Hajredin Kuçi e ka pranuar se Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi e kanë dëmtuar PDK’në me qëndrimin e tyre të mbajtur në zgjedhjet e fundit. Kuçi ka thënë se Limaj e Krasniqi do ta dëmtojnë edhe më shumë PDK’në nëse themelojnë parti. Por, ai ende beson se mund të ketë pajtim mes figurave kryesore të PDK’së. Gjatë një interviste televizive, Kuçi ka folur fjalë të mira për të gjithë, e në veçanti për Shefin. Për Hashim Thaçin, Kuçi ka thënë se është i pazëvendësueshëm.
Për herë të parë një zyrtar i lartë i PDK’së e ka pranuar se Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi e dëmtuan Partinë e Thaçit.
E, peshën e këtyre dy ish-udhëheqësve të PDK’së e kanë vërejtur në zgjedhjet e fundit lokale.
Duke e parë këtë situatë, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi ka thënë se Limaj e Krasniqi nëse duan sonte mund të kthehen në pozitat që kanë pasur më herët në parti.
Pra, Limaj në pozitën e Nënkryetarit Kadri Veseli, e Krasniqi në pozitën e Sekretarit që po e mbanë Basri Musmurati.
“Proceduralisht nuk ka asnjë problem”, ka thënë Kuçi për emisionin “Rubikon” të KTV’së.
Aq të lehtë e ka bërë kthimin e Limajt e Krasniqit në pozitat udhëheqëse në PDK sa ka thënë se kjo mund të bëhet sonte.
“Nuk ka nevojë për Konventë të re. Kryesia mund ta bëjë”, ka parashikuar ai.
“Nëse z. Krasniqi dhe Limaj, që sonte mund t’i kenë postet që i kanë pasur”.
Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi kanë dalë hapur kundër PDK’së në këto zgjedhje. Limaj ka përkrahur Ragib Begajn që ë mundi Isni Kilajn në Malishevë dhe ka përkrahur edhe rivalët e PDK’së në Prizren, Lipjan dhe në disa qytete të tjera.
Pavarësisht kësaj, Kuçi nuk ka folur për përjashtimin e tyre nga PDK’ja por ka thënë se ata ende janë në Partinë e Thaçit.
“Ata janë në PDK”, ka thënë Kuçi.
Ky zyrtar i PDK’së e ka pranuar se nëse Limaj dhe Krasniqi formojnë parti të re, atëherë do ta dëmtojnë Partinë e Thaçit.
Duke analizuar zgjedhjet e fundit, Kuçi ka thënë se të gjitha partitë duhet të reflektojnë, përveç AKR’së, që sipas tij, ka fituar më shumë se që ka pritur.
Ai e ka pranuar se ka pasur përçarje brenda PDK’së dhe lazdrim të disa kandidatëve për Kryetar të Komunave.
“Ka pasur përçarje”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, në Prishtinë, Kuçi ka thënë se PDK ka qenë kundër Isa Mustafës dhe LDK’së.
“K pasur qëndrim të mos votohet LDK’ja, njësoj sikur ka pasur qëndrim LDK’ja që mos të votohet PDK’ja”, ka arsyetuar Kuçi përkrahjen që i ka dhënë elektorati i PDK’së Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.
”Për në rival është LDK’ja. Ne me të parin bëjmë gara”, ka thënë ai.
Kui e ka shpërfillur AAK’në dhe Vetëvendosjen, duke thënë se vetëm Partia e Isa Mustafës është rivale e PDK’së.
“Konkurrent për ne ka mbet ende LDK’ja dhe mbetet LDK’ja”, ka shtuar ai.
Sikurse herëve të tjera, Kuçi fjalët më të mira i ka ruajtur për Shefin. Pra, për Kryetarin e PDK’së, Hashim Thaçi. Por, nuk ka kursyer lëvdata edhe për Kadri Veselin, për të cilin ka thënë se është angazhuar shumë për t’i sjell vota PDK’së. Në fakt PDK’ja e Kadri Veselit ka humbur në vendlindjen e tij në Mitrovicë dhe në disa qytete të tjera, ku ka pasur njerëz të afërt të tij, përfshirë Ferizajn e Lipjanin.
Sidoqoftë, për Kuçin, Hashim Thaçi duhet të jetë edhe më tutje në pushtet për tri arsye.
E para, pse Thaçi është i pakontestueshëm brenda PDK’së, ka partneritet me minoritetet dhe po ashtu ka dyer hapur për bashkëpunim edhe më ndërkombëtarët.
“Me qenë Kryeministër i vendit duhet me ditë rrugën edhe në Bruksel, edhe në Washington edhe tjera”, ka thënë ai.
Kuçi ka folur edhe për “Rastin Lushtaku”, ku ka thënë se askush s’ka biseduar për të kandiduar djali i Sami Lushtakut për Kryetar të Komunës.
Zëvendëskryeministri Kuçi është deklaruar edhe për paralajmërimet e Kryetarëve të rinj të komunave me shumicë serbe, duke thënë se të gjithë do t’u binden ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Flamuri dhe stema e Republikës së Kosovës do të vendosen nëpër ndërtesat e komunave veriore”, ka thënë Kuçi.
”Kushdo që nuk e respekton këtë do të këtë pasoja me ligjin”.
Ndryshe, Kuçi nuk ka dashur të komentoj polemikën e fundit mes Demaçit e zyrtarëve të LDK’së, duke thënë se secili e ka të garantuar të drejtën e lirisë së shprehjes, por në të njëjtën kohë duhet që secili të jetë edhe racional në vlerësimet publike.
Duke komentuar vendimin e fundit të Shqipërisë për refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike, Kuçi ka thënë se Edi Rama ka dështuar të menaxhojë situatën.
“Është mundur medialisht”, ka thënë ai.
“Partneriteti me SHBA’në nënkupton edhe privilegje edhe përgjegjësi”, ka shtuar ai.
Por, Kuçi nuk ka treguar se çfarë vendimi do të merrte Qeveria e Kosovës nëse një kërkesë e tillë do t’iu vinte nga SHBA’ja.