kemi kurrfarë mase ndaj askujt, si rasti i ministrit Stavileci, ministrit Rexhepi…?

Kuçi: Ajo çka dua të them, se krahasimi edhe në shkencë edhe në jetë edhe në sport bëhet në mes të kategorive dhe llojeve të njëjta. Dhe lloji i njëjtë është krahasimi me rajonin, dhe më vonë do të mund të krahasohemi me vendet tjera demokratike, si Britania etj. Ajo çka dua të them është se kjo do të mbetet në ndërgjegjen e individëve. Në Kushtetutën e Kosovës, thuhet se çdo person i cili nuk e ka aktgjykimin e formës së prerë, i dënuar mbi një vjet, ka të drejtë të mbajë poste publike. Në këtë rast partia politike, e paguan çmimin politik, nëse perceptimi krijohet i tillë, natyrisht se partia humb edhe në vota, humb edhe individi.

Blic: A mendoni se një prej arsyeve pse keni pasur rënie si parti në zgjedhjet e fundit është ky imazh, gjegjësisht skandalet dhe proceset gjyqësore të shumë zyrtarëve partiak?

Kuçi:Ato nuk janë ngjarje të këndshme as për partinë e as për opinionin publik. Por, dua të them një fakt që PDK-ja nuk është imune ndaj këtyre ngjarjeve, por natyrisht se PDK-ja është në qeverisje… Në asnjë vend edhe të BE-së, përfshirë edhe Britaninë, nuk ka njerëz të pushtetit të atakuar sa në Kosovë…

Blic: Në çfarë kuptimi e mendoni atakimin?

Kuçi:Partia në pushtet ka pasur vazhdimisht atakime. Kjo tregon se ka pavarësi të gjyqësorit në Kosovë, kjo tregon se qeveria nuk ndërhyn në punën e hetuesisë, në punën e gjyqësisë.

Blic: Pavarësisht që gjyqësia e ka bërë punën e vetë, ju si parti nuk keni vepruar? I keni futur edhe nëpër lista zgjedhore. A s’keni mundur t’i hiqni nga lista, apo janë shumë të fortë sa s’mund t’i largoni?

Kuçi: Jo, ata kanë të drejtë kushtetuese që të kandidojnë. Partia i bënë kriteret vetë, por e drejta kushtetuese, ligji nuk është shkelë në asnjë rast.

Blic: S’po flasim për shkelje ligji, por si imazh i partisë…

Kuçi:Ajo është çështje e partisë, dhe secila parti e mendon për vete dhe në fund e paguan çmimin.

S’ka të fortë në PDK

Blic: D.m.th., nuk janë shumë të fortë saqë nuk mund t’i largoni?

Kuçi:Në demokraci i fortë dhe i dobët matet vetëm në proporcion me ligjin.

Blic: Po flasim për Kosovë. Dihet se këtu shumë gjëra bëhen ndryshe, që jam i bindur se edhe ju e dini…

Kuçi:Në PDK nuk ka njerëz të fortë që PDK i tutet.

Blic: Do të thotë në lista i futni se ju vie keq apo?

Kuçi:Ata prezantojnë diçka. Disa prej tyre kanë fituar shumë vota, mbi 80 për qind në komunat e tyre. Nuk është çështje e fortësisë. Çdo partie i konvenojnë njerëzit që sjellin vota më shumë. Shpeshherë ata në sytë e një grupi tjetër, mediatik, intelektual ose të ndonjë grupi tjetër mund të jenë më ndryshe. Mos harroni se në demokraci vota është e barabartë.

Jahjaga gënjeu

Blic: Z. Kuçi jeni përplasur me presidenten Jahjaga për çështjen e amnistisë. Madje ju e keni akuzuar se ju ka anashkaluar? Mirëpo, nga Presidenca ju demantuan, duke thënën se edhe Ju, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë, ka qenë pjesë e komisionit?

Kuçi:Kjo është një gënjeshtër e madhe.

Blic: A kanë qenë njerëz të ministrisë suaj në këtë komision?

Kuçi:Asnjë njeri i ministrisë s’ka qenë në këtë komision. Atë komision e ka themeluar vetë presidentja. Më ka anashkaluar mua personalisht. Mirë ka bërë në këtë rast, ngase në këtë drejtim unë nuk marrë asnjë akuzë. Me asnjë letër s’ka komunikuar presidentja me ministrin e Drejtësisë. S’duhet harruar se me të gjitha ligjet, me Ligjin për Administratën Shtetërore, me Rregulloren e Kuvendit thuhet se ministri është menaxheri kryesor dhe përfaqësuesi i ministrisë.

