17.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kurti në NIN: Dialogun do ta udhëheqim të gjithë së bashku

AlbinKurti1205Kosova nuk është zemra e Serbisë, të cilën ajo nganjëherë dëshiron ta ndajë, por e vërteta e Serbisë të cilën ajo gjithmonë dëshiron ta ndrydhë. Konflikti nuk është rezultat i asaj që nuk jemi njoftuar dhe tash na duhen takimet dhe dialogu, sikur që mendojnë disa në Bruksel, por pasojë e interesave të kundërta.

Kështu është shprehur ndër të tjera lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për javoren serbe NIN, transmeton Koha.net.

Në vijim po e botojmë të plotë intervistën e Kurtit dhënë kësaj javoreje serbe:

Albin Kurti nuk e njeh marrëveshjen e Brukselit, kurse qeveria pa të është kushti i vetëm i serbëve për ta përkrahur. Mirëpo, fakti se kryeministri i tashëm nuk ka partnerë për ta formuar Qeverinë, ka lansuar Vetëvendosjen, të plasuar si tretën të në zgjedhje, në hapësirën e kapacitetit të madh shantazhues dhe Kurtin e ka bërë si negociatorin “më të shtrenjtë” në Kosovën e paszgjedhjeve. Në mes të krizës 4 mujore institucione (hera e tretë e përpjekjes për konstituimin e Kuvendit është caktuar në ditën kur ky ekzempar i NIN-it do të del në shitje) Kurti, Lëvizja e të cilit nga koalicioni kundër Thaçit ka kërkuar dhe e ka fituar të drejtën për të udhëhequr me dialogun e Brukselit për NIN-in flet se si e sheh Bashkësinë e Komunave Serbe, ardhmërinë e Kosovës dhe marrëdhënien e Qeverisë së ardhshme me Beogradin. Kurti – majtist të cilin mediat serbe dikur e shpërblyen me çmimin për tolerancë, ndërkaq kundërshtar radikal i bashkëpunimit me Serbinë, ironikisht është nga politikanët e rrallë shqiptarë që kërkon që intervistën ta bëjë në serbisht. E para, pas shumë vitesh mungesë në mediat serbe.

“Koalicioni në mes të LDK-AAK dhe Nisma, me të cilin ne kemi arritur marrëveshje e ka edhe vullnetin edhe zgjidhjen për tejkalimin e krizës insitucionale. Krejt çka duhet të bëjmë është që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të bëjmë debat dhe të votojmë. Në mandatin e kaluar, për të gjitha iniciativat tona PDK thoshte që s’i kemi numrat dhe se demokracia është çështje numrash. Edhe pse nuk pajtohem me këtë kuptim të demokracisë, ne tani i kemi numrat, mirëpo është e qartë që kjo nuk i pëlqen PDK-së, e cila mundohet me të gjitha mjetet të bllokojë zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit”, shpjegon Kurti se si koalicioni i tij planifikon ta tejkalojë krizën.

Çka e bën për ju Ramush Haradinajn partner të pranueshëm, e Hashim Thaçin të papranueshëm për bisedime për formimin e qeverisë?

Qëkur kanë mbaruar zgjedhjet, qëndrimet dhe vendimet nuk i kemi marrë duke i krahasuar Haradinajn me Thaçin. Unë e ndaj me Haradinajn më shumë brengosjen e madhe që Thaçi është akoma kryeministër, sepse brengën që Haradinaj akoma nuk është bërë kryeministër. Nominimi i Haradinajt është zgjedhje e koalicionit LDK-AAK-Nisma, dhe unë e respektoj këtë. Mirëpo, kjo nuk është çështje e personalitetit politik. Thaçi është personalitet, por jo politik. Ai thotë: amerikanët e duan privatizimin – ua jep atë; evropianët e duan dialogun me Serbinë – ua jep edhe atyre atë.

A janë zgjedhjet e reja opsion për ju?

Jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhje të reja, mirëpo tani jemi të interesuar për formimin e qeverisë së re, të kthehemi kah zhvillimi ekonomik, drejtësia sociale, lufta kundër korrupsionit, dhe ta çojmë PDK-në në opozitë, ku edhe e ka vendin pas dy mandateve, në të cilët Republika Parlamentare e Kosovës është shndërruar në shtet me fare pak republikë në të dhe shumë pushtet mbi të.

Cilat kanë qenë kërkesat e juaja për nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit?

Gjithmonë kemi menduar që së pari duhet të ndërrohet kursi i shtetit, e kjo nënkupton para së gjithash në përfundimin e privatizimit neoliberal në ekonomi dhe përfundimin e dialogut joparimor me Serbinë në politikë. Nga njëra anë, humbnim pronën tonë publike, pasuritë natyrore dhe buxhetin e shtetit, ndërsa, nga ana tjetër, integritetin territorial dhe institucional.

Isa Mustafa ka shpjeguar se negociatori me Beogradin duhet të jetë kryeministri i ardhshëm. Jeni marrë vesh që ato t’i udhëheqë një person nga Vetëvendosje. Çfarë roli saktësisht prisni?

Natyrisht që Kryeministri do ta udhëheq Qeverinë dhe Qeveria është përgjegjëse për dialog apo biseda, mirëpo ato do t’i udhëheq dikush nga Lëvizja jonë Vetëvendosje, saktësisht siç shkruan në marrëveshjen tonë. Dialogun nuk e kemi ndarë në teknik dhe politik. Çfarëdo dialogu do ta udhëheqim ne, mirëpo do të jemi aty bashkë me përfaqësuesit e koalicionit, e, në të njëjtën kohë, do t’ia mundësojmë edhe opozitës të na bashkohet.

A do t’i udhëhiqni personalisht bisedimet apo do ta kandidoni dikë tjetër?

Dialogun do ta udhëheq njëri nga aktivistët e shquar të Lëvizjes sonë, e kush do të jetë, vendos Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i organizatës sonë.

Keni thënë se do të bisedoni me BE-në, KE-në dhe serbët e Kosovës, por jo edhe me Beogradin?

Ne duhet të bisedojmë me Bashkësinë Evropiane për integrimet evropiane të shtetit tonë. Në kohën e okupimit nga Serbia, Kosova ka qenë sikur i burgosuri politik, ndërsa Serbia si komandant dhe drejtor i burgut. Pas çlirimit në vitin 1999, dolëm nga burgu, mirëpo nuk filloi liria por u futëm në spital. Tash e 15 vjet protektorati ndërkombëtar na konsideron si pacientë, kurse diplomatë të ndryshëm ndërrohen sikur mjekët të cilët na japin optimizëm për terapi. Mjekët nuk na mundojnë fizikisht, mirëpo nuk kemi të drejtë të vendosim për vetveten. Unë jam i vetëdijshëm që jashtë spitalit prapë nuk ka liri dhe barazi, mirëpo duhet të dalim nga spitali dhe të futemi… në shkollë. Atë marrëdhënie duhet ta ndryshojmë në student-profesor. Dhe ta dimë sa do të zgjasin studimet deri në diplomim dhe çka krejt duhet të mësojmë.

Çka me Beogradin dhe serbët e Kosovës?

