2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kur historia hesht

Adelina XHAFERI

Ne jemi mësuar që historia të na flet gjithmonë me ëndje për gjërat e bukura të së kaluarës sonë dhe me to të krenohemi para botës e të tjerëve, të cilët në të shumtën e rasteve mundohen të na e venisin dhe të na e mohojnë të njëjtën. Jemi mësuar që me emra epikë të çelim dritare dhe me penë romantike të nënshkruajmë fatin tonë. Por, vjen një çast kur kuptojmë se jo gjithmonë historia mund të vjen e tillë dhe për brezat e ardhshëm të jetë motivuesja kryesore.

E kemi të njohur tashmë se lidhja shkak-pasojë vjen nga e kaluara, në të cilën dikush mallkonte për përfitime personale, ndërsa dikush tjetër ishte i detyruar të pësonte. Lidhja në fjalë nuk vjen gjithmonë me ngjarje të bukura, ngaqë shpesh të dëshpëruar me realitetin duhet të pajtohemi me të e ta pranojmë ashtu siç edhe vjen, në shoqërim të historisë. Dimë se ato shpesh trokasin në ne edhe me ngjarje të hidhura dhe sjellin me vete kujtime të hidhura të shekujve të pluhurosur pamëshirshëm dhe të etur për jetë rinore. Jo gjithmonë ato mund të vijnë me peshë jetësore dhe të bëhen shkak për qeshjet dhe gëzimet tona. Ngaqë ato dinë të godasin aty ku qenia njeri humbet, dhe para tyre mbetet i vogël e i pafuqishëm. Dinë të mbeten të pa vdekura dhe të paharruara. Të hyjnë në palca njerëzore dhe të bëhen disa herë edhe trashëgimtare jetike të padëshirueshme.

Pavarësisht se ne i quajmë “flluska sapuni”, vetëm që të zhduken shpejt dhe të mos jenë pjesë jona, të hidhurat e tyre motërzohen padashur me realitetin tonë. Po! Realitetin tonë. Realitet në të cilin historia heshtën dhe rolin e saj duhet ta marrim ne, për t’u bërë pjesa e saj, për t’u ndjerë gjithçkaje e saj. Ngaqë rrotat e historisë qëllim kanë lëvizjen dhe mbushjen e ditëve, viteve e shekujve me frymë të trimave epikë, të bëmave të tyre, nën udhëheqje të besës, kanunit dhe ndërgjegjes së pastër. Por, këto të fundit, sot, kanë mbetur vetëm në faqe librash e në rafte bibliotekash, në të cilat “Kanuni” i Lekës me elemente e lartpërmendura, si ca nga shtyllat kryesore të tij, kujtohet vetëm nga ne studentët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Shohim se çdo ditë e më tepër ai po fryhet për të shpërthyer në një të nesërme të afërt, për të na përplasur të vërtetat në fytyrë, për çdo gjë që ne kemi harruar dhe në rrugët e jetës mundohemi të ecim me “hapa të të mëdhenjve”.

Por sa është e arsyeshme që ne të mos kemi më se ç’ti themi sot historisë dhe me çka ta zbukurojmë atë, në mënyrë që ajo të vazhdojë rrugën e saj dhe në të ardhmen të rrëfejë edhe për ditët tona? Sa është njerëzore që ne të harrojmë sot sendet tona elementare, pa të cilat dikur nuk kemi mundur të merrnim frymë e të jetonim? Sa është e drejtë që sot të harrojmë çdo gjë dhe me vetëdije të pranojmë që bashkë me venitjen e idealeve, frymën të na e zë edhe këmba e të fortit? Të cilin ndonëse e urrejmë dhe e shohim si simbol të së kobshmes, ende e lëmë të bëjë qejfet e veta, të plotësojë dëshirat e të gëzohet që historia jonë po heshtën. Po! Heshtën… Heshtja e saj ngjason me heshtjen e varrit…Me tmerrin…Me dhembjet shpirtërore…Me mundimin e Sizifit…Me çdo gjë që na bën të strukemi e të pranojmë brejtjen e trupit legjendar.

Heshtim edhe ne pranë saj, ngase nuk kemi me çka t’i arsyetohemi për ngecjen dhe mbetjen tonë në baltë. Kjo heshtje jona është edhe më e hidhur nga ç’mund të jetë për ne një mallkim i zënë në “ditë bekimi”, anash së cilit qajmë për peshqeshet e pagëzuara. Heshtja jonë kundrejt saj është edhe më tragjike nga ç’iu ngjit Fishtës për së gjalli në tokën kur ëndërruesi i dehur shiste lehtë bukën e tjetrit dhe për vete siguronte një liri pallati; nga ç’iu ngjit Poradecit nën qiellin me nositë të dehur qëllimisht nga gotat e pushtuesit.

Heshtim bashkë me historinë, ngase ne nuk mund (nuk dëshirojmë) të bëhemi Fishtë e Poradec. Ne s’mund të jemi (realisht nuk duam të jemi) të zëshëm dhe vazhdues të trimave epikë, të cilëve nën këmishë lufte u flinte ëndrra për liri dhe mbrojte të atdheut. Ne s’mund të bëhemi heronj (realisht nuk duam të bëhemi), ngase kemi harruar besën, vlerën e së cilës Kostandini u mundua ta tregojë edhe pas vdekjes me ngritje nga varri, ndërsa ne në të gjallë e kemi hedhur në skaje me rrjetë merimange.

Ne s’mund të bëjmë (realisht nuk duam të bëjmë) asgjë tjetër, pos qëndrimit në vend dhe dorëzimit të vetes sonë në krahë të tjetrit, i cili pavarësisht se dinë të kaluarën tonë fisnike, ruajtur me besë, gjak, burrëri, guxim e kanun, mund të na lë në mëshirë ere dhe humbjeje të skajshme. Sado që ne ëndërrojmë, por në brendinë tonë kemi harruar besën, kanunin dhe ndërgjegjen e pastër, do jemi shkaktarët kryesorë të heshtjes së historisë, heshtja e së cilës, ndonëse për ne mund të jetë një çast mërzie, kaluese pas ca lotëve ose pas një kafeje nën shoqëri shiu, në brezat e ardhshëm do të jetë një plagë e pashërueshme, një lule që nuk u ujit, një jetë së cilës iu ndalua fryma.

Andaj të bashkuar le ta bëjmë të zëshme historinë. Le të udhëtojmë me të drejt së ardhmes dhe të jemi të gëzuar që sadopak ajo ka ende trima dhe çaste me elemente kanunore për t’i rrëfyer.

Më Shumë

Kush është 29-vjeçarja shqiptare që përplasi për vdekje vëlla e motër në Kroaci!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Koraci dy ditë më parë, ku si pasojë e një aksidenti humbën jetën vëlla e motër, 21...

Policia shqipton mbi një mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1351 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit