Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi, tha se iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve të kuvendarëve për shkarkimin e tij, është veprim personal i kryetares së NDS-it, Emilia Rexhepi.Pas raportimit në medie se përfaqësues të partisë së komunitetit boshnjak NDS, që janë në koalicion qeverisës me PDK-në në Prizren, që kishin marrë një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve të kuvendarëve të disa partive për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Kujtim Gashi. Lidhur me këtë në një prononcim për Televizionin e Prizrenit,kryesuesi Gashi, iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve e ka quajtur veprim personal të kryetares së NDS-it, Rexhepi, por jo edhe të zyrtarëve të tjerë të këtij subjekti politik.
Ai më tej tha se çështja e cila është përfolur se është bërë mollë sherri mes Emilia Rexhepit dhe tij, përcaktimi i lokacionit për ndërtimin e qendrës kulturore boshnjake as nuk është biseduar ndërmjet tyre, pasi që zyrtarët e subjektit që e drejton Emilia Rexhepi, vijoi kryesuesi Gashi, kërkesat dhe propozimet e tyre i drejtojnë dhe duhet ta bëjnë një gjë të tillë vetëm në adresë të organeve kompetente komunale, e jo të individëve, theksoi ai. Kryesuesi Gashi, tha se kjo nismë e kryetares Rexhepi, ka për synim fuqizimin politik të saj, dhe marrjen e primatit tek partitë e komunitetit boshnjak.Përcaktimi i lokacionit për ndërtimin e qendrës kulturore boshnjake është bërë shkas për daljen në shesh të pakënaqësive të përfaqësuesve të NDS-it.
Pak ditë më parë drejtuesja e këtij subjekti politik boshnjak, Emilija Rexhepi, pati theksuar se ka kohë që është “mbushur kupa” dhe se aktualisht koalicioni në Prizren është në krizë. Përfaqësues të NDS-së, që është pjesë e koalicionit qeverisës, udhëhequr nga PDK-ja në Prizren, kanë tentuar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal me qëllim të shkarkimit të kryesuesit Kujtim Gashi.Mirëpo, në këtë plan s’kanë mundur të siguronin përkrahjen e menjëhershme të partisë më të madhe opozitare, LDK-së.Madje këshilltarë të LDK-së kanë konfirmuar pranimin e një ftese nga NDS-i për t’iu bashkuar nismës për shkarkimin e kryesuesit, por kanë theksuar se ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të prerë../TV Prizreni/