Në vend të dialogut diplomatik të mbyllur në zyrën e Ashtonit në Bruksel, pas të cilit dy kryeministrat duhet ta shesin marrëveshjen e arritur popujve të tyre për t’u treguar si prijës historikë, duhet të fillojmë dialogun e hapur, demokratik e shoqëror me serbët në Kosovë, ku njeriu dhe qytetari janë në qendër të vëmendjes. Ai i kaluari ishte dialog për pajtim, i cili eventualisht do të kurorëzohej me shpërblime ndërkombëtare për paqe, për politikanët nga Ballkani ekzotik dhe luftënxitës, deri sa neve na duhet dialog për zhvillim – në atë rast do të shkonim te punëtori e fshatari për të biseduar dhe për t’u organizuar për prodhim sa më të mirë industrial dhe bujqësor. Çka na duhet pajtimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve të thjeshtë në Kosovë?! Konflikti i gjatë i cili ka filluar në shekullin e 19-të dhe vazhdon edhe në shekullin 21 nuk është konflikt në mes shqiptarëve dhe serbëve, por konflikt në mes popullit shqiptar dhe shtetit të Serbisë. Dhe, ky konflikt nuk është rezultat i asaj që nuk jemi njoftuar dhe tash na duhen takimet, mbledhjet dhe dialogu, sikur mendojnë disa në Bruksel, por pasojë e interesave të kundërta. Pajtimi gjithsesi nuk është vetëm fjalë apo marrëveshje, por vepër: kur Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, tek atëherë do të bëhet pajtimi. Kosova nuk është zemra e Serbisë të cilën ajo nganjëherë dëshiron ta ndajë, por e vërteta e Serbisë të cilën ajo gjithmonë dëshiron ta ndrydhë.

Pse dëshironi t’i udhëhiqni negociatat të cilat nuk keni dashur t’i pranoni?

Ne i kemi kundërshtuar bisedat pa kushte me Serbinë mbi çështjet e brendshme të Kosovës. Thaçi ka biseduar dhe është marrë vesh me Daçiqin sikur Kosova t’i kishte borxh Serbisë e jo e kundërta. Pjesa më e rëndësishme e bisedimeve është dialogu për dialogun, sepse aty vendoset karakteri dhe formati, parimet dhe kushtet, temat dhe renditja. Për këto çështje duhet së pari të bisedojmë me Brukselin.

Për shkak të bisedimeve me Beogradin, apo ndoshta edhe me Unionin Evropian, a do të mund të zvogëlohej trupi juaj i zgjedhësve?

Jo. Ne nuk i ndërtojmë qëndrimet tona dhe nuk veprojmë varësisht prej asaj çka mund të parashohim që do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është punë për kundërshtarët tanë, të cilët paguajnë për matjen e opinionin publik.

Çka do të ndërronit në bisedime me Beogradin?

Në mandatin e ardhshëm të Kuvendit do të hetojmë çfarë krejt ka ndodhur gjatë dialogut trevjeçar në Bruksel dhe çka krejt janë pajtuar atje Thaçi dhe Daçiq dhe ekipet e tyre – në Kosovë procesi s’ka qenë transparent. Gjatë gjithë rrjedhës së këtyre bisedimeve kërkesat e Beogradit ka qenë e pamundur të ngriten në nivel parimesh. Ajo çka Beogradi ka kërkuar për serbët e Kosovës nuk kanë menduar që duhet t’ua japin shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, boshnjakëve në Sanxhak, apo hungarezëve në Vojvodinë.

Cilat të drejta të veçanta duhet t’i ketë pakica serbe në Kosovë?

Duam integrim të të gjithëve në një shoqëri përparimtare. Integrimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm është shoqëror e jo institucional. Për integrimin institucional mund të thuhet se është i nevojshëm mirëpo assesi i mjaftueshëm. Ai është integrim i përfaqësuesve të serbëve, por jo edhe i serbëve. Integrimi institucional është integrim i elitës. Nëpërmjet këtij integrimi diku mbahet e diku prodhohet elita, mirëpo nuk integrohet bashkësia. Ne iu përkasim kombeve të ndryshme por jemi në shoqërinë e njëjtë. Në vend të integrimit institucional nëpërmjet privilegjeve, ne angazhohemi për integrim shoqëror nëpërmjet barazisë. Mirëpo, kur them integrim shoqëror nuk mendoj në seminare, konferenca dhe në trajnimet e OJQ-ve në periudhën e pasluftës, por në barazinë si vlerë dhe si synim, për shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim. Integrimi është çështje e barazisë, e jo çështje e tolerancës. Në fabrika dhe universitete ndërtohet shoqëria, sepse aty krijohet solidariteti në mes punëtorëve dhe bashkëpunimi në mesin e studiuesve.

