19.6 C
Prizren
E shtunë, 2 Gusht, 2025

“Kujunxhinjtë” e Prizrenit

P rizreni veçohet me trashëgimi, ruajtje dhe pasuri arkeologjike. Por, edhe me ruajtjen e traditave e të trashëgimisë .Prizreni dallohet edhe si qendër vilajeti dhe qendër konsullore. Pas pushtimit turk më 1455, Prizreni kreu funksionin e qendrës së Sanxhakut, ndërsa me organizimin e ri administrativ të Perandorisë Osmane, bëhet qendër vilajeti. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, në Prizren hapen përfaqësitë diplomatike të disa vendeve të Evropës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Austria ishte vendi i parë që hapi përfaqësi konsullore, ndërsa këtë hap e ndoqën edhe Rusia, Anglia e Italia. Prizreni zë vend të veçantë edhe në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Derisa sipas Millan Shufllajt, Balshajt kishin në Prizren ipeshkvin katolik (frater Johannis episcopus Prizrenensis), i cili kishte lënë në Ston katër libra si testament, më 16 qershor 1375. Si dëshmi mbi administrimin e qytetit të Prizrenit nga Balshajt është varri i Strazimir Balshës, i gjetur afër varrit të Dushanit në manastirin e Kryeengjëjve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekje serioze për mbrojtjen e integritetit tokësor dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Të gjitha këto tek ndjenjat e atyre që merreshin me artin e bukur të filigranit, në një formë ose në një tjetër ata i bartën këto motive më vonë në punimet e tyre.

Ruajtja e traditës

Prizrenin për shkak të këtyre ngjarjeve dhe për faktin se ishte në qendër të vëmendjes u ngrit në piedestal punimi e “sermit” ashtu siç e quanin argjendin. Kjo pastaj të gjithë zejtarët i çoi drejt përbashkimit të tyre. Në kohën e dominimit të prodhimtarisë zejtare, Prizreni u ngrit në një nga qendrat më të mëdha zejtare në Ballkan. Në punëtoritë e shumta të këtij qyteti ushtroheshin më shumë se 120 lloje zejesh, nga më të ndryshmet. Prodhimet e zejtarëve prizrenas jo vetëm se shiteshin në tregjet e mbarë Perandorisë Osmane, por ato depërtonin edhe në vende tjera, madje edhe deri në Indi.

Në veçanti është e njohur tradita e përpunimit artizanal të metaleve fisnike – filigrani. Prizreni sërish mund ta fitojë shansin e vet historik në kuadër të një impakti ekonomik e kulturor. Revitalizimi dhe mbrojtja e fondit të trashëgimisë kulturore si dhe inkurajimi në riaktivizimin e atyre veprimtarive karakteristike ekonomike, do të mundësonin që Prizreni të bëhet partner i denjë në bashkëpunimin kulturor e ekonomik me qytetet tjera të Ballkanit, Evropës Juglindore dhe më gjerë. Po veçojmë vetëm rastin e “kujunxhinjve” siç janë quajtur kryesisht argjendarët. Dikur për prodhimet e këtyre kishte edhe një Çarshi që quhej “Çarshia e kujunxhinjve”.Zejen e punimeve të argjendit dhe filigranit kryesisht e kanë përcjellë argjendarët e besimit katolik. Duke filluar me Pjetër Kolveshin, i cili pastaj e përcolli deri tek i biri Antoni e më vonë nipat Petrushi, Mateja, Lorenci, Andreja etj. Meqë Prizreni vazhdoi të mbetet një qendër e tillë kryesore ndoshta në gjithë Ballkanin. Ata në vitin 1947 bashkohen në një kooperativë.

Dyqanet e shpërndara

Argjendarët janë ndër mjeshtrit më të njohur të Prizrenit, për esnafët e të cilëve kanë shkruar edhe historianët. Duke krijuar stoli e objekte arti prej arit, argjendit e metaleve të tjera, të kombinuara me gurë, ata kanë kontribuar në përhapjen e emrit të Prizrenit në tërë botën. Argjendarët e kësaj zone me teknikën e derdhjes kanë punuar kuti të duhanit, çibukë, cigarellëqe, pjesë të qostekut, unaza, byzylykë, vathë, pjesë të gjerdanëve, tabakë të mëdhenj, gota uji e vere, filxhanë, etj. Ndërkohë, me teknikën e filigranit, që është karakteristikë e argjendarëve prizrenas, pos që janë zbukuruar objektet e punuara me derdhje janë krijuar edhe vepra të shumta origjinale nga fijet e holla të metaleve të çmuara. Argjendarët dikur në Prizren kanë pasur edhe këndin e vet, që është njohur si Çarshia e Kujunxhillëkut. Ndërkohë, tani dyqanet e tyre janë të shpërndara.

Gjeneratat e reja vazhdojnë ta ushtrojnë këtë zanat, me trajta të reja. Për nga vjetërsia, byzylykët e tipit të mbyllur me disa rende zinxhirësh dhe disa lloje pafta brezi janë punuar në shekullin XVIII e XIX. Qostekët për orë të burrave, stolitë e kokës ” takëmi me aski”,unazat dhe byzylykët prej një e më shumë pjesësh dhe kornizat e pasqyrave janë të fundit të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX. Ndërkaq,punimet më të reja,të fillimit të shekullit XX, janë zinxhirët e burrave,vathët,qaforet e grave,byzylykët njëpjesësh,dypjesësh e shumëpjesësh të tipit të mbyllur, broshët dhe brezat e argjendta filigranike dhe byzylykët e brezat “fishekli”. Sot zeja e argjendarisë vepron në më se 5O shitore private. Në këto shitore ne mund të shohim ose të blejmë ndonjë prodhim të vjetër,të punuar para 5O-6O vjetësh kryesisht për regjionin e Hasit të Prizrenit dhe fshatrat e tjera përreth qytetit. Sot argjendarët punojnë modele të reja prej ari e argjendi, në përshtatje me kërkesat e reja të blerësve.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Arbër Prekazi largohet nga Malisheva pas dy viteve të lavdishme

Arbër Prekazi, i njohur nga të gjithë si "Preki", një prej figurave më të dashura për tifozët e FC Malisheva, ka mbyllur zyrtarisht aventurën...

Jeta me harrimin

Enver Sulaj Dje, për shembull Iku nga kjo botë edhe një njeri i mirë Pa emër Se ai jetonte te të gjithë ngapak E te harrimi më shumë. Në...

Lajmet e Fundit