Çdo letër që vjen nga jashtë ministrisë dhe që del nga ministria, bëhet përmes ministrit. Do të thotë se ministrja komunikon me presidenten dhe presidentja me ministrin, e jo me stafin teknik, apo me Shërbimin Korrektues. E drejta e presidentes që të falë apo jo. Por në formularin që e ka dërguar, që e kam parë më pastaj, unë nuk kam qenë as në CC.

Në formularë shihet qartë, thuhet qartë se vlerësimi i rrezikut të recidivizmit është i mesëm, ngase personi vuan dënimin për herë të katërt. Prapë, presidentja ka të drejtë që ta falë, edhe kur është ashtu. Nuk dua ta akuzojë atë. Por, mua ma ka shqetësuar shumë fakti prej 1915 vetave të burgosur, dhe vetëm një prej tyre fale, e që njëri rast është skandal. Çka do të thotë kjo.

Ne tërë kohën i mbajmë njerëzit me sjellje të mira, duke i stimuluar që ata që sillen mirë, që e respektojnë rendin shtëpiak, do të kenë përfitime, qoftë vizita, e kështu me radhë. Dhe nëse ne nuk e kemi falur vetëm dy njerëz, është destimulim për ata. Kurrë në historinë e Kosovës nuk ka pasur burgosur më të rëndë sesa tani që ka, dhe poashtu të them se nuk ka pasur asnjë rast i vrasjeve, djegieve apo forma të tjera. Për mua nëse njerëzve do t’u jepje një shpresë, do t’i stimuloje për sjellje të mira. Po i përmendi tri kategori. Një, kemi gra që janë në burgun e Lipjanit për shkak të dhunës në familje. Disa prej tyre janë edhe ushqyese me fëmijë të gjirit.

Ne kemi fëmijë nën 18 vjet dhe ne kemi të vjetër mbi 65 vjet. Këto kategori kanë mundur të shikohen me një dioptri më ndryshe. Jo ata që kanë bërë vepra të rënda penale, trafikim, por me vepra që mund të jenë incidente të ndryshme. Risocializimi pas moshës 65 vjeçare nuk ndodh, pak njerëz në këtë moshë kthehen në jetë. Këtyre nën moshën 18 vjeçare a mund t’ua japim edhe një shanse. Nuk po them që t’ua heqim gjithë dënimin, por t’ua japim shembull dy ditë. Ka pasur mundësi.

Blic: A keni reaguar ju si ministër?

Kuçi:Natyrisht se kam reaguar. I kam dërguar letër presidentes, kryeprokurorit të shtetit, kryeprokurorit të EULEX-it që ta hetojnë rastin.

Blic: Ka filluar hetimi i rastit?

Kuçi:Është punë e tyre. Presidentes në letër i kam thënë se nuk e kontestoj të drejtën tuaj që të merrni vendime, as të organeve të pavarura. Nuk e ka kontestu vendimin e presidentes nëse ka qenë i drejtë apo jo. Kam tregu se çka ka ndodh dhe na ke vënë në siklet që t’i menaxhojmë 1915 veta, kur njerëzit nuk e shohin një shpresë se sjellja e mirë e tyre mund të shpërblehet…

Blic: Z. Kuçi kur jemi të burgjet, vazhdimisht është raportuar se disa prej njerëzve të fuqishëm, sillen në burgje sikurse të ishin drejtor. A keni ndërmarrë diçka në këtë drejtim?

Kuçi:Unë këto gjëra i kam dëgjuar vetëm nëpër medie. Poashtu po them se kam kërkuar raporte të veçanta. Shërbimi Korrektues është agjencion i pavarur me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Poashtu kam kërkuar hetime edhe nga EULEX-i. Poashtu disa prej tyre mund të jenë në QKUK apo diku tjetër. Por, më është konfirmu nga EULEX-i se ata asnjëherë nuk kanë shkuar atje pa vendim të gjyqtarëve të EULEX-it.

 

Më Shumë

Vdes aktorja shqiptare, Shirine Morina

Ka vdekur aktorja e njohur e skenës artistike të Kosovës, Shirine Morina. Vdekjen e saj e bëri të ditur, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci. Ai thotë...

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Sot në orën 16:00 do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina. Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të organizojë...

Lajmet e Fundit