Me cilin mund të merreni vesh më parë, me Nenad Rashiqin apo me Listën Serbe?

Nuk bëhet fjalë këtu për ndonjë marrëveshje të gatshme por për bashkëpunim të mundshëm. Nenad Rashiq punon brenda Republikës së Kosovës të cilën ai e pranon dhe e respekton, gjë që nuk mund të thuhet për Listën Serbe. Lista Serbe është krijuar në Beograd dhe me të edhe më tej dirigjohet nga Beogradi, derisa edhe emri i saj aludon në Republikën Serbe në Bosnje.

Cili rol i EULEX-it do të ishte i pranueshëm për ju?

Nuk kemi diskutuar për EULEX-in në bisedimet e deritashme. EULEX-i i ka harxhuar gati 2 miliardë euro gjatë gjashtë vjetëve e gjysmë. Sundimi i së drejtës nga pikëpamja e tyre nuk nënkupton së pari drejtësi për popullin dhe të drejtat e qytetarëve, por stabilitetin e përgjithshëm politik. Deri më tash, në rastin më të mirë, ndonjë peshk i mesëm i korrupsionit ka përfunduar në burg, mirëpo asnjë peshkaqen i korrupsionit. Peshkaqenët kanë drekuar dhe darkuar së bashku me burokratët kryesorë ndërkombëtarë dhe ambasadorët me qëllim të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Mbase nuk është e rastësishme që Eliot Ness nuk ka qenë francez por amerikan.

Çka prisni që do të ndodh me gjykatën për krime të UÇK-së?

Nuk e di çka na duhet edhe një gjykatë ndërkombëtare. As vetë bashkësia ndërkombëtare nuk e di saktësisht. Sepse nuk dihet as baza e as rregullat, nuk dihet as përbërja dhe as misioni i kësaj gjykate më të re, dhe, në të njëjtën kohë, nuk dihet se kush do ta financojë gjithë këtë. EULEX-i është misioni më i madh në historinë e BE-së. Tani kur ata do të duhej të mbanin përgjegjësinë për josuksesin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kanë ardhur me idenë që iu duhet edhe një mision, edhe një gjykatë, gjithnjë speciale. Ka pasur raste të hakmarrjes politike apo personale kundër serbëve, ka pasur raste të krimeve kundër serbëve të cilët për motiv e kanë pasur marrjen e pasurisë, dhe të gjitha këto raste do të duhej të gjykoheshin dhe të dënoheshin. Mirëpo, këto nuk i ka bërë UÇK-ja si organizatë ushtarake. Këto i kanë bërë individët dhe ne vetë duhet të sjellim drejtësinë dhe ta dënojmë çdo rast individualisht. Gjykata ndërkombëtare prapë nuk do ta bëjë këtë. Ata brengosen për stabilitetin politik dhe përsëri do ta përdorin gjykatën për disiplinim politik të politikanëve të rëndësishëm.

Si i majtë, si e shihni mundësinë e hyrjes së Kosovës në NATO?

Populli shqiptar i është falënderues shumë NATO-s për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Pa intervenimin e NATO-s, okupimi dhe represioni i Serbisë me siguri do të zgjatej. Edhe shumë vite do të kalojnë para anëtarësimit të Kosovës në NATO. Mirëpo, ky qëllim mund të ndihmojë që Kosova ta ketë ushtrinë e vet.

Çka do të thotë për karrierën tuaj politike, e cila është në ngritje, koha e kaluar në burg gjatë kohës së Milosheviqit?

