17.8 C
Prizren
E enjte, 24 Prill, 2025

Kurdisja e ekskursioneve në Suharekë

Maturantët e Suharekës do të shkojnë në ekskursion në Shqipëri në një hotel të përcaktuar nga prindërit e tyre.

Vendimi që gjatë ekskursioneve mësimore maturantët e Suharekës të dërgohen vetëm në hotelin “Bonita” në Durrës po shihet si shkelje e rregullave të konkurrencës nga pronarët e kompanive turistike.

Kompania “Sharr Travel” e cila nuk fitoi në dy konkurset për t’i dërguar nxënësit në Shqipëri, ankohet për monopol dhe shkelje të rregullave të konkurrencës së lirë.

Pronari i kësaj kompanie Ruzhdi Kurtishaj akuzon shkollat se i përshtatën kushtet e konkursit për kompaninë “Shpejtimi” e cila fitoi në dy procedurat konkurruese.

“Këtu ka të bëjë me disa kritere të njëanshme që janë shfrytëzuar vetëm për të përmbushur kriterin e tri ofertave,” thotë Kurtishaj.

Me paratë e buxhetit të Komunës së Suharekës anëtarë të këshillave të prindërve kishin udhëtuar në Shqipëri për të vizituar hotelet ku mund të akomodohen nxënësit.

Pas përfundimit të vizitës këshilli i prindërve ishte kthyer me konstatimin se hoteli “Bonita” ishte ai që i përmbushte kriteret, ndërsa hotelet e tjera nuk ishin të sigurta për nxënësit e Suharekës.

Për çudi të të gjithëve me hotelin në fjalë kishte marrëveshje vetëm kompania fituese “Shpejtimi”, ndërsa pronari i “Sharr Travel” ankohet se këshilli i prindërve nuk vizitoi fare hotelin ku ai kishte planifikuar t’i dërgonte nxënësit.

Komuna e Suharekës e pranon se fituesin e tenderit me vlerë prej rreth 40 mijë eurove e kishte përcaktuar hoteli, por nuk kanë shpjegim pse këshilli i prindërve nuk e vizitoi hotelin e kompanisë “Sharri Travel”

“Është e vërtetë se kanë qenë dy kompani me çmim të njëjtë, mirëpo për përcaktimin e fituesit e ka bërë vlerësimi i këshillit të prindërve të cilët kanë vendosur për ‘Bonitën’,” thotë zëdhënësi i Komunës së Suharekës Reshat Reshitaj.

E kryetari i këshillit të prindërve në Gjimnazin “Jeta e Re” thotë se rregullat në këtë rast bëhen nga vetë prindërit për shkak se ata paguajnë. Sipas tij, cila kompani ta kishte fituar ofertën do të ishte ankuar, pasi i kanë pasur kushtet e njëjta, por është siguria e hotelit ajo që ka vendosur fituesin.

I kënaqur me procesin është fituesi i tenderëve, Ekrem Veselaj pronar i kompanisë “Shpejtimi”. Ai thotë se procesi ishte pa ndonjë vërejtje, ndërsa pranon se marrëveshja e tij me hotelin e shpalli atë fitues të konkursit.

“Me çmimin kemi qenë të njëjtë me kompaninë ankuese, duke u nisur prej sigurisë së nxënësve që hotelin me të cilin ne e kemi marrëveshjen i plotëson të gjitha kushtet, sidomos nga siguria, pasi nxënësit do të vendosen në një kompleks që i tëri është i rrethuar dhe me sigurim 24 orë,” ka thënë Ekrem Vesaj.

Me gjithë procesin e kontestuar, 600 nxënësit e Suharekës pritet të udhëtojnë në grupe në fund të muajit për në ekskursionet në Shqipëri. Për diskriminimin në tender Ruzhdi Kurtishaj thotë se do shfrytëzojë mjetet juridike të ankesës. /Kallxo.com/

Më Shumë

Mot me diell dhe vranësira të shpërndara – temperaturat nga 5 deri në 20 gradë Celsius

Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira te shpërndara. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperatura minimale do të...

Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

Ka përfunduar protesta e qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Protesta sot u mbajt në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë. Nga grupi “Asnjë cent më shumë”, nuk...

Lajmet e Fundit