Nuk ka qenë ai regjim vetëm i Slobodan Milosheviqit, por edhe i Ivica Daçiqit dhe Aleksandër Vuçiqit. Të gjithë këta kanë qenë në pushtet atëherë. Paramendoni, Koshtunica ka qenë opozita e tyre! Unë kam qenë gjithsej 2 vjet e 7 muaj në burg. Një vit e 5 muaj gjatë Milosheviqit, dhe një vit e 2 muaj pas ndryshimeve demokratike dhe gjatë pushtetit të Koshtunicës. Aktivitetin politik nuk e shoh dhe nuk e ndjej si karrierë. Koha e kaluar në burg nuk ka ndikuar në bindjet e mia politike. Në burg e humb hapësirën dhe e fiton kohën. Lexon më shumë, por edhe thellohesh më shumë, nuk do të ndërrosh. Përkundrazi. Burgu është vend i zhytjes, jo i notimit.

Kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Kosovës?

Nuk e di. Këtë më askush nuk e di. Bile as ambasadat e SHBA-ve dhe vendeve kryesore të BE-së.

A e shihni të ardhmen e Kosovës në BE? Ndoshta atëherë kur edhe Serbia të bëhet anëtare e saj?

Vendet e Ballkanit perëndimor nuk janë në gjendje ta dinë se kur, kush mund të bëhet anëtar i BE-së. Në fakt, ajo që dihet, është numri i viteve deri kur sigurisht nuk do të bëhesh anëtar i BE-së. Për shembull, Shqipëria dhe Serbia nuk do të bëhen anëtarë së paku në 5 vitet e ardhshme, Kosova në 10 vitet e ardhshme, e të tjera. Unë shpresoj që ndërkohë BE-ja më në fund do të fillojë të bëhet më shumë organizatë shoqërore me të majtën panevropiane sesa kështjellë burokratike në rrugën e quajtur masat e shkurtimeve. Shihni, realiteti ynë nuk ka arritur tek pritjet e BE-së për neve, por gjithashtu edhe BE-ja ende nuk ka arritur tek ëndrra jonë për të.

Pas marrjes së aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s a është e vërtetë që edhe ju, siç shkruan në media, keni marrë thirrje për t’u paraqitur në polici? Nëse po përse?

Kohëve të fundit aktivistët tanë kanë marrë thirrje të ndryshme nga ana e policisë dhe gjykatës. Mua më kanë ftuar në Gjykatë në Prishtinë për një protestë të vitit 2006! Kurdoherë që pushteti është në krizë ai vepron me dhunë, që të mund të vazhdojë me dominim. Dhuna është pafuqi. Qeveria e Thaçit nuk ka më mundësi të shesë ndërmarrjet publike nëpërmjet privatizimit neoliberal e as të t’i bëjë koncesione shtesë Serbisë nëpërmjet negociatave joparimore dhe asimetrike.

Aktivistët tanë janë mbajtur në paraburgim dhe pastaj kanë mbajtur burg, mirëpo gati asnjë proces gjyqësor kundër nesh nuk është kryer asnjëherë deri në fund. Në këtë mënyrë aktivistët tanë tanë mbahen zyrtarisht tërë kohën nën hetime. Pushteti iu frikësohet atyre që s’i frikësohen pushtetit. Nga ana tjetër, ata mendojnë se bashkimin e partive në koalicion kundër PDK-së e mban dhe e bën të mundur para së gjithash Lëvizja jonë. Dhe, mbi të gjitha, kur i godasin aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, asnjë burokrat ndërkombëtar nuk ka ndonjë vërejtje, pa marrë parasysh brutalitetin e regjimit.

Si e shihni sot shpërblimin që në vitet e ’90 e keni fituar nga “Nasha Borba”? Në Serbi nuk iu konsiderojnë më tolerant.

Ndonjëherë mendoj që në skenën e sotme politike në Serbi nuk ka ndodhur asgjë e re që nga Nikola Pashiqi. Gati të gjithë janë pasardhës të Pashiqit. Trashëgimia e Dimitrije Tucoviqit është përzënë nga institucionet në margjina të shoqërisë. Toleranca si nocion ka lindur nga luftërat fetare pas skizmës së krishterizmit dhe në fund të shekullit XX është përdorur si zëvendësim për barazinë dhe për lirinë. Domethënë, ata të cilët nuk i trajton si të barabartë dhe nuk ua pranon lirinë, si zëvendësim, ata i toleron.

Pse më i pranueshëm është dialogu me BE-në sesa me Serbinë, nëse nuk e pranoni BE-në në Kosovë, ashtu siç nuk i pranoni ingerencat e Beogradit?

Ne dëshirojmë dialog me BE-në për ta ndërruar karakterin e angazhimit të tyre në Kosovë, që në vend të policëve dhe gjyqtarëve të huaj të cilët kanë pushtet ekzekutiv të pakufizuar dhe imunitet nga ligji nga BE-ja të marrim profesorë për arsim më të mirë dhe ekspertë për prodhim më të madh.

Unë nuk i përkas atyre politikanëve naiv që thonë “hajde ta lëmë të kaluarën prapa nesh, dhe të shikojmë bashkë kah ardhmëria”. E kaluara nuk është prapa nesh, por është në ne. Nuk mund ta vëmë shenjën e barazisë në mes të Bashkimit Evropian dhe Beogradit në Kosovë. Vetëm në luftën e fundit, rreth 10.000 civilë shqiptarë janë vrarë, mbi 3.000 njerëz janë zhdukur, disa mijëra gra janë dhunuar, 120.000 shtëpi janë rrënuar ose djegur, 860.000 veta janë deportuar jashtë Kosovës, dhe më shumë se një milion njerëz janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Si e paramendoni bashkësinë e komunave serbe?

Dialogu në mes të Thaçit dhe Daçiqit nga ana e Qeverisë së Kosovës argumentohej si nevojë për integrimin e serbëve të Kosovës. Në të vërtetë, kurdo që kishim biseda dhe negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë serbët e Kosovës u përdorën: nga Prishtina zyrtare kinse për integrimin e tyre, derisa nga Beogradi zyrtar kinse për mbrojtjen e tyre. Qeveria e Kosovës fliste për integrime të serbëve për të qenë sa më e pranuar nga faktorët ndërkombëtarë dhe për t’ua zbutur zemrën atyre që ia kanë dosjet e saj të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; kurse Qeveria e Serbisë fliste për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, për ta rritur hegjemoninë e vet, për të cilën serbët lokalë janë mjet për territore dhe pasuri natyrore, e jo e kundërta. Në këtë mënyrë, oportunizmi i Prishtinës bëhet komplementar me hipokrizinë e Beogradit. Bashkësia e komunave serbe është fryt i prirjes së Beogradit që në Kosovë të formojë një Republikë Serbe. Të gjithëve na kujtohet se si Milosheviqi e pranoi Bosnjën jashtë Serbisë vetëm atëherë kur në Konferencën e Dejtonit Izetbegoviqi e pranoi Serbinë brenda Bosnjës. Tani Vuçiqi dhe Daçiqi duan që para se kushdo ta njohë Kosovën e pavarur jashtë Serbisë, ta sigurojnë Serbinë brenda Kosovës. Kësisoj, projekti i Serbisë së madhe nga shekulli i kaluar përtërihet me shumësinë e Serbive të vogla përreth. Ka shumë probleme në ato tri pika të marrëveshjes që kanë të bëjnë me atë bashkësi: që nga elementet jodemokratike dhe kundërkushtetuese e deri te direktivat raciste, siç është ajo që komandanti i policisë në veri të jetë serb! Serb është përkatësi nacionale e jo profesion.

Më Shumë

Interesim i madh për t`u regjistruar në Prizren

Një ditë para përmbylljes së procesit të Regjistrimit të Popullsisë, në Prizren ka interesim shumë të madh të qytetarëve për t`u regjistruar.   Në ndërtesën e...

Fenomeni Luiz Ejlli, imazhi i ri i Golden Eagle

Luiz Ejlli, fitues i Big Brother VIP Albania 2, do të jetë fytyra e re e Golden Eagle. Pas përfundimit të kontratës që kishte me...

Lajmet e Fundit